Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Premte, 22 Nëntor 2019

Zajednica Sërpska në Kosovë sikurse Republika Sërpska në Bosnjë- Faik MIFTARI

E Enjte 28 Gusht 2015 15:01


Në bisedimet e zhvilluara me 25 gusht të vitit 2015 në Bruksel, pala kosovare dhe pala serbe palët janë marrë vesh përveç marrëveshjes për telekomunikacion, energjetikë, lëvizjen e lirë në urrën e bllokuar në Mitrovicë, edhe  për krijimin e Zajednicës (Bashkësisë) së komunave serbe të Kosovës, me ç’rast pala kosovare është treguar “ zemërgjerë” duke pranuar që serbët të formojnë bashkësinë e komunave serbe në Kosovë e cila do të  përfshijë jo vetëm katër komunat matanë Ibrit (Mitrovica Veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi), por edhe  6 komunat tjera serbe në brendi të Kosovës (Graqanica, Novo Bërdoja, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu dhe Shtërpca).
        
Edhe pse dihet që nga viti 1999, në veri të Kosovës, Kosova nuk e ushtron sovranitetin dhe ajo pjesë nuk është nën kontroll të Prishtinës,  edhe sot e kësaj dite akoma në mënyrë të tërthortë e udhëheqin strukturat  serbe nën kontroll të Beogradit, duke marrë parasysh politikën e faktorëve kyç perëndimor botëror, të Washingtonit dhe Brukselit, politikë e cila e merr parasysh gjendjen faktike  në terren, e që njihet në botë me termin real politika, ka qenë e pritshme që kjo pjesë e veriut të Kosovës do të ketë një  qasje tjetër të zgjidhjes politike , por të pranosh që edhe 6 komunat tjera serbe në brendi të Kosovës, të cilët në njërën apo tjetrën mënyrë kanë qenë të përfshirë në sistemin politik  të Kosovës, të pajtohesh të hyjnë në bashkësinë e komunave serbe është vetëvrasje politike shtetërore e delegacionit kosovar në krye me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe ministrin e punëve te jashtme Hashim Thaqi e cila do të shpie Kosovën në një rrugë pa fund.
               
Pas kësaj, opinioni publik i Kosovës , duhet të ketë të qartë dhe të dijë se çfarë e pret Kosovën në të  ardhmen e saj të afërt. Kjo bashkësi e komunave serbe(Zajednicë) e cila do të formohet pas katër muajsh, pasi që do të hyjë në fuqi Statuti i cili do të përpilohet gjatë katër muajsh dhe do të miratohet nga Kuvendi i Zajednicës (Bashkësisë) së komunave serbe të Kosovës,  vetëm 3 kilometra në dalje të Prishtinë, në hyrje të Graqanicës  do të na pret  tabela me mbishkrimin, stemën dhe flamurin: “ Dobro došli, Mirëserdhët, Wellcome, në  Zajednica Sërpska e Kosovës ( Bashkësia Sërpska e Kosovës)” e cila de jure do të jetë në Kosovë e de fakto do të jetë Serbia e zgjeruar në brendi të Kosovës, gjer në periferi të kryeqendrës së saj, Prishtinën. Edhe nëse delegacioni  kosovar në bisedime në krye me kryeministrin  Isa   Mustafa dhe ministrin e punëve të jashtme Hashim Thaqi  ishin  nënshtruar presionit politik  ndërkombëtar nga Washingtoni dhe Brukseli  për t’u pajtuar me një marrëveshje të diktuar të tillë, dhe për të arritur një marrëveshje në dëm të Kosovës, edhe më tragjike është se organi më i lartë në Kosovë, Kuvendi i Kosovës i cili do të duhej të thotë fjalën e fundit për pranim apo refuzim të një marrëveshje të tillë të arritur ,  nga negociatorja e Kosovës në bisedime në Bruksel, Edita Tahiri, u paralajmërua se” nuk është e nevojshme që Kuvendi i Kosovës që të miratojë, apo të refuzojë”. Non sens i llojit politik që në Kosovë vetëm mund të ndodh!!!

Në rast se ky është çmimi që duhet Kosova të paguaj për shtetësinë dhe pavarësinë e fituar të saj,  por akoma të papërfunduar në aspektin e drejtës ndërkombëtare, pasi që nuk është  pranuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe nga Bashkimi Evropian, e aranzhuar dhe programuar sipas  faktorit politik vendimmarrës botëror, me të vërtet kjo kosto është shumë e lartë dhe e papërballueshme, edhe për shtete më të avancuara e lere më për Kosovën, dhe se  edhe pas kësaj marrëveshjeje të arritur Kosova prapë nuk do të njihet nga Serbia, prapë nuk do të jetë as anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, as anëtare e Bashkimit Evropian, por që Kosovën kjo marrëveshje  e arritur do ta shndërron në një shtet edhe më të paqëndrueshëm, të brishtë, të ndarë brenda saj, jofunksional, të bllokuar në vendimmarrje  politike, dhe se prapë edhe pas kësaj Kosova do të jetë një ”sui generis i ri”,  që një bashkësi  serbe prej 5% (100.000 pjesëtar ) të kontrollojë dhe të jetë autonom në 25% të territorit të Kosovës.

Në përfundim të kësaj qasjeje do të shtoja se plani kryesor(A) që Serbia e kishte për krijimin e Serbisë së Madhe, pas shkatërrimit të ish Jugosllavisë,  nuk u realizua, e zëvendësoi me planin rezerv(B), asaj të Serbisë së zgjeruar, e cila u realizua, në fillim me krijimin dhe autonominë në 49% të territorit(Republika Sërpska) të Bosnjës e Hercegovinës, tani përfundoi me krijimin(Zajednica Sërpska) dhe autonominë në 25% të territorit të Kosovës.
Shkurt do të përfundoja me fjalinë:” De jure Republika Sërpska në Bosnjë dhe Zajednica Sërpska në Kosovë, de fakto Serbi e zgjeruar në kufijtë e brendshëm të Bosnjës dhe Kosovës”.


26.08.2015                                                       Faik MIFTARI
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.