Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Premte, 22 Nëntor 2019

Kuarteti i Görsevit kthehet në Kosovë me melos ballkanik

E Mërkurë 03 Prill 2013 00:21

Pak minuta para orës 21:00, ata u stacionuan para të njëjtit publik, që i kishte duartrokitur një vit më parë. Katërshja e grupit me liderin Kerem Görsev u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të hapur edicionin e dytë të “Javës së Jazzit Turk”. Aktiviteti i cili organizohet nga Ambasada Turke në Prishtinë nisi rrugëtimin me performancë të “chamber jazz”. Lideri i bendit, Kerem Görsev, në skenë u asistua nga basisti Kagan Yildiz, bateristi Ferit Odman dhe Sedef Erçetin në violonçelo. Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan, ishte ajo që i parapriu koncertit me një fjalim mirëseardhës. Të njejtën e bëri edhe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

“Vitin e kaluar kur të gjithë u takuam në ‘Javën e Jazzit Turk’ dhe dëgjuam një performancë të mrekullueshme nga bendi i Kerem Görsev, i pata thënë zonjës ambasadore se sa mirë do të ishte sikur të kishim një edicion të dytë”, ka thënë Krasniqi.

“Jam i lumtur që sonte jemi këtu prapë bashkë”, ka shtuar ai.

Në një konferencë për medie, të mbajtur në orët e paraditës të së martës, organizatorët e pjesëmarrësit kanë ndarë përshtypjet e tyre para nisjes së festivalit.

Protagonisti i mbrëmjes së parë, Kerem Görsev, ka thënë se ka ardhur këtu për një arsye.

“U ndamë shumë të kënaqur vitin e kaluar, dhe erdhëm me dëshirë edhe këtë vit. Ne si grup e kemi një qëllim që të promovojmë Turqinë në vendet ku performojmë. Me sa kemi parë, në Kosovë e kemi arritur një gjë të tillë”, ka thënë Görsev. “Sapo jemi kthyer nga Praga, ku kemi shpalosur performancën më të re tonën dhe projektet më të reja. Është diçka mes klasikes dhe jazzit turk, një melodi e mirë ballkanase”, ka vazhduar ai.

Ambasadorja Ozan ka thënë se suksesi i edicionit të vitit të kaluar ka bërë që të vendosin që të organziojnë edhe këtë vit “Javën e Jazzit Turk”.

“Këtu shihet se rinia e do këtë muzikë, dhe ne po shpresoj t`ua japim një lloj perspektive tjetër të saj. Muzikën po e dëgjojmë bashkërisht dhe ajo po na bashkon, kjo është më e rëndësishmja” ka thënë Ozan.

Sonte (e mërkurë) në teatrin “Oda” do të interpretojë grupi i Maden Öktem Ersönmez, ndërsa më 4 prill grupi Alp Ersönmez bashkë me Elif Çağlar. Më 5 prill, në “Sheshin 21” do të jetë grupi Selen Gülün, ndërsa që fund do t’i jepet me koncertin që mbahet më 6 prill, me grupin e Burhan Öçal dhe Ansamblit Oriental të Stambollit. Koncerti i fundit do të mbahet aty ku do të nisë “Java..”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Gjatë edicionit të dytë të “Java ...” do të ketë edhe punëtori, synimi i të cilave do të jetë afrimi i muzikantëve të njohur turq me homologët e tyre kosovarë, derisa pjesë e evenimentit janë edhe DJ nga Turqia, Murat Meric, Doğukan Orcan dhe Bugra Orcan. 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.