Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Shtunë, 19 Tetor 2019

Nurkollari: Synojmë bumin kinematografik

E Hënë 29 Mars 2010 12:48

Në fillim të bisedës tonë a mund të na shpjegoni fillet e themelimit të Dokufestit?

Dokufesti ka nisur në vitin 2002, d.m.th para nëntë vitesh. Sivjet do të jetë edicioni i nëntë. Ka nis si festival i vogël jo me aq ambicie. Por pasi kuptuam se ka nevojë për diçka të ngjashme kemi arritur që me punë të madhe të arrijmë aty ku jemi sot. Normalisht festivali është zhvilluar dhe me zhvillimin e festivalit kanë ardhur më shumë njerëz, ekipi është zmadhuar, kemi shtuar seksione të reja, si seksionin e Ballkanit, që është njëra prej pjesëve kryesore të festivalit, kemi shtuar punëtori të shumta dhe po provojmë të shtojmë edhe më shumë gjëra. Po presim që të jemi edhe më të suksesshëm në vitet në vijim.

Po çka ishte qëllimi dhe pse në Prizren? Kur flitet për dokumentarë dhe kinema Prizreni nuk është ndonjë qendër. Pse vendosët që ta bëni festivalin në këtë qytet?

 Qëllimi i parë ka qenë rikthimi i kinemasë. Ndoshta për gjenerata e reja duhet shpjeguar se Prizreni ka pas një kulturë të zhvilluar të kinemasë, me një repertor të filmave që janë shfaqur në dy kinema dhe pas një pauze të gjatë më shumë se 10 vitesh, qëllimi ynë primar ka qenë kthimi i asaj kulture në Prizren. Ta riaktivizojmë kinemanë, pasi që është mëkat që kinemaja e cila konsiderohet më e bukura në Kosovë dhe ndër të rrallat në Ballkan të qëndroj ashtu e pashfrytëzuar.
Qëllimi i dytë është të fillohet të zhvillohet kinematografia e Kosovës, për shkak të pauzës së gjatë dhe ajo ka ngec. Këto kanë qenë dy shtytjet kryesore.

Gjatë bisedës vazhdimisht po e përdorni termin “ne”. Kur thua “ne” kë e ke parasysh. Cili është ky ekip?

Kur them ne mendoj në një ekip të vogël që ka nisur festivalin. Por kur sot them ne nuk mendoj vetëm në atë grup të vogël por në një grup të madh që na janë bashkëngjit, në vullnetarët e shumtë, por edhe te artdashësit e filmit dhe artit në Prizren dhe Kosovë, sepse jam i vetëdijshëm se ai ekipi i vogël që ka nisur festivalin nuk do të mund ta bënte dhe ta zhvillonte atë si është sot. Ne jemi të gjithë ata që e duan Dokufestin, pikësëpari publiku, dhe ata që na kanë përkrahur. Kur them ne, nëse duhet përmendur emra duhet treguar se është një ekip i vogël që është ende aty prej fillimit të festivalit, jam unë, Aliriza, Jetoni, Samiri dhe disa njerëz tjerë që janë baza. Por prapë e them se me ne janë edhe shumë të tjerë, janë edhe mbi 100-150 vullnetarë që na ndihmojnë pa kursye asgjë. Po ashtu me ne janë qytetarët e Prizrenit, pasi pa këtë ambient që e krijojnë ata Dokufesti nuk është i mundshëm.

Një energji pozitive krijohet kur bëhet fjalë për Dokufestin. Ndoshta për këtë shkak po zhvillohet. Ky festival ka arritur që të bëhet i 22’ti në botë. Për këtë ju uroj. Në rrethana të vështira keni arritur që festivalin ta promovoni në arenën ndërkombëtare. Cili është përfitimi juaj nga ky festival?

