E Shtunë, 30 Gusht 2014

Skulpturat e akullit 'shkrijnë' Shatërvanin

E Hënë 12 Mars 2012 11:10

Përballë akullit janë djersitur. Me shumë mund i kanë dhënë formë trajtës së ngrirë të ujit.  Për disa orë nga akulli kanë krijuar figura artistike. E tërë këtë punë e kanë bërë në shoqëri të muzikës elektronike dhe në prani të publikut në sheshin Shatërvan të Prizrenit, në një stendë me tri tavolina, të pajisura me drita e të cilat janë mbuluar me ujë, pas shkrirjes së copëzave të akullit.

Performanca në kohë reale e tre skulptorëve kosovarë ka qenë pjesë e aktiviteteve të festivalit të parë dedikuar këtij lloji të artit, “SculpFest”.

Përmes dijes dhe përdorimit të mjeteve të mprehta këta skulptorë kanë arritur që në akull të paraqesin figura, profile e portrete të ndryshme, edhe pse kanë qenë të detyruar që të ndryshojnë planet për shkak të cilësisë dhe trashësisë jo të duhur të akullit. Madje, skulptori Butrint Morina ka pranuar se ka pasur ide tjetër, por që në momentin e fundit është dashur të improvizojë, duke pasqyruar dy profile, që përputhen me karakterin që i atribuohet Prizrenit, si kryeqytet i tokave shqiptare.

“Kam pasur në plan që të krijoj një skulpturë me formë abstrakte, e cila pasqyron gjendjen tonë sociale. Mirëpo, cilësia e akullit më ka imponuar skulpturën. Për shkak të trashësisë së akullit jam përcaktuar që të paraqes profilin e heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut, përballë profilit të shqiponjës”, ka thënë Morina, i cili megjithatë është shprehur i kënaqur me organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore dhe interaksionin që ka pasur me publikun prizrenas gjatë orëve të krijimit.

Elanin e tij, Morina e ka dëshmuar duke u ngjitur disa herë mbi tavolinën e punës për ta qartësuar sa më mirë skulpturën e krijuar. As prekjet e shpeshta me dorë të akullit nuk kanë munguar, me qëllim të largimit të pikave të ujit që po krijoheshin nga shkrirja e akullit. Të njëjtin përkushtim e kanë shprehur edhe dy skulptorët tjerë, Agim Islamaj dhe Valon Mehmeti, që kanë krijuar portrete të ndara, pas punës disaorëshe në ambient të hapur. 

“Çka paska këtu?!” ka qenë pyetja më e shpeshtë e kalimtarëve të rinj, të cilët të shtunën mbrëma rrugës për në bare janë ndalur për të përcjellë për disa çaste punën e tre skulptorëve të rinj. Ndërkohë, të moshuarit e kanë aprovuar këtë lloj aktiviteti.

“Ideja është shumë e qëlluar dhe e shëndoshë. Kjo është një dëshmi se krijuesit tanë kanë talent, por vetëm duhet krijuar hapësira dhe mundësia e duhur”, ka thënë Fejzullah Shabani, pensionist, që në mënyrë amatore merret me gdhendjen e drurit.

Edicioni i parë i “SculpFest” është hapur të shtunën pasdite për t'u përmbyllur të dielën, me disa aktiviteteve modeste. Organizatorët kanë pohuar se këto aktivitete janë vetëm uverturë promovuese për një ngjarje më të madhe që do të realizohet gjatë verës së këtij viti.

“Festivali i skulpturës ka startuar me fazën e parë, me skulptura të akullit që është një risi në Kosovë dhe kjo është vetëm një parapërgatitje për festivalin e madh që do të ndodhë në shtator (2-7 shtator), ku do të marrin pjesë edhe artistë ndërkombëtarë”, ka thënë Leutrim Fishekqiu, organizator i “SculpFestit”.

Sipas tij, ky do të jetë festivali i parë i këtij lloji në rajon dhe se Prizreni me traditën që ka krijuar si nikoqir i festivaleve do të pasurohet edhe më një ngjarje të madhe kulturore, që synon të mbledhë artistë nga rajoni e Evropa.

Zyrtarët komunalë nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport kanë përshëndetur mbajtjen e një festivali të ri, duke potencuar se këto aktivitete vetëm se e begatojnë jetën kulturore në Prizren.

"Komuna e Prizrenit ka ofruar hapësirë dhe kushte për nisje të festivalit, derisa në vitet e ardhshme DKRS-ja do ta parashohë në planin e vet të punës këtë ngjarje me qëllim që t'i ofrojë edhe mbështetje të duhur financiare, ngase besojmë se ai do ta pasurojë Prizrenin, meqë kësi lloj festivali nuk ka në Kosovë, por as në rajon", ka thënë Kujtim Gashi, koordinator për çështje rinore.

Me kalimin e orëve hapësira përreth tavolinave ku po krijoheshin skulpturat është mbuluar me ujë nga copëzat e akullit të prerë e të gdhendur. E ky ujë i pastër është përzier me ujin e baltosur që ka rrjedhur gjatë tërë kohës skaj kalldrëmit të Shatërvanit.  /koha/

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.

 

liki2012-03-13 10:12:34liki_tek@yahoo.com
shume send i fort
0%