Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Shtunë, 17 Gusht 2019

Promovimi i librit të Ahmet Drinit

E Enjte 29 Shtator 2015 11:45


Në Prizren, me datë 23 shtator 2015, në vigjile të Kurban Bajramit, në shtëpinë e kulturës u mbajt promovimi i librit nga autori, tani i ndjerë, Ahmet Drini, me titull:”Monografi “Elektrokosova”-Distribucioni në Prizren (1929-2014), -Shënime dhe kujtime-“.


    Moderatori i këtij evenimenti kulturor, artisti prizrenas  Xhevdet Doda, i përshëndeti të gjithë të pranishmit duke cekur se Ahmet Drini i ndjerë ishte një qytetar i Prizrenit, intelektual, atdhetar dhe besimtar i devotshëm, i cili me punën, kontributin e tij shkencor e kombëtar do të mbetet përherë i kujtuar. Ai njashtu edhe lexoi biografinë  e tij të gjerë.


    Recensenti i librit, Naim Bejtullahu për librin e kolegut të  tij shumëvjeçar, Ahmet Drinin e ndjerë, në fjalimin e tij  në mes tjerash theksoi: ”Monografinë të cilin Ahmeti e përfundoi në ditët e fundit të jetës, e bën praninë e tij të përhershme në mesin tonë. Është pikërisht ky libër që përveç vlerave profesionale që i mban dhe historikut të zhvillimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës të cilat Ahmeti i mbështeti edhe me fakte dhe me kujtime të tija personale, në anën tjetër do të japë atij kujtim të përsheshëm në mesin e profesionistëve të këtij sektori. Për lexuesit e sidomos për gjeneratat e reja të elektroinxhinierëve, kjo Monografi do t’i shtojë vlerë njohurive të tyre me faktet që janë prezantuar në mënyrë kronologjike për zhvillimin e kapaciteteve të para të prodhimit, shpërndarjes dhe bartjes së energjisë elektrike në Kosovë, dhe në mënyrë specifike elektrifikimit të vendbanimeve në rajonin e Prizrenit. Ahmet Drini e përmbyll librin me një temë të ndjeshme për të, fjala është për projektin të cilin e kishte shumë për zemër, ndërtimin e Hidrocentralit”Zhur”, ku në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar ishte edhe drejtor në Organizatën punuese për ndërtimin e hidrocentralit. Në këtë libër do të gjemë të gjitha detajet rreth këtij projekti që nga vitet e 50-ta të shekullit t kaluar kur u bënë studimet e para gjeologjike e hidrologjike, e deri në zhvillimet e viteve të fundit. Ai me këtë rast shpreh zhgënjimin e tij për këtë investim që asnjëherë s’u realizua. Ky libër është i kompletuar. Përmban histori, përjetime, analiza e rekomandime të një nga ekspertët më të mirë të energjetikës në Kosovë. Ahmeti ishte një njeri që do t’i mungojë je vetëm familjes por sektorit të energjisë në përgjithësi. Ai iku mu para publikimit të këtij libri. Apo siç e tha e dhe vet “Artisti i mirë del prej skenës ende pa i ra perdja”.


    Bashkim Ibrahimi foli për kontributin atdhetar të Ahmet Drinit, gjatë periudhës së viteve 1997-1999, kohën gjatë së cilit ishte në pozitën e Kryetarit të Këshillit për Financim të Prizrenit. Bashkim Ibrahimi përveç tjerash për Ahmet Drinin e ndjerë ceku:” Kur përmendet emri i Ahmet Drinit, atë e lidhim me “Elektrokosovën”, emri i i tij është personifikuar me këtë ndërmarrje dhe lirisht mund të them se në mesin e qytetarëve ai njihet si simbol i kësaj ndërmarrjeje. Por ajo që është më pak e njohur për bacën Ahmet dhe vlen të përmendet se ka qenë aktivist i dalluar në rezistencën kombëtare të viteve 1990-1999, në të ashtuquajturën sistem paralel. Baca Ahmet ka qenë aktivist i lëvizjes për pavarësi, ka qenë shumë aktiv në Këshillin për vetëfinancim dhe financim. Në dy mandatet e fundit deri në bombardimet e NATO-së në vitin 1999, ka qenë edhe Kryetar i Këshillit për Financim të Prizrenit. Ky këshillë ka qenë shumë i suksesshëm dhe njëri nga shtyllat kryesore i cili ka mbajtur gjallë shpresën për pavarësi. Baca Ahmet edhe pse në moshë pa prites i është bashkangjitur aktiviteteve të këtij këshilli, aktivitet i cili ka kërkuar shumë angazhim, sakrificë dhe kohë. Në këtë mënyrë me angazhimin e tij ka vazhduar të mbajë lart emrin e familjes së tij patriotike”.


