Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Hënë, 23 Shtator 2019

Dokufest thyen tabutë

E Marte 20 Gusht 2013 14:00

Terminin e fundit të projektimit të filmave në Dokufest, të martën mbrëma e kanë zënë dokumentarët që trajtojnë çështje tabu të shoqërive prej të cilave vijnë. Ndonëse këto dy filma dallojnë në mënyrën e realizimit dhe temën që trajtojnë, megjithëkëtë kanë diçka të përbashkët, e ajo është rrëfimi i prindërve për fëmijët e tyre. 

“After Tiller”, film i regjisores amerikane Lana Rose Wilson është filmi që tregon sa vendim personal është aborti. Nëpërmjet një mjeku që kryen aborte pas javës së 24-të të shtatzënisë, atëherë kur konsiderohet e rrezikshme, autorja Wilson në  konferencën për shtyp ka thënë se është munduar që t`i ikë trajtimit politik, dhe të thyejë perceptimin se aborti është i dëmshëm dhe duhet të jetë ilegal.

Protagonisti kryesor, doktor Tiller, për shkak të punës së tij vritet dhe më pas ngjarja vazhdon me katër bashkëpunëtorë të tij të ngushtë që vazhdojnë të kryejnë aborte. Për autoren vrasja e tij është kontraverse dhe i bën njerëzit ta shohin ndryshe tërë fenomenin e abortit.  “Qëllimi është që aborti të shihet nga perspektiva njerëzore jo politike”, është shprehur ajo, duke treguar se në shumë vende ku është shfaqur ky film, publiku e ka pritur ngrohtë, pavarësisht pritjeve të autorëve për protesta apo dhunë.

“Ka pasur rast kur gjatë shfaqjes  kanë bërë roje 25 njerëz sepse kemi prit dhunë duke e ditur sesi trajtohet abortit në SHBA, por ka ndodhur e kundërta, publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë”, ka thënë ajo për filmin, për të cilin beson se i luhat mendimet e njerëzve që janë kundër abortit.

Wilson gjithashtu ka shtuar se një çështje si kjo nuk do duhej të ishte kaq politike, ngase është një vendim personal që i përket një njeriu ose një çifti. Çështjet e abortit në SHBA kanë një vëmendje të madhe publike dhe janë  pjesë e debateve politike. Ligje të ndryshme mbi abortin kanë ekzistuar që nga viti 1900, ndërsa aborti ka qenë i ndaluar në 30 shtete dhe legal në situata të caktuara si droga, dhuna dhe incesti në 20 shtete.

Në të njëjtën kohë, në Kinemanë mbi Lum të martën mbrëma është shfaqur “My child”, një dokumentar i regjisorit turk Can Candan. Nga një shoqëri homofobike, siç autori e ka cilësuar shoqërinë turke, ai ka sjellë rrëfimet e prindërve, fëmijët e të cilëve i përkasin grupit LGBT.

“Është një film për të gjithë ne, sepse ne të gjithë kemi prindër”, ka thënë Candan.  Autori thotë se ngrihen pyetjet “Çfarë do të kishit bërë nëse fëmija juaj nuk do të kishte orientim të drejtë seksual?” dhe “Çfarë ndodh në Turqi?”,  teksa ka treguar se në shoqërinë turke shumë nga këta prindër përpiqen ta fshehin orientimin seksual të fëmijëve të tyre.

Në shumë raste këta fëmijë dhunohen e madje edhe vriten nga pjesëtarë të familjes. Por për dallim nga kjo anë, filmi sjell edhe tregimet e prindërve që kanë pranuar fëmijët e tyre ashtu siç janë dhe luftojnë bashkë me ta për të drejtat e LGBT.  Pasi i ka parë në një konferencë për shtyp duke folur për të drejtat e tyre në një mënyrë të hapur e ndryshe nga herët tjera, regjisori ka treguar se nuk ka qenë vështirë të  punohet me këto personazhe për të realizuar dokumentarin. Ata kanë qenë shumë të hapur dhe bashkëpunues për të folur për lirinë e tyre.

“Ata janë një  grup hipi, të pa trembur për të treguar historitë e tyre”, ka thënë ai. “My child” ka përfunduar në shkurt të 2013 dhe për të është diskutuar edhe në Parlamentin turk. Autorët, sipas Candan, janë përpjekur që të mundësojnë shfaqjen e këtij dokumentari brenda Parlamentit por nuk ia kanë arritur.

Megjithatë, ai është shprehur i kënaqur  me vëmendjen që mediat turke i kanë dhënë këtij dokumentari.

Të dy autorët në konferencë i kanë cilësuar filmat e tyre kontravers, për shoqëritë nga ku ata vijnë, dhe kanë thënë se janë shumë kureshtarë të dinë se si publiku në Kosovë do t`i presë këta filma, duke qenë se këto probleme janë të pranishme edhe në Kosovë.
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.