Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 29 Janar 2020

Thaçi thotë se Serbia njohu Doganat e Kosovës

E Enjte 31 Janar 2013 13:49

Kryeministri Hashim Thaçi informoi deputetët e Kuvendit të Kosovës për takimin e katërt në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton. Thaçi tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon, në të mirë të qytetarëve dhe do të mundësojë integrimin sa më të shpejtë në BE.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, sipas raportit të RTK-së, vlerësoi se në bisedimet me Serbinë janë shënuar rezultate të theksuara. Ai tha se në takimin e 17 janarit, pala serbe ka marrë obligime për zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë dhe është arritur marrëveshja në fushën e doganave, sipas të cilës, vendoset rendi dhe ligji në këtë fushë, sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve dhe sistemit unik doganor të vendi.

Thaçi tha se në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e Kosovës, ndërkohë përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale në Prishtinë ku do të menaxhohen mjetet nga këto pika. Thaçi tha se fondi do të drejtohet nga një bord tre anëtarësh me përfaqësuesin nga Qeveria e Kosovës, nga komuniteti dhe përfaqësuesi i BE-së.

“Vendimet për investimet kapitale dhe infrastrukturore merren me konsensus nga anëtarët e bordit dhe në mungesë të tij, vota e përfaqësuesit të BE-së është përcaktuese”, tha Thaçi.

Sipas kreut të Qeverisë, me këtë marrëveshje zhbëhen strukturat paralele në fushën e doganave, ndalohet kontrabandën në vendkalimet kufitare në veri dhe ruan konkurrencën e lirë.

“Në aspektin politik me këtë marrëveshje, Serbia ka njohur definitivisht Republikën e Kosovës në fushën e doganave”, tha Thaçi.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani që çdo veprim i institucionevetë osovës në këtë dialog të jetë në përputhje me rezolutën e Kuvendit.

“Në veçanti të kihet kujdes sa i përket implementimit të këtyre marrëveshjeve, sepse ato nuk e kanë as plotfuqishmërinë juridike as politike pa u ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje, tha se gjithë dialogu po shkon në favor të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian dhe për këtë çmimin po e paguajnë shqiptarët.

“Por pse ky çmim është i tillë dhe kaq i lartë, ka të bëjë drejtpërdrejt me nivelin e mbrojtjes së interesave tona, nga Qeveria jonë”, tha Konjufca.

Nga ana tjetër, Ardian Gjini nga AAK-ja, kërkoi nga kryeministri Thaçi që jo vetëm të informojë pasi të mbahet takimi në Bruksel me homologun serb, por t’i informojë partitë politike edhe për ato që pritet të diskutohen në takimet e pritshme, në mënyrë që gjithë spektri politik të ndikojë në vendosjen e agjendës së bisedimeve. Marrëveshjet e deritanishme, sipas Gjinit, nuk e cenojnë rezolutën e Kuvendit për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Paraprakisht për shkak të mungesës së ministreshës së Tregtisë dhe Industrisë nga rendi i ditës u hoq shqyrtimi i gjashtë projektligjeve nga fusha e kësaj ministrie, ndërkaq në vazhdim deputetët do të shqyrtojnë 9 projektligje dhe disa raporte e rekomandime të komisioneve parlamentare. Ndër të tjera do të shqyrtohen Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, Projektligji për inspektoratin e mjedisit, ujërave, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit, Projektligji për planifikimin hapësinor, Projektligji për transportin tokësor të mallrave të rrezikshme, Projektligji për treguesit gjeografikë, Projektligji për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Projektligji për administrimin e punës në zyrë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës...

Po ashtu do të shqyrtohet raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Avokatin e Popullit, Rekomandimi i Komisionit për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, si dhe Rekomandimi i Komisionit për zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.