Mendoj se Prizreni ka një energji pozitive, pamarre parasysh se cka ka ndodhur dhe cka po ndodh. Prizreni ka një energji që është pozitive, dhe festivali e bart me vete këtë energji. Edhe ne po mundohemi që edhe në situata jo aq pozitive me bart energji pozitive. Vullnetarët e kanë energjinë pozitive dhe i tërë festivali ka një rezonancë p;pozitive. Prandaj nuk është për tu çuditur që na ka ra ndërmend me bo një kinema në lum, na ka ra ndërmend me bo një kamp. Të gjitha këto janë rezultate të kësaj energjie pozitive.
Sa i përket renditjes, faleminderit për urimet. Ajo mendoj që është një refleksion i asaj se çka po ndodh me festivalin dhe si po ndihen njerëzit që po vijnë nga jashtë në Prizren. Ne kemi hyrë në atë listë shkaku i njerëzve që kanë qenë në atë listë. Ata na kanë vlerësua. Ka qenë vlerësimi i afër 100 festivaleve që kanë në program filma dokumentarë që janë të rëndësishëm e kualitativ. Ka qenë vlerësimi i autorëve, producentëve, etj. që kanë qenë këtu dhe që kanë dhënë vlerësimet e tyre, dhe në bazë të kësaj ne jemi renditur në vendin e 22-të, që është një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv dhe i mirë. Në atë listë ndodhen festivalet si ai i Berlinit, Sundance, Tribecca i Neë Yorkut, IDFA – festivali më i madh i dokumentarëve në botë, e vetëm për të qenë në një listë me ta është një e arritur e madhe. Kjo është edhe një shtytje për të punuar më shumë për të mbetur në atë listë dhe me përparu edhe pak. Është një vlerësim por edhe obligim që të punojmë më shumë dhe të shohim a mund të përparojmë edhe më tej.

Gjatë zhvillimit të festivalit, a e keni zgjedhur ndonjë festival si model dhe a ka festivale tjera që bashkëjetojnë me qytetin?

Ne vizitojmë gjatë vitit shumë festivale. Ndoshta nuk e kemi ndonjë model të kopjuar, por në saje të festivaleve që kam vizitu, i vetmi që i ngjan Dokufestit është një festival në jug të Çekisë, ku një grup i të rinjve bën një festival në një qytet më të vogël se Prizreni por në të cilin ndodh e njëjta si në Prizren, qyteti kaplohet me festival.
Kam vizituar edhe festivale të mëdha si në Neë York, ku nuk vërehet asgjë nga festivali. Kur del jashtë kinemasë nuk ka më festival, veçse në restorantet ku rijnë filmbërësit. Sapo isha edhe në Pragë në festivalin më të madh në Evropë të dokumentarëve për të drejtat e njeriut, ku po ndodh e njëjta gjë. Përderisa je në kinema je në festival, por si del jashtë kjo nuk ndjehet. Kjo është normale për qytetet e mëdha. Por në qytetet e vogla situata ndryshon dhe për atë shkak mund të them se Prizreni është gati ideal për një ngjarje çfarë është Dokufesti, për shkak se edhe konfiguracioni i qytetit ofron mundësi. Qyteti është i vogël qendra e qytetit ofron shumë dhe nuk ke nevojë me dal shumë. Duhet me shfrytëzu këtë.

Realizimi i një festivali ndërkombëtar në një qytet pa kinema funksionale është vërtet një e arritur e madhe pa dyshim. Por a po keni përkrahje të duhur financiare?

Jo aq sa kishim dashtë dhe sa është nevoja. Është për të ardhur keq që autoritetet e qytetit nuk e kuptojnë vlerën e festivalit. Është për tu çuditur se si festivali i cili për 7-8 ditë i sjellë 500 mijë deri 700 mijë te ardhura këtij qyteti nuk arrin që të merr një përkrahje të duhur. Buxheti i festivalit vitin e kaluar ishte rreth 150 mijë euro dhe ne me shumë vështirësi i morrëm 10 mijë euro nga komuna. Qyteti duhet me e pa interesin ekonomik por edhe interesin tjetër se si festivali e promovon qytetin, si e paraqet atë jashtë, për shkak se ne në udhëtimet tona nuk e promovojmë vetëm festivalin, por edhe qytetin edhe Kosovën. Prandaj them se ne nuk jemi të kënaqur. Mbetemi me shpresë se dikur do të kuptohet vlera e këtij festivali, se është krenaria e qytetit. Sikur një dru që duhet të rritet edhe më tepër e jo me i qit pak ujë sa mos e tha...Ne jemi në situatë të tillë. Një ditë bëra një shaka, thash që kur na zgjodhën në mesin e 25 festivaleve më të mira të botës faktikisht ndodhi një fenomen sikur që ekipi i futbollit të hynte në Ligën e Kampionëve në qytetin ku nuk ka stadium. Metforikisht ne nuk kemi kinema. Është një arritje e madhe, por dikush duhet të na ndërtoj një stadium që të luajmë më mirë, sepse mundemi që të bijmë prej lige shumë shpejtë...

