Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Marte, 20 Nëntor 2018

Fundi i botës unipolare në Siri- Faik MIFTARI

E Enjte 27 Dhjetor 2016 08:17


Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fuqi e vetme udhëheqi plot 20 vjet rendin  e ri botëror, botën unipolare (1990-2010),  meqë nuk kishte rival , pasi që Rusia u dobësua pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Kina akoma ishte në  fazën  e zhvillimit ekonomik. Por pas vitit 2010, në skenën botërore fuqishëm dolën Rusia dhe Kina të cilët arritën një zhvillim të hovshëm politik, ekonomik, ushtarak, dhe   filluan të konkurrojnë SHBA-ve . Bota unipolare dalëngadalë filloi të lëviz drejt një bote multipolare në themelim. Këtë e kishte paralajmëruar kohë më parë  edhe Henri Kisinxheri,  diplomat  me përvojë dhe ish sekretari shtetëror i State Departamentit amerikan, i cili në librin e vet  “Diplomacia”  ka cekur:” Sistemi botëror në shekullin XXI do të përngjajë sistemit shtetëror evropian të shek. XVIII dhe XIX,  në skenë do të jenë së paku 6 fuqi të mëdha botërore, SHBA-ja, Evropa, Rusia, Kina, Japonia dhe India, sikurse edhe një numër shtetesh me ndikim rajonal”. Ky paralajmërim i Kisinxherit për skenën politike botërore të shek. XXI u reflektua në realitet në rastin e luftës në Siri, me ç’rast u bë ballafaqimi direkt i dy blloqeve të kundërta të formuara në Siri në gërshetimin e interesave të tyre politike, ekonomike, strategjike, energjetike, të sigurisë etj. Në njërën anë ishte blloku i përbërë prej SHBA-ve, Britanisë së Madhe , Francës etj., si dhe shteteve rajonale, Turqisë, Arabisë Saudite, Izraelit, Katarit, Jordanisë etj., dhe  në anën tjetër ishte  blloku i përbërë prej Rusisë e Kinës, dhe shteteve rajonale Iranit, Libanit, Irakut e Sirisë. Pikërisht në Halep të Sirisë ndodhi fundi i botës unipolare dhe krijimi i botës multipolare, pasi që blloku i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rastin e Sirisë përjetoi disfatë,  u mposht nga blloku i kryesuar nga Rusia,  në tri aspekte kryesore që e karakterizuan luftën në Siri.

Aspekti i parë , ishte gjeopolitik, Rusia  në Siri qysh nga koha e ish Bashkimit Sovjetik,  e kishte  ruajtur ndikimin e saj në të vetmin shtet arab, duke e përdorur bazën  detare në Tartus, dhe tani jo vetëm që arriti ta ruajë, por e zgjeroi edhe me bazën ajrore të ndërtuar në Hmeim. Përveç Sirisë, tani haptas shihet se Rusia ndikimin e saj gjeopolitik e ka zgjeruar  edhe në Irak, Iran, Liban, e në kohën e fundit po duket në horizont zgjerimi  i Rusisë edhe drejt Egjiptit, Libisë, etj.

Aspekti i dytë , ishte aspekti energjetik, në të cilin në mënyrë indirekte kemi përplasjen në mes SHBA-së dhe Rusisë, lidhur me pasuritë nëntokësore të vendeve arabe, të naftës, e tani në kohën e fundit edhe të gazit natyror, i cili është zbuluar në sasi të mëdha në Iran dhe Katar. Gara në mes Iranit dhe Katarit për ndërtimin e gazsjellësit nëpërmjet Sirisë drejt brigjeve të detit Mesdhe përfundoi me disfatën e Katarit, pasi që ofertën e Katarit për ndërtimin e gazsjellësit të tij nëpër Siri e refuzoi kryetari sirian Asadi, dhe tani pas përfundimit të luftës me siguri do të jetë Irani ai që do të ndërtojë gazsjellësin e vet nëpër Siri drejt brigjeve të detit Mesdhe.

