Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 18 Shtator 2019

Opozita refuzon ndërmjetësimin e presidentes

E Hënë 28 Shtator 2015 11:59

Tri partitë politike që kanë krijuar tashmë frontin opozitar vazhdojnë ta sfidojnë kryeministrin Kosovës, Isa Mustafa, për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të fundit, madje thonë se aksionet e tyre në Kuvend dhe jashtë tij, do të intensifikohen.

Opozitarët po ashtu kundërshtojnë çdo përpjekje të presidentes Atifete Jahjaga në këtë proces, në rolin e ndërmjetëses. Kjo e fundit në një emision televiziv ka thënë se është e gatshme ta luajë rolin e unitetit edhe në rastin pozitë-opozitë.

Muharrem Nitaj, nga Zyra për informim e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar për “Zërin” se opozita do të pengojë zhvillimin e seancës plenare derisa të mos ketë reflektim nga Qeveria për marrëveshjet.

“Opozita do të bëjë krejt çka është në dorën e saj që ta pengojë zhvillimin e seancës plenare derisa të mos ketë një reflektim nga Qeveria për marrëveshjet. Këto marrëveshje nuk mund të jenë çështje e Qeverisë. Ato u përkasin të gjithëve. Opozita është unike në frontin e përbashkët për ta ndalur degradimin e qeverisjes së keqe të këtij vendi. Kryeministri i ka dy zgjidhje. Ose të gjejë modalitetet e tërheqjes së marrëveshjeve, ose të japë dorëheqje vetë”, ka deklaruar Nitaj.

I pyetur për një zgjidhje të duhur, a do të ishte i nevojshëm ndërmjetësimi i presidentes Jahjaga, Nitaj është shprehur skeptik nëse do të kërkohej ndërmjetësimi i saj.

Ai ka thënë se liderët në pushtet do të duhej të gjenin zgjidhje.

“Nuk e besoj që do të kërkohet ndërmjetësimi i saj. Kjo çështje mund të jetë objekt debati i liderëve politikë, dhe sa më shpejt të kuptohet një gjë e tillë, është më mirë. Mustafa dhe Thaçi duhet që së bashku me oponentët e tyre politikë të gjejnë zgjidhje. Ka plot mundësi që të korrigjohen gabimet e demarkacionit dhe ASK-së. Kjo është edhe në interes të qytetarëve edhe në interes të Qeverisë. Unë po habitem se si nuk po e kuptojnë një gjë kaq të thjeshtë”, ka deklaruar Nitaj.

Ndërkaq, Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes “Vetëvendosjen”, për gazetën ka thënë se nuk mund të ketë zhvillim normal të institucioneve nëse punohet në defunksionalizimin e shtetit.

“Ne do t'i bëjmë të qarta veprimet tona kur ta dimë se kur është seanca e radhës. Ajo çka është e sigurt, është fakti që nuk mund të ketë zhvillim normal të institucioneve shtetërore nëse ato po punojnë për defunksionalizimin e shtetit. Opozita është duke u koordinuar për çdo formë të reagimit që do ta ndërmarrim”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu ka thënë se ndërmjetësimi i Presidentes është i panevojshëm.

“Ne nuk kemi nevojë për ndërmjetësimin e presidentes. Partitë në pushtet do të detyrohen t'i marrin parasysh kërkesat tona ngase këto kërkesa janë për të mirën e vendit tonë. Kërkesat për të parandaluar bosnjëzimin e Kosovës janë legjitime dhe duhet t'i marrë parasysh çdo subjekt që pretendon të përfaqësojë vullnetin dhe interesin e qytetarëve”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkaq, Zafir Berisha, deputet nga radhët e “Nismës për Kosovën”, ka thënë se opozita është bashkuar për ta kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sipas tij, kjo marrëveshje do të kundërshtohet me të gjitha format e mundshme demokratike.

“Ne, Zajednicën do ta bëjmë jofunksionale me të gjitha mundësitë e mundshme edhe duke bërë presion demokratik mbi këto marrëveshje të arritura. Ky shtet po rrezikohet të mbetet funksional sidomos me marrëveshjet e fundit”, është shprehur Berisha.

Ndër të tjera Berisha e ka cilësuar të panevojshëm ndërmjetësimin e presidentes në çështjet dhe mosmarrëveshjet ndërmjet opozitës dhe partive në pushtet.

“Qytetarët e dinë mirë rolin e presidentes, kështu që nuk do të ishte mirë ndërmjetësimi i saj”, ka thënë shkurt Berisha./zeri/
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.