Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Shtunë, 17 Gusht 2019

Bota Islame në katandisje - Faik Miftari

E Enjte 23 Dhjetor 2014 21:52

Bota Islame në katandisje

    Pas luftës së  Dytë Botërore, me krijimin e dy blloqeve, atij perëndimor dhe atij lindor, periudha e njohur si Luftë e Ftohtë, Bota Islame gjatë periudhës së saj ishte në një gjendje më të qetë, në një periudhë kohore gjatë së cilës, pas çlirimit nga kolonializmi, filloi një rimëkëmbje e saj në të gjitha fushat. Gjatë kësaj periudhe Bota Islame ishte karakterizuar me forcimin e ndjenjave kombëtare, dhe se ishin të karakterizuara kryesisht me sisteme  monarkike dhe diktatoriale, por gjatë së cilës ishte ruajtur një qetësi e brendshme dhe një harmoni sado kudo pa luftë dhe konflikte. Gjatë kësaj kohe kemi pas vetëm luftërat arabo-izraelite, pas krijimit të Izraelit, dhe atë në vitin 1948, 1967, 1973, 1982. Por, kjo epokë zgjati shumë shkurtë, afro 30 vite, pas së cilës nisën zhvillimet apo ndërrimet e mëdha në Botën Islame, të përfshira me luftëra të shumta ndërveti, apo nga agresionet e jashtme apo konflikte të brendshme, e që kulminacioni i saj arriti me fillim të shekullit XXI e që janë duke vazhduar edhe në ditët e sotme. Pikënisja e luftërave në Botën Islame filloi në vitin 1979 me rastin e pushtimit të Afganistanit nga ish Bashkimi Sovjetik, tani Federata Ruse, si dhe pas ngadhënjimit të Revolucionit Islamik në Iran i cili përmbysi dinastinë qindra vjeçare të shahëve iranian, që  u zëvendësua me regjimin e mullahëve në krye me Imam Homeinin. Fill pas kësaj, në vitin 1980 nën shtytjen e faktorëve të jashtëm, Iraku e sulmoi Iranin në vitin 1980, gjatë së cilës u zhvillua një luftë 8 vjeçare në mes tyre, e cila përfundoi në vitin 1988 pa fitues, në të cilin luftë u vranë me qindra mijëra dhe u plagosën dhe u përndjekën  me miliona të tjerë. Edhe pse i dobësuar, i sapo dalë nga revolucionit, Irani arriti të rezistojë dhe të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e tij territorial. Edhe pas luftës dhe rezistencës 10 vjeçare të pandërprerë në vitin 1989 pasoi tërheqja e ish Bashkimit Sovjetik nga Afganistani. Pas rrënimit të murit të Berlinit në vitin 1989, pas së cilës pasoi edhe kolapsi i bllokut lindor, pasuan luftëra apo konflikte të brendshme, varësisht nga trajtimi sipas drejtës ndërkombëtare, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX, sikurse ajo në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Azerbajxhan, Çeçeni, Kuvajt, Irak, Liban, Algjeri, Somali e kështu me radhë.

Kulminacioni i vazhdimit të kësaj gjendjeje të katandisur në të cilin gjendet Bota Islame, ishte periudha pas 11 shtatorit 2001, pas së cilës pasoi periudha më e përgjakshme në Botën Islame e cila është duke vazhduar edhe më tutje edhe në ditët nëpër të cilin jetojmë. Menjëherë pas kësaj SHBA-të e sulmuan dhe e okupuan Afganistanin, e cila luftë akoma është duke vazhduar. Menjëherë pas kësaj pasoi edhe sulmi i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe mbi Irakun në vitin 2003, e cila luftë tani eskaloi me shpalljen e të ashtuquajtur “Shtet Islam” në krye me “kalifin” e vetëshpallur Ebu Bekr al Bagdadi. Është indikative se Afganistani dhe Iraku gjenden në luftë, qoftë  nga agresioni i jashtëm apo konflikte aktuale të brendshme plotë 35 vite pa ndërprerë. Gjatë kësaj kohe kemi edhe luftën në Liban në vitin 2006, në të cilin Izraeli sulmoi jugun e Libanit dhe Hizbullahun, ku pas 33 ditëve, sa zgjati lufta , Izraeli u tërhoqë tërësisht nga Libani. Gjatë kësaj periudhe Izraeli e sulmoi edhe tri herë Gazën e rrethuar , në vitin 2008, në të cilin zhvilloi një luftë 22 ditore, në vitin 2012 një luftë 8 ditore, dhe në verën e sivjetme të vitit 2014 një luftë 50 ditore, ku pati kryer sulme shkatërruese mbi Gazën, por njëkohësisht u ndesh edhe me rezistencën e paparë gjer tani nga Hamasi dhe Xhihadi Islamik.