Në arenën ndërkombëtare ka interesim të madh për festivalin. Kemi dëgjuar se ka kërkesa të mëdha të mysafirëve të huaj për të marrë pjesë në Dokufest?

Ata e kanë kuptuar këtë gjë më herët. Ata kur e shohin se dicka po ndodh diku menjëherë interesohen. Ne pranojmë aq shumë ftesa sa nuk mund të shkojmë. Nga jashtë ka interesim të madh dhe ky fenomen nuk ndodh në shumë vende, e jo sidomos në ato vende ku duhet luajtur pa pasur stadium.  
Dje jam kthyer nga Graci dhe atje ka kinema e kinema. Një qytet sa prizreni por ka 25 kinema, me digjitale me 3d dhe jashtë asaj edhe 12 kinema te dedikuara vetëm për filmat e Austrisë. Këtu ne duhet ti improvizojmë kinematë, me gjet pajisje, me i mësu si bëhet. Sikur në afrikë me dal me luajt hokej...Për këtë shkak na çmojnë. Te ne kjo gjë mbetet e koklavitur. Disa ditë më parë Ministria e Kulturës doli me listën e projekteve që do të përkrahen, dhe prapë është absurde që nga 300 projekte gjysma e tyre të financohen, me vetëm 400 mijë euro. Në fillim po vendoset se këtu asgjë s’do të lëviz...Hajde po u japim ngapak ujë secilit dru, sa mos me u tha, por asnjëri të mos rritet. Këtu qëndron problemi kryesor. Ende spo kuptohet ose s’dëshirojnë të kuptojnë se duhet ndryshuar forma e punës. Që kjo kështu nuk bën, por ende nuk po ka vullnet. Në këtë mënyrë nuk përparohet.

Meqë kemi lexues të konsiderueshëm edhe nga Turqia do të ju pyes për marrëdhëniet me Turqinë. Vitin e kaluar ka pas interesim të shtuar nga Turqia?

Po kemi një bashkëpunim të mirë dhe jemi mjaft të njohur atje. Kur i kontrollva aplikimet e pashë se sërish kemi shumë filma nga Turqia dhe po më gëzon ky fakt pasi Turqia është në fazën interesante të zhvillimit të kinematografisë dhe së fundi fituan në Berlin. Kinematografia turke është në majën e kinematografisë evropiane dhe dje u ktheva nga Graci edhe atje fitoi një djalë i ri turk...Unë po gëzohem për filmat turk. Kemi idenë që të sjellim edhe dikë të njohur nga Turqia, por nuk dua që ta shpalos emrin e tij, pasi ende jemi në negociata. Por e them se jam i lumtur që kemi marrëdhënie të mira me turqinë dhe komplet me skenen e filmit turk. Ndoshta do të shkoj në një panel në Stamboll për dokumentarët e Ballkanit...

Çka do të kemi në Dokufestin e vitit 2010?

Është pak herët që të flas për programin, por mund të shpalosim pak...do të kemi dy retrospektiva të dy autorëve të njohur, do të kemi prezantimin më të madh të filmave nga Finlanda, do të kemi prezantimin e një festivali nga evropa me një program të shkurtër. Këto janë gjërat që tash për tash dihen. Do të kemi edhe një kinema do ta hapim, sepse po na nevojiten. Dasht e pa dasht po duhet me shpik edhe një kinema. Kampin do ta rregullojmë edhe pak. Do të kemi follow up, pjesën e dytë të një punëtorie të madhe, pjesa e parë e së cilës zhvillohet në Sofje dhe pjesa e dytë në Prizren. Është bashkëpunim mes Ballkan documentary center dhe neve. Do të sjellim disa autorë të njohur botërorë dhe do të kemi 15 pjesëmarrës edhe disa tutor.

Si e shihni të ardhmen e Dokufestit?

Vullnetarët të marrin më shumë përgjegjësi. Inshallah kinematë ndreqen sepse kemi plane të mira për atë, nëse do të ndërtohet kinemaja. Kemi plane me u marrë edhe me edukimin e regjisorëve, producentëve, etj. Nuk kemi ambicie me u bo konkurrentë të shkollave, por të sjellim modelin e punëtorive evropiane. Mendojmë ta kemi një qendër të vogël të trajnimeve me model evropian, dhe pas 5 ose 10 vitesh të kemi një bum kinematografik.

Do të thotë nuk do të dorëzoheni?

Jo nuk do të dorëzohemi...
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.