Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Enjte, 24 Tetor 2019

Pozita e gazetarëve në Kosovë vazhdimisht po degradohet

E Hënë 04 Maj 2015 08:14

Pas publikimit të raportit vjetor për “Lirinë e Shtypit”, nga organizata Freedom House, në të cilin Kosova ka rënë më poshtë krahasuar me dy vitet e kaluara, sot në Prishtinë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP) në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës, ka organizuar tryezën me temë “Liria e gazetarëve dhe pozita e tyre”. Njëherësh, me organizimin e tryezës së sotme, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është shënuar më herët, pasi që ajo festohet më 3 maj, raporton Anadolu Agency (AA).

Alessandra Roccasalvo, zëvendës përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së ka rikujtuar se, sipas raportit të fundit të Freedom House për lirinë e medieve, Kosova ka rënë nga pozita 98 në pozitën 100, nga gjithsejtë 199 shtete të botës që vlerësohen në këtë raport. Me këtë, liria e shtypit në Kosovë është cilësuar si “pjesërisht e lirë” mirëpo, ka shtuar se ky nuk është vetëm problem i Kosovës ngase trendi global është i tillë që, kudo në botë ka përkeqësim të lirisë së medieve.

Zekrija Shabani, Kryetar i Bordit të Asociacionit  të Gazetarëve të Kosovës, ka thënë se gazetarët kosovarë vazhdojnë të përballen me probleme të mëdha dhe kërcënime të llojllojshme, gjatë punës së tyre, qoftë jashtë shtëpive të medieve ku punojnë apo edhe përbrenda tyre.

“Ne e kemi shprehur shqetësimin tonë për gazetarët sepse ka nga ata që punojnë pa kontrata dhe paguhen jo dinjitetshëm për punën që e bëjmë” ka deklaruar Shabani dhe ka rrëfyer se, në konferencë ka gazetarë të pranishëm që janë fyer dhe kërcënuar, me qëllim që t’iu pengohet puna e lirë.

Pjesëmarrëse në këtë tryezë ishte edhe Arbana Xharra, kryeredaktore e gazetës “Zëri” dhe njëra ndër vetëm 10 gratë në botë të cilat u nderuan në Washington me çmimin prestigjioz ndërkombëtar për “Gra të Guximshme” nga Departamenti i Shtetit Amerikan për raportim dhe zbulim të korrupsionit, si dhe raportim mbi ekstremizmin fetar, me çka e ka nxitur qeverinë e Kosovës të përballet me këto probleme. Mirëpo, për punën e saj, Arbana ishte përballur me kërcënime me vdekje.

Me këtë rast, Xharra ritheksoi kërcënimet dhe presionet e vazhdueshme që i bëhen gazetarëve, qoftë nga politika, grupet e interesit apo edhe vet pronarët e medieve, ndërsa e quajti si fatkeqësi faktin që, në raportin e fundit vjetor të Freedom House, Kosova radhitet me ato vende që shpeshherë kosovarët i marrin si shembull për degradim të vazhdueshëm.

Duke folur për presionin e vazhdueshëm ndaj gazetarëve, Xharra tha se, fatkeqësisht ky trend është të bartur nga Shqipëria ku bizneset të cilat kanë krijuar monopol janë lidhur me pushtetin dhe së bashku, ato vazhdimisht e shtojnë presionin ndaj medies dhe vetë gazetarëve.

“Dhe në presionin e vazhdueshëm kemi censurën dhe vet censurën dhe normalisht që në presionin e jashtëm kemi disa raste që nuk u përmendën sot, që në krahasim me vitin e kaluar sivjet ka trend shumë më të rritur të kërcënimeve dhe presioneve që vijnë direkt tek gazetarët” tha Xharra e cila po ashtu foli për diskriminimin e gazetareve, duke përmendur rastin kur gazetareve iu është shkëputur kontrata e punës gjatë lehonisë, mirëpo ato nuk kanë pasur guxim të flasin hapur për këtë problem.

Ajo po ashtu kritikoi rëndë situatën dhe gjendjen e rëndë të krijuar në mediumin publik, Radio Televizionin e Kosovës, ku qoftë partitë politike të pozitës apo opozitës, kanë ndikim në strukturat udhëheqëse dhe ndikojnë në censurë dhe degradimin e mëtejmë të këtij servisi.

Budimir Niçiq, gazetar serb nga Kosova ka theksuar faktin se gjendja në mediet kosovare është e keqe dhe këtë e bazon në rezultatet e hulumtimit të fundit të UNDP-së, lidhur me besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës në medie, ku thuhet se vetëm 35,5% e tyre i besojnë mediumeve.

Ai beson se gazetarët duhet të luftojnë për lirinë e medieve vetëm duke punuar drejtë dhe pa frikë por, edhe duke treguar solidaritet njëri me tjetrin, gjëra këto të cilat sipas tij po mungojnë.

“Ajo që është karakteristike tek ne është fakti se ende ka ndarje të thellë ndërmjet të medieve serbe, shqipe dhe medieve tjera, sepse është më se evident mos interesimi i mediumeve shqiptare për atë se çka po ndodh në vendbanimet serbe dhe anasjelltas” ka thënë Niçiq dhe ka shtuar se vëmendjen e tërheqin vetëm incidentet dhe gjërat e këqija.

Në fund, Shoqata e gazetarëve të Kosovës ka paralajmëruar se pas përfundimit të kësaj tryeze, do të dal me rekomandime të përbashkëta për përmirësimin e pozitës së gazetarëve të Kosovës.
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.