    Halit Renda, kolegu i tij shumëvjeçar me të cilin së bashku kanë punuar në Prizren, në fjalën e tij përveç tjerash ceku:” Do të ceki tri meritat e tija kryesore gjatë punës së tij profesionale, i cili si i tillë ka qenë largpamës jo vetëm për kohën gjatë së cilës ka punuar, por edhe për periudhën e cila do të pasojë. Sistemi elektroenergjetik i Prizrenit ishte në atë kohë  “bisht” i sistemit elektroenergjetik të ish Jugosllavisë, dhe sa herë që ndodhte ndonjë prishje, Prizreni në tërësi mbetej pa rrymë elektrike. Me iniciativën dhe vetëmohimin e tij të paparë, Ahmet Drini arriti që këtë problem të zgjidh, ashtu që më tutje, kur ndodhte ndonjë defekt, ç’kyçej rryma vetëm në atë pjesë, e jo sikurse më parë në tërësi e distribucionit të Prizrenit. Merita e dytë e tij, edhe pse në atë kohë ishte përcjell me shumë probleme dhe vështirësi, ishte ndërtimi trafostacioni i tensionit të lartë 220/110 kV me të cilin u mundësua përveç tjerash që sistemi elektroenergjetik i Kosovës të lidhet me atë të Shqipërisë. Merita e tretë e tij ishte se me mish e shpirt ishte angazhuar për realizimin e Hidrocentralit të “Zhurit”, për të cilin ka dhënë mundin dhe kontributin e tij maksimal, e për fat të keç ka mbet akoma i parealizuar”.


    Në emër të familjarëve përshëndeti i biri i tij, Armendi, i cili  falënderoi të gjithë të pranishmit që gjetën kohë të marrin pjesë në këtë promovim, si dhe falënderoi KOST-in e Kosovës për botimin e këtij libri të babait të tij.


    Me autorin e librit, bacën Ahmet, jemi njohur kaherë, pasi që banonim në lagjen e njëjtë, atë të Bajraklisë, por e përbashkëta jonë ishte, pasi që  merrem me fjalën e shkruar, bisedonim lidhur me librat, kulturën e të lexuarit e të shkruarit. Një ditë më tregoi se kishte në ide të shkruaj librin e tretë, monografinë për ndërmarrjen elektroenergjetike”Elektrokosovën”, me theks të posaqshëm për distribucionin në Prizren, që nga themelimi i saj e gjer në ditën e sotshme. E përshëndeta dhe e inkurajova këtë ide të tij, pasi që ajo do të jetë e mirëseardhur nga aspekti profesional, pasi që ishte njëri nga elektroinxhinierët e parë në Prizren dhe Kosovë, dhe një ekspert i rëndësishëm  i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, duke thënë se libri i tij do të jetë i mirëseardhur për inxhinierët e ardhshëm të elektroteknikës, të cilën si pikë referimi do të përdorin për punimet e tyre të diplomës, masterit dhe disertacionit, si dhe punime tjera shkencore,  pasi monografia  është përplot me dokumente, tabela, analiza të rëndësishme për sistemin elektroenergjetik të Kosovës në përgjithësi e të Prizrenit në veçanti.


    Dua të cek se Ahmet Drini,  nga ana e babait ishte  stërnipi i myderrizit të shquar, haxhi Ymer Prizrenit, kryeministrit të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa nga ana e nënës ishte nip i myftiut të shquar të Prizrenit, haxhi Rrystem Shportës, do të thotë ishte pinjoll i dy figurave të shquara të popullit shqiptar në përgjithësi e të Prizrenit në veçanti, të njohur, për kontributet e tyre të dhënë jo vetëm në aspektin kombëtar por edhe në aspektin fetar.

“Ahmet Drini u lind më 5 dhjetor 1934 në Prizren, mësimet e para i mori prej hoxhës hafëz Maksutit në xhaminë e Emin Pashës, në të cilin mësoi bazat  besimit islam dhe leximin e Kur’anit. Pas hapjes së shkollave të para shqipe në vitin 1941, regjistrohet në foshnjore pranë xhamisë së Bajraklisë. Pas kësaj kreu shkollën fillore 4 klasëshe (1942-1946) si dhe gjimnazin 8 klasësh(1946-1954), ndërsa diplomoi në fakultetin elektroteknik të Universitetit të Beogradit me 8 janar 1962. Pas kthimit nga Beogradi u punësua në ndërrmarjen ”Elektrokosova”, distribucioni në Prizren, në të cilin punoi hiq pa u ndal gjer në vitin 1990, me ç’rast  u përjashtua nga puna nga organet e dhunshme serbe. Krahas punës ishte i angazhuar në institucionet arsimore plot 14 vjet, prej të cilëve 10 vjet ishte ligjërues në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës. Ka botuar edhe dy libra  tjerë:
1.    “Jeta dhe veprimtaria e Haxhi Rrystem Shportës”, 2008, Prizren dhe
2.    “Haxhi Ymer Prizreni(1820-1887), 2011, Prizren”
Autori, Ahmet Drini, ndërroi jetë me 4 qershor 2015 papritmas dhe u varros në varrezat e qytetit të Prizrenit. Lus Zotin e Madhëruar ta mëshirojë me mëshirën e tij të pafundme dhe ta shpërblejë me xhenet(parajsë).

23.09.2015                                                          Faik MIFTARI
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.