Parashihen lehtësira tjera fiskale për bizneset
E Hënë 25 Qershor 2012 11:08
Qeveria ende nuk e ka përfunduar pakon e re fiskale. Por, tashmë, është hartuar lista e produkteve që do të jenë pjesë e pakos, e cila do të diskutohet edhe në këshillin kombëtar për zhvillim ekonomik.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila, tha për Radio Kosovën se në listë janë lirimi i lëndës së parë, ambalazhit dhe materialit tjetër që hyn në procesin e përpunimit, por jo edhe përshkallëzimi i TVSH-së.
Gjatë këtij viti parashihen lehtësira tjera fiskale për bizneset në Kosovë. Zëvendëskryeministra e Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha se pakoja e re fiskale është duke u diskutuar, dhe tashmë është përpiluar edhe lista, që përfshin lirimin e lëndës së parë, ambalazhit dhe materialit tjetër që hyn në procesin e përpunimit.
Ne e kemi këtë edhe pjesë të diskutimit në Këshillin Nacional për Zhvillim Ekonomik. Brenda këtyre javëve do të bëhet edhe diskutimi i parë i hapur me përfaqësuesit e institucioneve në prezantimin e listës. Ata veç janë të informuar për produktet e para që do të jenë pjesë e kësaj pakoje, sqaron Kusari Lila.
Por, në pakon e re nuk parashihet të jetë përshkallëzimi i Tatimit në Vlerë të Shtuar (TVSH), thotë Kusari-Lila:
Nuk është në fazën afatshkurtër, një ide ka qenë që ka nevojë për kapacitete shtesë për përshkallëzimin e TVSH-së. Përshkallëzimi i TVSH-së nuk ka qenë një prej temave shumë të favorshme edhe nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e mirëpresin pakon e re fiskale. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se kjo është në favor të përmirësimit të mjedisit afarist, por, sipas tij, përshkallëzimi i TVSH-së do të ishte në dobi edhe të konsumatorëve.
Ndryshe, TVSH-ja në Kosovë është 16 për qind dhe lineare për të gjitha produktet.
Komento
Rregullat për komente
- Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
- Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
- Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
- Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.










