Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Marte, 25 Qershor 2019

Gjeneva II dhe konflikti sirian- Faik Miftari

E Enjte 19 Shkurt 2014 08:32

Gjeneva II dhe konflikti sirian

    Para ca ditësh përfundoi edhe rundi i dytë bisedimeve që u mbajt në Gjenevë të Zvicrës për gjetjen e një zgjidhejeje politike të konfliktit sirian.   Edhe rundi i dytë përfundoi pa sukses sikurse i pari, ku pas përfundimit të bisedimeve ndërmjetësuesi algjerian, veterani negociues z. Brahimi mbajti një konferencë për shtyp me ku theksoi se “nuk pati sukses edhe rundi i dytë, dhe se do të vazhdojnë bisedimet por pa konfirmuar datën e saj, pasi që të dyja palët negocuese sikurse qeveria siriane ashtu edhe koalicioni opozitar nuk u pajtuan dhe mbetën në pozicionet e veta”.
    Se si do të vazhdojë dialogu dhe kur do të rinisin bisedimet, varet prej shumë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, por mbi të gjithë, prej dy akterëve kryesor në dramën siriane, SHBA-ve dhe Rusisë, edhe pse të dyjat, pas shtatorit të vitit 2013, kur u evitua sulmi i pritur amerikan pas trusnisë ruse, dhe kompromisit të arritur  për eliminimin dhe shkatërrimin e armëve kimike, u pajtuan për zgjidhjen e konfliktit sirian me mjete politike. Por edhe këtu pozicionet e tyre janë diametralisht të kundërta lidhur me zgjidhjen politike të konfliktit sirian. Rusia dëshiron të arrihet një zgjidhje diplomatike dhe të ndërprehet konflikti, duke lënë që  populli sirian të vendos vet për fatin e mëtutjeshëm të Bashar el Asadit, të cilën njëjtën gjë  dëshiron edhe SHBA-ja, por për dallim nga Rusia insiston që të ndërrohet regjimi i tanishëm dhe të largohet diktatori sirian Bashar el Asadi.
    Kthesë vendimtare në ndërrimin e kursit sirian ishte shtatori i vitit 2013, pas përdorimit të armëve kimike, për të cilin të dyja palët akuzonin njëra tjetra për përdorimin e tyre, sikurse qeveria siriane ashtu edhe koalicioni opozitar, pas së cilës SHBA-ja pregaditej për të sulmuar Sirinë, por ishte Britania e Madhe e para që nuhati gjendjen e vështirë në të cilin mund të katandiset bota, dhe pas votimit në Parlament u zbraps, pas së cilës vepruan edhe shtetet tjera aleate. Situata kritike arriti kulminacionin e vet kur u shkrepën dy raketa testuese ballistike në Detin Mesdhe nga amerikanët,  të cilët i shkatërruan rusët, pas së cilës, SHBA-ja dhe Obama u tërhoqën dhe i dhanë rast  marrëveshjes politike, e cila edhe u arrit pas disa ditësh bisedime në Gjenevë në mes Kerrit dhe Lavrovit, lidhur me asgjësimin e armëve kimike të regjimit sirian të Bashar Asadit. Para kësaj ngjarjeje ishin  emisarët e dërguar me porositë e tyre në Moskë dhe Teheran, të dy aleatë mbështetës të regjimit të Bashar el Asadit. Sipas burimeve të asaj kohe, të AFP dhe RT, emisari saudit Bandar bin Sulltan (ish ambasador i Arabisë Saudite në SHBA), ka takuar kryetarin rus Putin me ç’rast i ka ofruar 15 miliard dollar në kundërvlerë për të blerë armatim rus, si dhe të vazhdojë të mbajë bazën detare të Tartusit në bregdetin sirian të Mesdheut, me të vetmin kërkesë që të heq dorë nga mbështeja  që i jep regjimit sirian të Bashar al Asadit”. Këtë kategorikisht e kishte refuzuar Putini me fjalët” se ne nuk i braktisim aleatët tanë për para”. Pas kësaj edhe mbreti i Omanit Sulltan Kabusi ishte në vizitë Teheranit ku takoi kryetarin Ruhanin duke kërkuar që “regjimi iranian të heq dorë nga nga mbështetja e regjimit sirian të Bashar al Asadit, në kundër vlerë të së cilës do të hiqen sanksionet 10 vjeçare vënë Iranit”. Por edhe këtu mori përgjegje negative nga Irani, pas së cilës ranë në ujë negociatat diplomatike për largimin e Bashar al Asadit
    Në prapavi të konfliktit sirian janë të gërshtetuara katër elemente prapa të cilëve fshihet qëllimi i vërtetë i luftës në të cilët janë të përshira dy palë diametralisht të kundërta me interesat e tyre skajshmërisht të veçanta.
Në njerën anë blloku që udhëhiqet nga SHBA-ja me aleatët e vet perëndimor  Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia etj. e përkrahur dhe e mbështetur edhe nga fuqitë rajonale të Lindjes së Afërt sikurse Turqia, Arabia Saudite, Katari, Jordania, Izraeli, etj.të cilët janë të angazhuar për  rrëximin e regjimit sirian të Bashar al Asadit. Ndërsa  në anën tjetër është blloku që udhëhiqet nga Rusia, Kina, India, Iraku, Libani etj.të cilët e mbështesin regjimin sirian të Bashar al Asadit.
