E Mërkurë, 19 Qershor 2013

Temperaturat e larta shtojnë numrin e pacientëve

E Marte 07 Gusht 2012 14:30

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit kanë shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrën emergjente në Prishtinë.

Vetëm tri ditët e fundit, ndihmë emergjente kanë kërkuar 359 pacientë, thotë Basri Lenjani drejtor i qendrës emergjente.

Shërbimet internistike frekuentohen me numër më të madh dhe rastet më të shpeshta që kërkojnë ndihmë janë ata me probleme kardiake, me shtypje të lartë të gjakut, të sëmurët me sëmundje epileptike.

Doktor Basri Sejdiu, internist në Qendrën Klinikë Universitare, deklaron se vërehet një numër i shtuar i pacientëve me probleme kardiake.

“Vërehet një shtim i fluksit të pacientëve, edhe pse në repartin e kardiologjisë, numri i atyre që shtrihen është i vogël”, tha ai.

Por shkaktar i numrit të vogël të pacientëve në këtë klinikë janë kushtet e rënda aty, shkruan Evropa e Lirë.

Doktor Sejdiu pohon se për shkak të mungesës së klimatizimit dhe renovimit që ka filluar me vite në këtë klinikë, pacientët nuk mund të qëndrojnë të shtrirë për të marrë shërbime.

“Për shkak të kushteve jo të mira, pacientët e lëshojnë repartin. Shumë nga ta nuk qëndrojnë të shtrirë. Nëpër dhoma nuk ka klimatizim të duhur dhe klinika interne është në renovim, ndonëse renovimet që kanë filluar po zgjasin me vite”, tha Sejdiu.

Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, thotë se temperaturat që po mbizotërojnë në vend kanë arritur në 37 gradë celsius.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të nxehta, por kah fundi i javës do të ketë ulje të temperaturave deri në 10 gradë dhe do të kalojë kjo gjendje. Temperatura më e lartë që është shënuar këtë vit në vendin tone, ka arritur në 37 gradë. Matja bëhet nën hije”, thotë Tahirsylaj.

Doktor Lenjani nga qendra emergjente, jep disa këshilla për qytetarët për të tejkaluar telashet nga i nxehti.

“Përdorimi i ushqimit të bollshëm me karbohidrate, me pak yndyra, me vitamina, lëngje dhe ujë”, tha ai.

“Punëtorët që punojnë në ndërtimtari nga ora 11:00 deri në 17:00, kur temperaturat konsiderohen si ekstreme këto ditë dhe rrezet e diellit konsiderohen si të rrezikshme është mirë të reduktohen ose të ndërpriten fare, pasi që kemi kohët e fundit lëndime të cilat vijnë si pasojë e rrëzimit nga katet ku ata punojnë”, thotë Lenjani.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.