Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 26 Qershor 2019

Kadri Veseli mohon krimet, hyn në politikë

E Premte 24 Shkurt 2012 17:35

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, ka mohuar se shërbimi që ka udhëhequr ai ka kryer krime, ndërsa ka bërë publik edhe lajmin se hyn në politikë.

Në një intervistë ekskluzive dhënë mediave të Grupit Koha, KTV-së dhe “Kohës Ditore”, Veseli ka shpjeguar arsyet pse nuk mund të rrijë anash zhvillimeve politike, derisa ka evidentuar proceset që sipas tij nuk janë duke shkuar mbarë.

Në intervistë Veseli është pyetur për shumë çështje e zhvillime në Kosovë, prej kohës së luftës e deri tani, në të cilat ai ka qenë protagonist. Posaçërisht është pyetur për rolin dhe veprimtarinë kundërthënëse të SHIK-ut, organizatë kjo që shpesh është akuzuar për veprime kriminale.

Veseli ka folur për akuzat që i bëhen SHIK-ut për përfshirje në krime të rënda të pasluftës, ndërsa ka dhënë shpjegimet e veta për dy dëshmitarët e EULEX-it që janë vetëshpallur si ish-agjentë të SHIK-ut – Nazim Bllacën dhe Naim Miftarin.

Ish-shefi i SHIK-ut ka folur edhe për raportet e strukturave ilegale të viteve ’90-të dhe atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me lëvizjen paqësore politike të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, ka mohuar të gjitha akuzat se organizata që ai ka udhëhequr ka kryer krime, përfshirë vrasjet e pasluftës në Kosovë. “Jo, jo, edhe jo”.

“Veprimet kriminale, marrja e jetës së njeriut, është pjesë më e errët që i ka ndodhur historisë e lirisë sonë. Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Mu ka mbushur mendja që edhe ata që në mënyrë hipotetike qëndrojnë prapa këtyre gjërave, po mendojnë që SHIK-u do të paguaj faturat e tyre. Për asnjë nga këto krime nuk ka përgjegjësi SHIK-u, as direkt e as indirekt. Përgjegjësi duhet të marrë individualisht kushdo që ka kryer krime të tilla”, ka thënë Veseli, duke shtuar se pjesa më krenare e jetës së tij ka qenë udhëheqja e SHIK-ut.

Në vazhdimin e rrëfimit në KTV, Veseli kryesisht ka folur për veprimtarinë e Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Ai ka treguar se si në vitin 2001-2002 është tentuar që të legjitimohen veprimet e SHIK-ut, duke krijuar një zyrë brenda institucioneve të Kosovës, gjë për të cilën kishte pajtim nga Presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi e kryeparlamentari Nexhat Daci. Por, kjo gjë ishte ndaluar nga New York-u pasi nuk e lejonte Rezoluta 1244.

Sipas tij, SHIK-u nuk ka krijuar dosje, por ka pasur vetëm informacione që janë përdorur atë kohë për nevojat e shërbimit, por që kanë qenë gojarisht të raportuara.
Matrapaz që tentojnë të përfitojnë për vete, i ka quajtur personat si Nazim Bllaca e Naim Myftari, të vetdeklaruar si agjentë të SHIK-ut. Veseli gjithashtu ka mohuar që SHIK-u t’i ketë takuar PDK-së, duke thënë se kjo organizatë ‘ka punuar për të mirën e shtetit’.

Ai më tej ka thënë se do t’i hyj politikës ndërsa PDK ka nevojë për reforma. Ai është i gatshëm ti bashkohet kësaj partie nëse do t’i krijohet hapësira për të vepruar. “Shpejt do të bëjë publike edhe partinë ku do të kyçem në politikë”, ka paralajmëruar ish-shefi i Shërbimit Inteligjent të Kosovës.

 
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.