    Nisja e ashtuquajturës “Pranvera Arabe” e cila u prit me të madhe në Botën Arabe, duke shpresuar se më në fund edhe tek arabët do të nisin proceset demokratike në të cilin do të bëhet ndërrimi i kryetarëve me mandate shumëvjeçare dhe me  drejtë të panumërt zgjedhjeje, pas një kohe të shkurtër solli zhgënjim , në të cilin në ato shtete në të cilin u zhvilluan revolucionet, tani kemi vetëm luftë, dhunë, kaos, vrasje, përndjekje, shpërngulje, me një fjalë terror dhe ankth.  Në Tunizi, shtet i parë i cili u përshi nga valët demokratike, ku për momentin kemi një situatë të brishtë politike, në të cilin në saje sado kudo të pjekurisë politike të Nahdës, e cila për momentin u tërhoq në opozitë dhe nuk ka në një situatë të ndjerë sikurse në shtete tjera. Libia, pothuajse, sot nuk ekziston si  shtet, në të cilin  grupacione të ndryshme për çdo ditë luftojnë mes vete dhe kontrollojnë zona të caktuara , por gjendja është  kaotike. Libiasit tani e përkujtojnë kohën e kolonel Gadafit të përmbysur dhe të vrarë. Egjipti është shembull ekuivalent i demokracisë së rrënuar, pasi që aty pas fitores së kryetarit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhammed Mursi, u përmbys nga grushtet i kryer ushtarak nga gjenerali Al-Sisi, tani kryetar. Në Siri është duke vazhduar lufta gati katërvjeçare, por pa sukses të dukshëm, pasi që nuk ka shenja se do të mund të rrëzohet nga pushteti Bashar al-Assadi. Situata e brishtë dhe me tensione mbizotëron edhe në Bahrejn, Liban, Jemen, Somali, Pakistan, e të mos flasim për Irakun e Afganistanin.

