Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Enjte, 14 Nëntor 2019

Mustafa u kërkon ministrave eliminim të korrupsionit

E Mërkurë 16 Shtator 2015 11:56Kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë kërkoi nga ministrat që të punojnë me përkushtim të plotë me mënyrë që të eliminohet çdo formë e korrupsionit.

Mustafa theksoi se për tetë muaj nuk pasur ndonjë rast të korrupsionit, porse perceptimi për korrupsionin është i lartë gjë që e dëmton imazhin e Kosovës dhe pengon zhvillimin e saj. Mustafa përmendi edhe rastin e tenderit që djali i tij e ka fituar nga Zyra e Kryeministrit, duke thënë se nuk ka pasë asnjë informatë lidhur me këtë kontratë.

Pas deklaratave të ambasadorit amerikan dhe atij britanik në Kosovë, lidhur me rezultatet e ulëta në luftimin e korrupsionit, kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë kërkoi nga ministrat që të punojnë me përkushtim të plotë për eliminimin e çdo burimi dhe forme të korrupsionit në ministritë, agjencionet dhe organet tjera që menaxhohen nga Qeveria. Mustafa tha se duhet që korrupsioni të adresohet në mënyrë konkrete, ngase nuk është e mjaftueshme që të mbetet vetëm në vlerësime të përceptimit.

“Unë mund të them haptazi se jam i kënaqur se gjatë këtyre tetë muajve nuk kemi pasur ndonjë rast të shënuar të korrupsionit në organet e Qeverisë së Kosovës, por përcepcioni për korrupsionin publik del se është i lartë dhe ky përcepcion pastaj e dëmton edhe ndërtimin e shtetit ligjor, dëmton proceset tona të zhvillimit ekonomik, na dëmton edhe në rrugën e integrimeve evropiane”, tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa foli edhe për akuzat që janë drejtuar ndaj tij se ka ndikuar që djali i tij të fitoi kontratë për mirëmbajtjen e një veture të Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë shkelje. Ai tha se edhe më herët ka ekzistuar kontrata për mirëmbajtjen e kësaj veture e cila po ashtu është blerë në të njëjtin servis dhe ka pasur garancion, mirëpo e njëjta nuk ishte mirëmbajtur në këtë servis sipas kontratës.
“Nuk është fjala për asnjë dhënie, sepse unë s’kam pasur asnjë informatë lidhur me rregullimin e një makine të Qeverisë. Fjala është për lëshimet që janë bërë këtu brenda sa i përket mirëmbajtjes së mjeteve, sepse mjetet duhet të mirëmbahen aty ku i kanë garancionet dhe ne nuk na lejohet që të shpenzojmë dyfish, ose njerëzit ta bëjnë këtë sipas qejfit. Prandaj nuk është fjala për ndonjë shkelje këtu”, tha Mustafa.

Në këtë mbledhje Qeveria aprovoi Projekt-strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020 dhe Planin i Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie. Zëvendëskryeministri Kujtim Shala tha se për Kosovën, kërcënimi nga ekstremizmi i dhunshëm nuk është vetëm kërcënim global, por edhe lokal, andaj duhet të trajtohet shumë seriozisht.

Kabineti qeveritar aprovoi edhe projekt-udhëzimin administrativ për procedurat e faljes së borxheve publike, projekt-strategjinë për siguri në komunikacionin rrugor 2016-2020 dhe mori disa vendime të tjera.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.