Aspekti i tretë  i konfliktit sirian ishte  aspekti i sigurisë, i cili kryekëput ka të bëjë me sigurinë e Izraelit nga rreziku i ashtuquajtur të  “boshtit të së keqes”,  apo” boshtit të rezistencës” për të cilin  ishin të interesuara  pikësëpari SHBA-ja në mënyrë të drejtpërdrejtë për të ruajtë sigurinë e Izraelit. SHBA-ja me aleatët e saj janë  përpjekur të thyejnë boshtin e rezistencës propalestineze, në Siri, të përbërë  nga Irani, Iraku, Siria, Hezbollahu dhe Hamasi. Pas disfatës së përjetuar në Liban  gjatë vitit 2006 me Hezbollahun, me ç’rast Izraeli  nuk arriti objektivat ushtarake të përcaktuar më parë, SHBA-të ishin të vetëdijshme se kurrizi mbështetës i Hezbollahut ishte Siria, i vetmi shtet  që nuk lidhi marrëveshjeje paqe me Izraelin dhe  nuk e ndali përkrahjen e saj kauzës palestineze. Tani, pas përfundimit të luftës në Siri, kjo mbështetje e Asadit boshtit të rezistencës palestineze jo që do të ndalet por me siguri edhe do të përforcohet.

Përveç aktorëve kryesor të përfshirë në Siri, SHBA-ve dhe Rusisë, kemi edhe një varg shtetesh tjera të rajonit të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthore që nëpërmjet luftës së Sirisë donin të realizonin interesat e tyre politike dhe shtetërore në kurriz të Sirisë. I pari me siguri, është Izraeli, i cili tani me përfundimin e luftës në Siri, do të ndihet  më i pasigurt, pasi që kufijtë e vet do të ketë të atakuar, për shkak të përvojës së madhe luftarake të fituar nga luftimet në Siri, të Hezbollahut, e të cilën gjë me siguri Asadi nuk do të braktis atë duke mos harruar  ndihmën e  Hezbollahut dhënë forcave qeveritare ushtarake siriane. Këtë shqetësim haptas e shprehu kryeministri izraelit me rastin e vizitës së tij para ca ditëve në Kazakistan, ku në mes tjerash ceku:”  tani e tutje do të ketë kërcënime të mëdha potenciale  për kufijtë shtetëror të Izraelit, në radhë të parë në mënyrë direkte nga Hezbollahu, ndërsa në mënyrë indirekte edhe nga Irani, pasi që është i sigurt se Irani dëshiron të shkatërrojë Izraelin”. Katari është humbës i madh në aspektin ekonomik pasi që i dështoi plani  për ndërtimin e gazsjellësit nëpërmjet Sirisë,  edhe pse investoi mjete marramendëse financiare për realizimin e qëllimit të tij për rrëzimin e regjimit të Bashar el Asadit.

 Arabia Saudite poashtu ishte kundërshtare e rreptë e regjimit të Asadit, e cila ka bërë çmos për të parandaluar depërtimin dhe zgjerimin politik të Iranit në rajonin e Lindjes së Afërt, porse tani ky zgjerim politik rajonal i Iranit u konkretizua  në Irak, Siri, Liban, dhe tani po shkon drejt zgjerimit edhe në Jemen e Bahrejn. Turqia është  humbëse më e madhe në luftën e zhvilluar në Siri, pasi që   mbeti e vetme në moçalin e Sirisë, nga  cila mund të ketë reperkusione të paparashikueshme për  ardhmen e saj. Turqia e cila ishte në bllokun e shteteve të kryesuara nga SHBA-të për rrëzimin e regjimit të Bashar el Asadit, dhe ishte kryesore krahas Arabisë Saudite për realizimin e këtij qëllimi, duke parashikuar se “për tre muaj do të bjerë regjimi i Asadit”. Pas  tentimit të pasuksesshëm të grusht shtetit ushtarak  kundër pushtetit civil, Erdogani tani ka bërë kthesë nga politika e tij properëndimore, drejt përafrimit të politikës së tij me Rusinë dhe Iranit, që dolën si forcë ngadhënjyese në Siri, e që u dëshmua edhe në realitet  tani,me takimin trepalësh  para ca ditëve në Moskë,  në mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë në rangun e ministrave të punëve të jashtme lidhur për përfundimin e luftës në Siri. Kjo politikë kthesë e Erdoganit është  rezultat i frikës së mundshme të shpalljes së shtetit të Kurdistanit. Irani për dallim nga Turqia, Arabia Saudite, Izraeli e Katari, jo që  arriti të ruaj ndikimin e vet  rajonal në Irak, Siri, Liban, Gazë, por tani do të vazhdojë së zgjeruari edhe drejt shteteve tjera të rajonit të Lindjes së Afërt,në radhë të parë në Bahrejn e Jemen, dhe dita më ditë po bëhet shtet më i rëndësishëm pa të cilin nuk do të mund të arrihet asnjë marrëveshje pa prezencën e tij  direkte në Lindjen e Afërt, krahas Arabisë Saudite, Turqisë dhe Egjiptit.