    Dy janë faktorët kryesor, faktori i jashtëm dhe faktori i brendshëm, për situatën e tanishme në katandisje të Botës Islame. I pari, faktori i jashtëm pasi që Bota Islame në përgjithësi, e Lindja e Mesme në veçanti, për shkak të pasurive që ka, nëntokësore, naftës dhe gazit,është në përplasje, për ruajtjen dhe zgjerimin e influencës së tyre në shtetet arabe, në një anë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, dhe në anën tjetër, të Rusisë dhe Kinës, të cilat vazhdimisht po angazhohen në zgjerimin e ndikimit të tyre në shtetet e Botës Islame,  kryesisht ato të pasura me naftë dhe gaz. I dyti, është faktori i brendshëm, i cili sipas mendimit tim jo pak i rëndësishëm, i garës pikë së pari të Arabisë Saudite në njërën anë dhe të Iranit në anën tjetër. E kjo garë daton që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, kur në pushtet në Iran ishte shahu Reza Pahllavi. Edhe në atë kohë, në mes Arabisë Saudite dhe Iranit ishte i pranishëm rivaliteti në mes tyre. Irani pasi nisi të prodhojë sasi më të madhe të naftës, filloi të forcohet dhe të zgjerojë ndikimin e tij në rajon, për të parandaluar këtë, Arabia Saudite filloi të prodhojë sasi enorme naftës, me të cilin tregu u ngulfat, pas së cilës pasoi rënia drastike e çmimit të naftës, pas së cilës ekonomia dhe industria iraniane pësoi kolaps të vërtet, sa që në vitin 1977 në një bisedë private me ministrin e tij,  Asadullah, shahu Reza Pahllavi i tha:”  Bankrotuam, kemi shpenzuar çdo cent ashtu që në përfundim të saj Arabia Saudite na dha  shah-mat”. Arabia Saudite e pasur me sasi të madhe të naftës , me çdo kusht po përpiqet, jo vetëm të ruaj dinastinë e saj mbretërore, por edhe doktrinën vehabite, një interpretim konservativ, rigjid të Islamit, jashtë logjikës, që mund ta pranoi si të tillë një musliman në shek. XXI, në fazën e zhvillimeve të hovshme të teknologjisë, në veçanti të telekomunikimit dhe  internetit, në të cilin bota u shndërrua në një fshat të madh,  ku për  një kohë më të shkurtër një lajm përcillet me një shpejtësi marramendëse në tërë globin. Arabia Saudite nëpërmjet burimeve të mëdha të naftës që  disponon, po përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj anekënd Botës Islame, bile nëpërmjet doktrinës vehabite kryen edhe ndarjen sektare në mes sunnitëve dhe shi’itëve, në rivalitetin e saj përball Iranit i cili edhe përkundër sanksioneve dhjetëvjeçare, po arrin të zgjerojë ndikimin e tij,  kryesisht në botën shiite islame, në saje të zhvillimit të tij, e sidomos në fushën shkencore dhe ushtarake, sa që ka arrit tani,  sipas vlerësimeve të ekspertëve ushtarak,
” Irani llogaritet i katërti në botë, pas SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, në zhvillimin  e raketave me rreze të gjata veprimi, sa që për momentin e ka zhvilluar teknologjinë e lansimit të raketave me rreze veprimi të gjata  gjer në 3 mijë kilometra, për të balancuar forcën e vet ushtarake në krahasim me forcat ajrore dhe detare në të cilat është në disavantazh”. Madje thuhet, që shkaku i vërtetë i mos arritjes së suksesit  në bisedime për programin  e tij nuklear qëndron këtu, pasi që Irani është pajtuar që të tërhiqet nga armatimi nuklear, por nuk pranon të tërhiqet nga posedimi dhe përsosshmëria e mëtejmë e sistemit raketor të tij. Edhe në aspektin doktrinar shiit të tij, Irani ka arrit të zgjerojë ndikimin dhe influencën e tij mbi shi’itët anekënd Botës Islame, e sidomos në Irak, Siri, Liban, Jemen, Bahrein, Arabinë Saudite, dhe se absolutisht mund të thuhet se fjala e fundit e udhëheqësit shpirtëror iranian imam Hamenei është amin për të gjithë muslimanët shi’itë në botë, për dallim nga bota sunite e cila akoma nuk po mund të pajtohet për  një udhëheqës shpirtëror të tillë, pikësëpari edhe  për shkak të ndikimit dhe influencës së madhe që ka Arabia Saudite me interpretimin e saj rigjid të Islamit të bazuar në doktrinën vehabite.

    Tani,  40 vite pas, Arabia Saudite po duket se të njëjtën strategji të cilën e ka aplikuar në ballafaqim me Iranin e shahut Reza Pahlavi, po e përdor prapë, duke e rritur prodhimtarin e naftës, dhe si shkak i saj, kemi rënien e çmimit të naftës nga 120 dollar në 60 dollar, pikësëpari për ta rrëzuar në gjunjë Iranin, për shkak të qëndrimit të tij në mbrojtje të regjimit të Bashar al-Assadit, të Hizbullahut në Liban, si dhe të Hamasit në Gazë, sa që tani edhe publikisht Arabia Saudite i ka bërë thirrje liderëve të Hamasit, që po qe se donë që të hjekin bllokadën e Gazës, duhet të ndërprenë të gjitha lidhjet që i kanë me Iranin, pasi që Irani është i vetmi për momentin që qëndron prapa palestinezëve në aspektin e furnizimit dhe rezistencës ushtarake përball Izraelit. Por nga ky veprim strategjik i Riadit, nuk është vetëm Irani që po pëson goditje të mëdha, por efektet po e ndien me të madhe edhe tek Rusia, Venezuela, Norvegjia e prodhuesit tjerë të naftës.

     Jemi në fund të vitit 2014, në të cilin Bota Islame është në katandisje, në të cilin shohim vetëm, vrasje, tmerre,  vetëflijime,  plagosje, përndjekje, shpërngulje, kolona milionëshe refugjatësh, të pastrehë, rrënoja, gërmadha, shkatërrime, zhdukje, torturime, krime, masakrime, likuidime....., vetëm një Zot e di gjer kurrë do të zgjat kështu!

      22.12.2014                                                              Faik MIFTARI


 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.