E Enjte, 23 Maj 2013

Feith dhe Petroviq kanë takuar përfaqësuesit e komunitetit boshnjak

E Enjte 21 Qershor 2012 14:15

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith të mërkurën ka inkurajuar përfaqësuesit politik të komunitetit boshnjak të Kosovës që të konsultohen me ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës për realizimin e synimeve të tyre, që në thelb përmbajnë kërkesat për formimin e komunave të reja, arsim më cilësor dhe përdorimin zyrtar të gjuhës boshnjake.

Shefi i ICO-së ka përkujtuar se fuqizimi i rolit të komunitetit boshnjak brenda shoqërisë kosovare është një proces afatgjatë, që do të vazhdoj edhe pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.

"Kemi diskutuar për decentralizimin dhe dëshirën e komunitetit boshnjak për themelimin e komunave të reja boshnjake. Po ashtu edhe për përdorimin e gjuhës boshnjake dhe për çështjen e edukimit të fëmijëve të këtij komuniteti....Qeveria e Kosovës do të konsideroj hapat që duhen ndërmarrë për fuqizimin e komunitetit boshnjak,  dhe ne i dëgjuam argumentet e qarta dhe bindëse për këtë. Por procesi është i gjatë, që do të vazhdoj edhe pas mandatit tim dhe mbylljes së ICO-së. Prandaj inkurajoj përfaqësuesit e komunitetit boshnjak që të konsultohen me ministritë për realizimin e synimeve të tyre", ka thënë Feith, pas debatit të zhvilluar me përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në fshatin Reçanë të Prizrenit.

Në këtë takim ai ka qenë i shoqëruar nga zëvendës kryeministri i Kosovës dhe ministri i MAPL-së, Slobodan Petroviq, i cili është zotuar për zgjidhjen e çështjeve që preokupojnë qytetarët e komunitetit boshnjak. Sipas tij, ekzekutivi i Kosovës ka angazhime serioze në drejtim të krijimit të mirëqenies më të mirë për gjthë qytetarët pavarësisht nga përkatësia etnike sikurse edhe ofrimin e shërbimeve më të mira në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në këtë drejtim ai ka pranuar se decentralizimi është çështje kyçe e diskutimeve dhe kërkesë prioritare e boshnjakëve të Kosovës.

Ndërsa deputeti i koalicionit të partive boshnjake "VAKAT", Rasim Demiri ka përsëritur qëndrimin se "për komunitetin boshnjak nuk ka ekzistencë në këto troje pa decentralizim".

"Ne e kemi shprehur bindjen tonë se tashmë janë pjekur kushtet për formimin e tri komunave të reja boshnjake, në Reçanë, Vitomiricë dhe Gorë dhe besojmë se me unitetin e spektrit politik boshnjak do t'i realizojmë këto synime", ka thënë Demiri, duke shprehur bindjen se pas këtij takimi boshnjakët janë "një hap më afër formimit të këtyre komunave". /koha/
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.