E Enjte, 20 Qershor 2013

Prizreni me qendër të re grumbulluese të perimeve

E Premte 27 Korrik 2012 18:21

Kultivuesit e pemëve dhe perimeve tashmë kanë në dispozicion edhe një qendër të re grumbulluese në komunën e Prizrenit. Kompania ‘Lirimi Commerce”, me përkrahjen e qeverive të Zvicrës dhe Danimarkës, përmes programit “Promovimi i Hortikulturës në Kosovë”, të cilin është duke e implementuar Helvetas Swiss Intercooperation, ka hapur sot qendrën e re grumbulluese për pemë dhe perime me kapacitete ruajtëse prej mbi 100 tonë.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci tha se këto qendra përveç që iu mundësojnë fermerëve ruajtjen e prodhimeve të tyre edhe në periudha jashtë sezonit, iu mundësojnë atyre edhe lidhjen me zinxhirin përpunues, për çka në të kaluarën ka pasur shumë vështirësi. “Kjo pikë e re grumbulluese është një mundësi e re për fermerët e kësaj komune, por edhe të komunave tjera, që të bashkëpunojnë me kompaninë përfituese. Besoj se projektet e kësaj natyre, që janë duke u realizuar gjithandej Kosovës, po krijojnë mundësi të reja në relacionin prodhues-përpunues”, tha Stavileci, duke shtuar se nga viti i ardhshëm Ministria e Bujqësisë do t’ju ofrojë grante investive edhe kultivuesve të perimeve në fushë të hapur. Kjo përkrahje, sipas ministrit Stavileci, nuk është bërë deri më tani, për shkak që fokusi i deritashëm i Ministrisë ka qenë në prodhimtarinë e perimeve në fushë të mbyllur, për t’ju krijuar mundësi fermerëve që të dalin më herët në treg me perimet e tyre. “Përfitues të granteve dhe subvencioneve të Ministrisë në vlerë prej 1.5 milionë euro janë gjithsej 1 295 fermerë nga komuna e Prizrenit”, deklaroi ministri i Bujqësisë.

Përfaqësuesi i zyrës zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, Nils Roseman investimin dhe ngritjen e kësaj qendre grumbulluese e vlerësoi si arritje të mirë, e cila krijon vende të reja pune dhe mundëson rritje më të shpejtë ekonomike. “S’ka dyshim që kjo qendër grumbulluese do të luajë rol kyç në zhvillimin e sektorit privat, me theks të veçantë në industrinë ushqimore të komunës së Prizrenit, rajonit, por edhe më gjerë”, tha Roseman.

Ndërsa, përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Njazi Kryeziu theksoi se kjo qendër do të krijoj edhe alternativa të tjera për prodhuesit dhe fermerët e kësaj komune.

Vlera e projektit për qendrën e re grumbulluese të kompanisë “Lirimi Commerce” arrin në 140 mijë euro, ndërsa ndërtimi i saj është mbështetur me 65 mijë euro nga qeveritë e Zvicrës dhe Danimarkës. 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.