Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Marte, 23 Prill 2019

Sfidat e mbijetesës së ndërmarrjeve në Kosovë-Mr.Yücel Spahi

E Enjte 26 Janar 2015 11:41


Ndërmarrjet në esencë kanë ngjashmëri me organizmat e gjallë, të cilët lindin, zhvillohen

dhe vdesin. Po ashtu edhe ndërmarrjet i nënshtrohen këtij procesi, pra themelohen, pastaj

një pjesë e tyre rriten (zhvillohen), por asnjë nga ato nuk mund të mbetet përgjithmonë. Po

ashtu nëse hulumtohet historia e perandorive, mund të shohim se edhe perandoritë më të

fuqishme kanë shijuar dështimin, pra çdo organizim shoqëror ose afarist ka një fund.

Lidhur me këtë hulumtuesit kanë zhvilluar një sërë teorish organizative me qëllim të

zgjatjes së jetës së organizatave (ndërmarrjeve).

Në dekadat e fundit, veçanërisht me rritjen e konkurrencës, mbijetesa e ndërmarrjeve

është vështirësuar edhe më shumë. Edhe ndërmarrjet e vendit tonë përballen me sfidën e

mbijetesës (mbylljes), madje kjo dukuri është e theksuar edhe më shumë në vendin tonë,

sepse mbyllja e ndërmarrjeve në Kosovë është me një normë shumë më të lartë krahasuar

me ndërmarrjet e vendeve të zhvilluara dhe vendeve të rajonit. Çdo ditë e më shumë jemi

dëshmitarë të mbylljes së ndërmarrjeve në Kosovë. Sipas raportit të BQK-së, në tremujorin

e parë të këtij viti në Republikën e Kosovës u mbyllën 436 ndërmarrje apo 29 ndërmarrje

më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ky raport pasqyron gjendjen dhe

performancën e ulët të ndërmarrjeve në Kosovë. Nuk ka dyshim që mbyllja e ndërmarrjeve

ka pasoja të shumta për ekonominë e vendit dhe duhet të kërkohen zgjidhje për uljen e

shkallës së mbylljeve, pasi mbyllja si dukuri nuk mund të evitohet në tërësi. Por, para se të

gjenden zgjidhjet duhet të fokusohemi në diagnostifikimin e problemit, përkatësisht

faktorët që kanë ndikuar që të ketë kaq mbyllje në Republikën e Kosovës.

Në të shumtën e rasteve pronarët e ndërmarrjeve fajin e kërkojnë tek institucionet publike

duke i akuzuar ata për politika të gabuara ekonomike, tatime të larta, etj. Nuk ka dyshim që

në mbylljen dhe performancën e ulët të ndërmarrjeve kanë rol edhe politikat e gabuara të

institucioneve publike, po ashtu edhe mjedisi i biznesit në Kosovë nuk është në favor të

ndërmarrjeve, duke përfshirë konkurrencën jo lojale, nivelin e lartë të korrupsionit dhe një

sërë faktorësh tjerë. Së këndejmi, fajin duhet të kërkohet edhe tek pronarët e

ndërmarrjeve, të cilët ndërmarrjet e tyre nuk i udhëheqin me parimet e reja të menaxhimit,

madje këta janë shumë larg realitetit të ndryshimeve në mjedisin biznesor.

Me rritjen e ndikimit të globalizimit dhe zhvillimit të teknologjisë, ndërmarrjet e vendeve të

zhvilluara kanë filluar të përvetësojnë modele të reja të menaxhimit me qëllim të rritjes së

produktivitetit dhe ruajtjes së pjesës së tregut. Sepse rritja e produktivitetit ndikon në

rritjen e performancës së përgjithshme të ndërmarrjes dhe si rrjedhojë do të evitojë

rreziqet e mundshme të mbylljes së ndërmarrjes. Me një fjalë, mund të themi se këto

ndërmarrje (me menaxher profesionist) janë të hapur ndaj ndryshimeve, të cilat kanë

struktura të thjeshta (fleksibile) të organizimit që lehtë mund të adaptohen me ndryshimet

e mjedisit të biznesit. 

Ndërsa gjendja e ndërmarrjeve në Kosovë ndryshon me ato të vendeve të zhvilluara.

Fatkeqësisht pjesa dërmuese e ndërmarrjeve në Kosovë, në përjashtim të disa

ndërmarrjeve, menaxhohen nga vetë pronarët  e ndërmarrjeve, sepse pjesa më e madhe e

ndërmarrjeve në Kosovë janë ndërmarrje familjare. Menaxhimi i ndërmarrjeve nga

pronarët mund të justifikohet për ato ndërmarrje që përbëhen prej një stafi deri në 8-9

persona, që futen në kategorinë e mikro ndërmarrjeve, por ndërmarrjet e vogla dhe të

mesme (NVM) ose ato të mëdha që kanë më shumë se 10 punonjës duhet që disa nga

kompetencat t’ua delegojnë njerëzve (menaxherëve) profesionistë.

Delegimi i kompetencave ose ndryshe “teoria e agjencisë” është njëri ndër faktorët kryesorë

të evitimit të rrezikut të mbylljes së ndërmarrjeve. Sepse delegimi i detyrës (dhënia e

kompetencës për menaxhim) tek një menaxher profesionist do të thotë ndryshim i qasjes

së menaxhimit. Ngase menaxherët profesionistë me përvojë do të sjellin një frymë të re

duke zbatuar praktika të reja, të cilat do ndikojnë në rritjen e performancës, përkatësisht

rritjen e produktivitetit dhe uljen e rreziqeve, duke ndikuar paralelisht edhe në zgjatjen e

jetës së ndërmarrjes. Natyrisht janë edhe shumë faktorë të tjerë të cilat ndikojnë në rritjen

e jetës së ndërmarrjes, të cilat nuk do të mund t’i përmendim këtu, por delegimi i

kompetencave është e para që duhet të vihet në praktikë nga ndërmarrësit ose pronarët e

ndërmarrjeve në Kosovë. Delegimi i kompetencave nënkupton dhënien e së drejtës për çdo

vendim që përcakton fatin e ndërmarrjes. Pra liria e plotë në vendimmarrje (në përjashtim

vendimeve shumë të rëndësishme), ndërmarrjen do të sjellë në një gjendje shumë më të

mirë.

Përgjithësisht, pronarët e ndërmarrjeve të vendit tonë duhet t’i delegojnë kompetencat për

të administruar (menaxhuar) ndërmarrjen duke mos bërë ndërhyrje në çdo vendim të tyre,

sepse ndërhyrjet e shpeshta do të ndikojnë në rritjen e pakënaqësisë dhe do të bëhen

pengesë e kryerjes së punëve të menaxherëve. Personalisht kisha rast të dëgjoj nga një

menaxher i marketingut, i cili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij në ndërmarrjen ku

kishte punuar për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta në vendimet e menaxherit nga anëtarët

e familjarëve të një ndërmarrjeje në Kosovë.

Pra, delegimi i kompetencave do të mundësojë që ndërmarrja të ristrukturohet me një

strukturë që përshtatet me nevojat e mjedisit dhe nevojat e sektorit në të cilën gjendet

ndërmarrja. Udhëheqja e punëve të caktuara nga persona të kualifikuar dhe profesionistë

për pozitën e menaxherit, përfshirë këtu edhe përzgjedhjen e menaxherëve të tjerë të

niveleve të tjera, hartimin e strategjive, përcaktimin e planeve të marketingut, do të sjellin

efektivitet në veprimtarinë e ndërmarrjes dhe do të shërbenin si një mburojë kundrejt

rrezikut të mbylljes a falimentimit.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.