Humbësit më të mëdhenj në  gjithë këtë katrahurë të Sirisë janë në rend të parë pikërisht myslimanët  cilët nuk i kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë të gjitha lojërat dhe prapavijat e konfliktit në Siri,  janë   shkurt pamës, dhe nuk shohin përtej syve, dhe që merren më me dëshirë dhe vullnet të zjarrtë  t’i qërojnë hesapet iracionale për shkak të përkatësive të tyre sektare, sunite dhe shiite,duke mos kursyer  fare  civilët të pafajshëm anekënd botës të cilët i sakrifikojnë si rrëke për të realizuar interesat e tyre të ngushta raciste, sektare, fetare,  si rezultat i keqinterpretimit të qëllimshëm  të doktrinës fetare,  për arritjen e qëllimeve të programuara  për  realizimin interesave të gjera gjeopolitike, rajonale, globale të gjithë faktorëve të lartë cekur të kyçur në konfliktin sirian.

Në përmbyllje të këtij këndvështrimi politik do të citojë një pjesë të analizës së shkruar nga njohësi i mirë i rrethanave politike të Lindjes së Afërt, akademikut të shquar boshnjak Esad Durakoviq, i cili në mënyrë  domethënëse e ka përshkruar tragjedinë e Halepit në konfliktin sirian:
 “Në të vërtet, gjatë këtyre ditëve për shkak të rrënimit të Halepit dhe vdekjes së civilëve të tij, bota është ngritur në këmbë. Me plot të drejtë! Por, poenta është se i akuzojnë”forcat ushtarake të Asadit”  gjoja si forca okupatore dhe gjenocidiale, forcat të  cilët janë fajtor për të gjithë ato që ndodh atje. Ashtu që me këtë amnistohet”forca e dreqit” e cila quhet ISIS-i, Al Kaida dhe të tjerët, e njëjta forcë e cila në betejat  tjera përndiqet dhe satanizohet. Këtu në Halep, tani ajo prezentohet si viktimë. Çfarë hipokrizie! Kur rebelët e të gjitha llojeve,“të tipit isistë”, pushtonin Halepin, njashtu duke rrënuar dhe therur, nuk është ngritur ky shqetësim nëpër botë, pasi që ata ishin në detyrën e përmbysjes së regjimit të Asadit në Siri, i cili ishte caku i forcave perëndimore të cilët pikërisht e kanë sajuar ISIS-in monstruoz dhe forcat tjera shkatërruese në  Siri. Tani, kur kjo forcë e cila kishte detyrë të rrënojë sistemin legjitim qeverisës në Siri, po përjeton disfatë, botës po i dhimbset, por në një mënyrë perfide, kinse me kujdesin e tyre për civilët e Halepit, për të cilët fare nuk janë kujdesur kur në mënyrë më brutale i vrisnin dhe thernin rebelet e pamëshirshëm dhe shumë mirë të armatosur dhe të sjellur nga gjithandej botës. Kjo është hipokrizi më e lartë politike e vendeve perëndimore. Përderisa  pikërisht nëpërmjet agjensioneve  të lajmeve nga vendet perëndimore  vijnë  tek neve informatat nga Siria që ndikojnë në formimin e opinionit tonë publik, të qëndrimeve dhe emocioneve tona”.

 
 25.12.2016                                                Faik MIFTARI
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.