Elementi i parë është politik(global), SHBA-ja me aleatët e saj, janë duke u përpjekur që me çdo kusht që të rrëxojnë regjimin e Bashar Asadit dhe të largojnë ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Iranit, duke instaluar një qeveri e cila do të jetë nën kontrollin e tyre, ndaj të cilit është duke  rezistuar Rusia me aleatët e saj për të mos humbur ndikimin dhe kontrollin politik që ka mbi regjimin e Bashar Asadit, si dhe të ruaj bazën e vetme mesdhetare që ka, atë të Tartusit në Siri.
          Elementi i dytë është i sigurisë(strategjik), SHBA-ja me aleatët e saj janë duke u përpjekur të ndërprejnë boshtin e rezistencës propalestineze në Gazë,  që paraqet rrezik të vazhdueshëm për sigurinë  e Izraelit,  Siria paraqet urën lidhëse ndërmjet Iranit dhe Hizbullahut drejt Gazës. Rezultatet e para të kësaj janë arritur pasi që armët kimike të Sirisë janë në shkatërrim të sipër, me të cilin Siria ka mbajt një balanc ndaj armatimit nuklear të Izraelit, si dhe para ca kohësh” Izraeli pas gati plot 40 vitesh e ka larguar divizionit e vet ushtarak të stacionuar në rrafshnaltën e Golanit, duke lënë formacione të vogla ushtarake për kontrollin dhe vëzhgimin e kufirit”, pasi që tani Siria nuk paraqet rrezik për sigurinë e Izraelit, pas luftës së brendshme shkatërrimtare që akoma është duke vazhduar brenda Sirisë.
          Elementi i tretë është ekonomik(energjetik), dhe sipas mendimit tim ndoshta edhe krucial, pasi që janë gërshetuar interesat e korporatave të fuqishme energjetike të cilët janë duke luftuar për shtrirjen dhe zgjerimin e kapaciteteve energjetike drejt Europës. Në njërën anë kemi korporatat   të cilët dëshirojnë  të ndërtojnë gasësjellësin prej Katarit ( në të cilin janë gjetur  rezervat e shumta të gasit nëntokësor) në drejtim të Arabisë Saudite, Jordanit dhe nëpërmjet Sirisë për të dal në brigjet e Detit Mesdhe për të vazhduar më tej furnizimin e Evropës Perëndimore me gas, me të cilin do të ulet dhe zbutet  varshmëria e saj me gas  nga Rusia. Në anën tjetër janë korporatat tjera rivale që dëshirojnë të ndërtojnë gasësjellësin prej Iranit(pasi që në kohën  e fundit janë gjetur rezerva të mëdha të gasit nëntokësor, krahas naftës që e posedon), nëpërmjet Irakut e drejt brigjeve të Sirisë në detin Mesdhe për të vazhduar drejt furnizmit me gas të shteteve të Evropës. Këtu duhet të përmendim edhe sasitë e gasit nënujor të cilët gjenden në pjesën lindore të Detit Mesdhe, e cila përshin pjesën e bregdetit mesdhetar të Gazës, Izraelit, Libanit, Sirisë, si dhe Qipros, për këtë arsye Siria veç i ka lejuar korporatat ruse që të hulumtojnë gasin në bregdetin e vet mesdhetar.
Do të shtoja këtu edhe hulumtimet e kryera nga organizata ndërkombëtare britaneze Oxfam, e cila në raportin e vet të publikuar me emrin” Për të punuar për disa”ka prezantuar të dhëna marramendëse, të cilat flasin qart:
“85 njerëz më të pasur posedojnë pasuri sa 3,5 miliard njerëz në botë, që do të thotë se 85 njerëz kanë sa gjysma e popullatës njerëzore në planetin tonë”.
    Elementi i katërt është sektar(fetar), për të cilin janë thirrur vullnetarët nga të gjitha anët e botës, kryesisht islame,  pasi që Bashar al Asasi i takon pakicës alevite në Siri, duhet luftuar kundër tij, duke e llogaritur si luftë e
“shenjtë” në të cilin thirje edhe janë përgjigjur me dhjetëra mijëra luftëtar nga të gjitha anët e botës, dhe se pas luftës civile në Spanjë 1936-1938, është një luftë civile me pjesëmarrjen më të madhe të luftëtarëve nga nbarë bota, në të cilin gjer tani llogaritet se kanë marrë pjesë mbi 100.000 luftëtarë  nga 83 shtete të botës, të cilën gjë e konfirmoi edhe para ca ditësh në raportin e vet të prezentuar Shtëpisë së Bardhë shefi i shërbimeve  Clapper në të cilin shkruan:”se janë duke luftuar në krahun opozitar 115.000 luftëtar nga të cilët 4/3 e numrit të gjithëmbarshëm janë luftëtarë të jashtëm nga mbarë bota”.
    Konflikti sirian do të përfundojë në atë moment, kur  prap do të takohen sy më sy kryetari amerikan Obama dhe kryetari rus Putin dhe do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët,  një kompromis  të arritur, se a do të jetë ky kompromis largimi i Bashar al Asadit para zgjedhjeve ose pas zgjedhjeve të lira  që do të mbahen pas përfundimit të konfliktit, në të cilin populli sirian do të vendos vet për fatin e ardhshëm të Bashar al Asadit,  ditët dhe muajt në vijim do të tregojnë.
           18.02.2014                                                  Faik MIFTARI

   
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.