Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Marte, 20 Nëntor 2018

Veseli ndërpret seancën

E Marte 22 Shtator 2015 20:10

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka shpallur të ndërprerë seancën e Kuvendit deri në krijimin e rrethanave për punë.

Kjo seancë, në të cilën kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ishte planifikuar të raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Beogradin, është ndërprerë disa herë.

Pamundësimi i vazhdimit të punimeve ishte edhe fizik, pasi që deputetët e opozitës qëndronin në këmbë tek foltorja duke mos lejuar që kryeministri Mustafa të merrte fjalën, raporton rel.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri më herët kishte thënë se seanca nuk mund të vazhdojë përderisa kryeministri të mos e tërheqë nënshkrimin për formimin e “Zajednicës” (Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe).

Marrëveshja për themelimin e këtij Asociacioni u arrit në Bruksel, më 25 gusht, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Në këso rrethanash, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli shpalli gjatë ditës disa pauza dhe ftoi shefat e grupeve parlamentare të diskutojnë për tejkalimin e gjendjes.

Ndërprerja e parë ndodhi kur disa nga deputetët e opozitës hodhën vezë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Lëvizja Vetëvendosje, në një postim të sajin në rrjetin social Facebook, ka thënë se me këtë veprim, “ia kanë ndalë gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t'i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit. Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm”.

Ndërkohë që deputetë të opozitës hidhnin vezë në drejtim të kryeministrit Mustafa, kryetari i Kuvendit e ka cilësuar këtë veprim si të turpshëm.

Institucionet më të larta të vendit, përfshirë këtu edhe Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, kanë dënuar aktin e opozitës ndaj kryeministrit Mustafa.

E njëjta seancë, ku kryeministrit i Kosovës është dashur të raportonte për marrëveshjet e Brukselit, është ndërprerë edhe të enjten e kaluar, pasi zoti Mustafa kryeministri Isa Mustafa hoqi dorë nga raportimi i paralajmëruar.

Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.

Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas marrëveshjes, serbët në Kosovë do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

VV e konsideron marrëveshjen si shkelje të sovranitetit dhe ndarjen të Kosovës. Të njëjtin mendim e ndajnë edhe dy partitë tjera në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.