Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Enjte, 25 Prill 2019

”DokuFesti” me rekorde të reja

E Hënë 17 Gusht 2015 21:53

Drejtuesit e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër "DokuFest" kanë vlerësuar se edicioni XIV i kësaj ngjarjeje kulturore ka qenë më i suksesshmi marrë parasysh rritjen e numrit të shikuesve në kinema dhe programin e begatshëm me filma.

Të hënën, pak orë pas përmbylljes të të gjitha aktiviteteve të festivalit, ata kanë prezantuar edhe statistikat preliminare të edicionit të sivjetmë, teksa kanë komentuar edhe lëvdatat e marra nga filmbërësit dhe njerëzit e spikatur të industrisë së filmave dokumentarë dhe atyre të shkurtër.

"Në këtë edicion kemi pasur rritje të numrit të shikuesve, me ç'rast janë regjistruar 14 mijë e 200 hyrje me bileta në kinema. Nëse kësaj i shtohen edhe hyrjet me ftesa, atëherë numri i vizitorëve në kinema del të jetë 15 mijë e 600. Po ashtu në ‘DokuNights’ ka pasur 13 mijë hyrje me bileta, dhe nëse kemi parasysh edhe hyrjet e mysafirëve del se kanë qenë diku 15 mijë veta në këto mbrëmje", ka thënë drejtori ekzekutiv i "DokuFestit", Eroll Bilibani.

Sipas tij, në bazë të të dhënave të grumbulluara figuron se këto dy aktivitete të festivalit janë vizituar nga rreth 30 mijë njerëz, shkruan sot Koha Ditore.
"Interesant është fakti se 48 për qind të vizitorëve sivjet kanë ardhur në festival për herë të parë, gjë që na jep shpresë që vitin e ardhshëm të kemi numër më të madh të vizitorëve. 24 për qind të tyre kanë qenë nga Prizreni, 40 për qind nga e gjithë Kosova, ku më së shumti ka pasur nga Prishtina e Gjilani.

Dhe 36 për qind janë shtetas të huaj, ku dominojnë Franca, Gjermania, Shqipëria, etj. Një tjetër statistikë është se 54 për qind të vizitorëve kanë qenë gra dhe 46 për qind burra", ka shtuar Bilibani, duke përkujtuar se të dhënat e detajuara do të prezantohen në javët në vijim.

Në anën tjetër drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, ka vlerësuar se në aspektin artistik ky ka qenë edicioni më i arritur, me filma të nivelit botëror, si në programet garuese ashtu edhe në ato speciale.

Në edicionin XIV të “DokuFestit” janë shfaqur gjithsej 238 filma në 7 kinema të ndryshme, përgjatë nëntë ditëve. Festivalin e ka hapur dokumentari “Those who feel the fire burning” i regjisorit Morgan Knibbe dhe është mbyllur me projektimin e filmit “Iris” të regjisorit të ndjerë Albert Maysles, në përkujtim të të cilit është shfaqur edhe një program me dedikim për të.

Në qendër të vëmendjes në këtë edicion ka qenë tema e migrimit, që është trajtuar në aspekte të ndryshme, si përmes filmit ashtu edhe debateve.

Mirëpo me gjithë këto të arritura mbështetja për festivalin nga institucionet vendore nuk është rritur në ndonjë masë të madhe krahasuar me vitet e kaluara.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.