Ambasadorja e Turqisë në Kosovë synon të thellojë marrëdhëniet

E Premte 18 Maj 2012 11:55

Që kur mori së pari detyrën si ambasadore e Turqisë në Kosovë në janar 2011, Songul Ozan ka kërkuar të thellojë marrëdhëniet politike e ekonomike Turqi-Kosovë, mbështetur në idenë se të dy vendet ndajnë lidhje të përbashkëta kulturore, historike e shoqërore.

Duke karakterizuar marrëdhëniet dypalëshe si "të shkëlqyera", Ozani thotë se vlerat e përbashkëta fetare, shoqërore e kulturore lehtësojnë kontaktet mes njerëzve e zhvillimin e marrëdhënieve të forta ndër-shtetërore.

"Lidhur me këtë, kontributi i dhënë nga përfaqësuesit turq në KFOR e EULEX duhet të theksohet," tha ajo. Turqia ka një prani prej 380 ushtarë e policë në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it të kryesuar nga NATO. Trupat turke janë të vendosura në Prizren e Mamushë, që kanë pakica turke.

Ndërsa prania ushtarake turke përbën një degë të politikës së jashtme ndaj Kosovës, TIKA, agjencia e ndihmës së zhvillimit të Turqisë e Qendra Kulturore Junus Emre, "ofrojnë një kontribut tjetër të dobishëm ndaj marrëdhënieve tona ndër-shtetërore," tha ajo.

Që kur TIKA hapi një zyrë më 2004, ajo ka zbatuar më shumë se 200 projekte në administratën publike, shëndetësi, arsim, kulturë e bujqësi, duke përfshirë ndërtimin e ndërtesës së Komunës së Mamushës e restaurimin e xhamisë së kohës otomane Mehmet Fatih në Prishtinë.

Në një metodë diplomatike me shumë aspekte ndaj Kosovës, Ozani tha: "Si Turqi, do të dëshironim të kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën në çdo fushë. E njëjta dëshirë gjithashtu është vënë re me kënaqësi nga ana e Kosovës."

Duke folur për SETimes në Takimin e Nivelit të Lartë të Udhëheqësve të Ballkanit 2011 në Nju Jork, në shtator, Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj vuri gjithashtu në dukje marrëdhëniet "e shkëlqyera" mes Turqisë e Kosovës.

"Por në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar të nxisim marrëdhëniet mes kombeve, mes popujve," tha ministri i jashtëm, duke shtuar se komunikimi e kontaktet nga një shoqëri në tjetrën janë shumë të rëndësishme për një vend të vogël.

Lidhur me këtë, Ozani thotë se turqit e Kosovës "janë ndërmjet urave më të vlefshme mes të dy vendeve tona."

Veprimtaritë kulturore si Festivali turk i Xhazit dhe Java e Filmit Turk janë bërë gjithashtu një traditë, ndërsa telenovelat turke janë gjithnjë e më të admiruara.

"Gëzohemi nga fakti se seritë televizive turke, artistët turq, si në të gjitha vendet në rajon, pëlqehen edhe në Kosovë," tha Ozani.

Ardita Hysenaj, kreu i Qendrës së Studimeve të Kulturës në Prishtinë, pranoi se telenovelat kanë një ndikim në ndryshimin e qëndrimit të njerëzve në Kosovë ndaj Turqisë.

"Telenovelat u tregojnë atyre [kosovarëve] sesi jeta e tyre ka gjëra të përbashkëta me kulturën e mënyrën turke të jetesës. Kjo ndikon që të mendojnë ndryshe nga ç'mendonin," tha Hysenaj.

Ndonse disa në Kosovë janë kritikë ndaj Perandorisë Otomane, ambasadorja thotë se shumë komunitete shqiptare e boshnjake në Turqi e Ballkan kanë perceptime pozitive për Turqinë, mbështetur në respektin e ndërsjelltë për historinë e përbashkët të tyre.

"Eshtë normale të kesh ndryshime në perceptimet e komentet e historisë. Mendoj se historia nuk duhet të përdoret për të ndarë vendet e shtetet. Në vend të kësaj, duhet të jemi konstruktivë e të shfrytëzojmë mundësitë e gjërave të mira që historia na ofron, si miqësia e paqja," tha Ozani.

Mbështetur në këto vlera të përbashkëta, ambasadorja thotë se ndërmarrjet turke kanë një stimul që të investojnë në vende si Kosova.

Turqia është partneri tregtar i katërt më i madh i Kosovës, pas Serbisë, Maqedonisë e Gjermanisë. Turqia eksportoi 265.9 milionë dollarë në mallra në Kosovë më 2011, ndërsa Kosova eksportoi në Turqi 10.1 milionë dollarë.

Sipas Ozanit, vlare gjithsej e investimeve të sektorit të biznesit privat në Kosovë qëndron në 277 milionë dollarë, ndërsa vlera e projekteve kontraktuese është gati 1 miliardë dollarë. Investimet janë përqëndruar në arsim, shëndetësi, ndërtim e tenderat e privatizimit. Sektori i biznesit privat turk në Kosovë punëson afër 3,200 punonjës në një vend që është rrënuar nga normat e larta të papunësisë dhe varfëria.

"Ky sektor është shumë i interesuar në projektet e infrastrukturës," nënvizoi Ozani.

Kosova në fund të fundit synon të integrohet në institucionet euro-atlantike si NATO e BE dhe Turqia ka vendosur mbështetjen e saj pas integrimit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar të vendeve.

Ndërsa nuk është përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE, Ozani tha se Turqia mbështet me forcë procesin e dialogut.

"Mbështetur në këtë, dëshiroj të them se mbrojtja e pavarësisë, sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës e të gjitha vendeve në rajon është mes elementeve thelbësore të sigurimit të paqes në Ballkan."

 (SETimes.com)

http://www.kosovahaber.net/ E Mërkurë 22 Maj 2013 12:44