Gjithçka në dialog
12 Gusht 2012 00:38
Në dialogun politik Prishtinë-Beograd pritet trajtohen edhe temat teknike si energjia dhe telekomunikacioni. Aty do të adresohet edhe çështja e marrëveshjeve të kaluara të cilat shpesh edhe janë keqinterpretuar gjatë implementimit. Burime të gazetës thonë se Serbia mund të jetë fleksibile kur është fjala për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet ndërkombëtare, por priten vështirësi për implementimin e Marrëveshjes IBM në pjesën veriore.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit i paraparë të fillojë në vjeshtë ose sipas të gjitha gjasave në muajin tetor, pritet të ketë në agjendë edhe temat që kanë mbetur pa u diskutuar në të ashtuquajturin dialog teknik, energjinë dhe telekomunikacionin.
Por sipas burimeve të gazetës, Brukseli dhe dy delegacionet, ai i Prishtinës dhe Beogradit, pritet të merren edhe me marrëveshjet e arritura gjatë raundeve teknike për të eliminuar keqinterpretimet që janë shfaqur gjatë implementimit të tyre.
Është shumë e rëndësishme të qartësohet se çfarë saktësisht është arritur në procesin e bisedimeve. Ndërsa për marrëveshjet që do të arrihen në të ardhmen duhet të ketë edhe nënshkrime në mënyrë që të eliminohet ajo çfarë kemi parë në të kaluarën, ka thënë një zyrtar i afërt me procesin e bisedimeve në kushte anonimiteti.
Prishtina dhe Beogradi janë shprehur në favor të bisedimeve në nivel politik të ndërmjetësuara nga Brukseli.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton në përpjekjet e saj ka takuar Kryeministrin Hashim Thaçi derisa një takim me baroneshën në fund të muajit gusht ose në fillim të shtatorit e ka paralajmëruar edhe Kryeministri i Serbis, Ivica Dacic.
Por sipas burimeve, ende mbetet e paqartë nëse një takim mes Presidentëve apo Kryeministrave do të hapë procesin e ri të dialogut.
Burime të gazetës në Bruksel thonë se ende janë duke i vazhduar bisedimet me përfaqësues të Prishtinës dhe të Beogradit për ti ulur në tryezën e bisedimeve gjatë vjeshtës. Por zyrtarë europianë pohojnë se ende nuk ka asgjë konkrete rreth formatit të dialogut, nivelit të përfaqësimit në të si dhe rreth temave që pritet të diskutohen.
Ende janë duke vazhduar diskutimet me të dyja palët për atë se si duhet të procedohet dhe kur me procesin e bisedimeve, ka thënë një zyrtar i BEsë në kushte anonimiteti.
Sipas tij, madje rreth kësaj çështjeje nuk pritet asgjë e re gjatë muajit gusht.
Një nga temat e bisedimeve që pritet të diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë është çështja e Veriut.
Bisedimet e emërtuara si politike po ashtu kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas zyrtarëve me të cilët ka biseduar Express të premten, gjasat që Serbia të pajtohet që Kosova të përfaqësohet në arenën ndërkombëtare janë të mëdha pavarësisht se marrëveshja për përfaqësimin rajonal e arritur vitin e kaluar ka hasur në telashe.
Gazeta beogradase Blic, kur është fjala për prezantimin e Kosovës në forume ndërkombëtare, ka shkruar se Serbia madje e ka kusht të ri që të mos ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në këto instanca, e madje as anëtarësimin në OKB.
Një pengesë që pritet ta lehtësojë procesin e bisedimeve, sipas vlerësimeve të diplomatëve me të cilët ka biseduar gazeta, është përfshirja edhe e vetë zyrtarëve të lartë të dy vendeve.
Pjesëmarrja e Robert Cooperit, Borislav Stefanovicit dhe Edita Tahirit në një proces të papërgatitur mirë vetëm ka shkaktuar telashe. Niveli i negociatorëve ka qenë shumë i ulët sa i përket çështjes së vendimmarrjes.
Po ashtu sipas këtij zyrtari, një gjë tjetër që duhet të ndodhë ka të bëjë me përgatitjen e opinionit në Kosovë dhe Serbi rreth këtij procesi.
Por problemet më të mëdha kur është fjala për këtë proces të ri të bisedimeve mbeten te çështja e Veriut.
Sipas burimeve të gazetës, serbët e atjeshëm, pavarësisht gjenerozitetit të Prishtinës për të ofruar koncesione edhe jashtë Pakos së Ahtisaarit, do të shfaqin pengesa pikërisht në kohën kur do të ketë përpjekje për ta implementuar marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).
Komento
Rregullat për komente
- Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
- Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
- Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
- Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.










