Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 21 Prill 2021

Komuna merr instruksione për zbatimin e Ligjit të Qendrës Historike

E Hënë 28 Janar 2013 14:59

Drejtuesit e Komunës së Prizrenit, pos që janë inkurajuar nga përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në Kosovë për zbatimin e Ligjit për Qendrën Historike, kanë pranuar instruksione të qarta nga niveli qendror për jetësimin e këtij legjislacioni. Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka përpiluar një udhëzues për zbatimin e këtij ligji, përmes të cilit sqarohen përgjegjësitë e pushtetit lokal në këtë aspekt, shkruan sot “Koha Ditore”. Në pjesën hyrëse të udhëzuesit të MMPH-së sqarohet se "qëllimi i Ligjit është përcaktimi i rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohor të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e Veçantë e Mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar".

Si hap i parë, përshkruhet formimi i Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, i përbërë nga 7 anëtarë, 3 përfaqësues të bashkësive fetare, 3 të shoqërisë civile dhe një anëtar nga Zyra Komunale për Kthim dhe Komunitete. Dokumenti i MMPH-së thekson se detyrë e Këshillit është vëzhgimi dhe këshillimi rreth aktiviteteve në këtë zonë, derisa përfaqësuesi i ZKKK-së duhet të konsultohet me komunitetet dhe të përfaqësojë mendimet e tyre në këtë trup. Udhëzuesi sqaron se anëtarët e Këshillit emërohen prej Kuvendit të Komunës për një periudhë 3-vjeçare, përmes procedurës publike, të cilët më pas e zgjedhin kryesuesin e Këshillit me votim të fshehtë.

"Këshilli takohet së paku një herë në çdo tre muaj dhe publikon punën e tij dhe i raporton KK-së", thuhet në këtë shkresë të MMPH-së. Më tej, DUPH-ja udhëzohet që në baza javore të përpilojë listën e pranuar të kërkesave për projekte, e cila duhet të jetë në dispozicion të Këshillit dhe të publikut. Secilën kërkesë DUPH-ja duhet t'ia dorëzojë IMMH-së dhe kryesuesit të Këshillit, që ka të bëjë me leje urbanistike, ndërtim, rrënim apo ndryshim të objekteve.

"IMMH-ja sipas legjislacionit për trashëgiminë kulturore jep ose refuzon pëlqimin brenda 15 ditësh. Këshilli konsultohet me pronarin...Nëse dikush nga anëtarët e Këshillit ka ndonjë kundërshtim/vërejtje për një projekt ai ka të drejtë që të kërkojë konsultime shtesë...Në qoftë se pas 15 ditësh në DUPH nuk arrin asnjë kundërshtim ose kërkesë për konsultim shtesë atëherë mund të procedohet me lëshimin e lejes", thuhet në udhëzues. Ndërsa nëse ka ankesa atëherë parashihen konsultimet shtesë që shërbejnë për arritjen e konsensusit për ndryshimin e projektit. Në qoftë se brenda 15 ditësh nuk ka marrëveshje, atëherë DUPH-ja është e autorizuar që të lëshojë apo refuzojë lejen sipas Planit të Konservimit dhe të Ligjeve në fuqi.

"Kundër vendimit të DUPH-së mund të ushtrohet ankesë në MMPH...Vendimin rreth ankesës MMPH-ja e merr në konsultim me MKRS-në dhe Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Në përputhje me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, kontestet që kanë të bëjnë me KOS-in i referohen KZM-së përmes MMPH-së, MKRS-së, KKTK-së dhe nëse është e nevojshme gjykatës kompetente", thuhet në këtë dokument, i cili po ashtu parasheh krijimin e Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit sikurse edhe ndërmarrjen e aktiviteteve inspektuese në këtë zonë në fushën e urbanizimit, ndërtimit, trashëgimisë kulturore dhe shërbimeve publike.

Bazuar në Ligjin e QHPz-së, KK-ja e Prizrenit një muaj më parë ka miratuar vendimin për themelimin dhe funksionimin e Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, përkundër dilemave që janë shtruar nga anëtarët e opozitës.

Drejtori i DUPH-së, Sadik Paçarizi, ka konfirmuar pranimin e udhëzuesit nga MMPH-ja dhe ka deklaruar se komuna e Prizrenit do të veprojë në bazë të këtyre instruksioneve. "Në mbështetje të Ligjit dhe të udhëzimeve të MMPH-së është themeluar Këshilli dhe tani pason procedura e përzgjedhjes publike të anëtarëve të tij. Pas funksionalizimit të plotë të Këshillit do të vazhdohet me hapat e mëtejmë, me synimin që me zbatimin e Ligjit të mbrohet Qendra Historike e Prizrenit", ka thënë Paçarizi.

Ditë më parë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, pati nxitur kryetarët e komunave të Prizrenit dhe Rahovecit që të ndërmarrin hapa konkretë në zbatimin e ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Hoçën e Madhe, në një takim të organizuar nga ministri i MMPH-së, Dardan Gashi. Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë edhe ambasadori Moschopoulos, ndërmjetësuesi i BE-së për Mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, dhe Kelly Degnan, zëvendësshefe e Misionit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Me këtë rast Zhbogar ka shprehur gatishmërinë e Zyrës së BE-së për të përkrahur komunat për të siguruar zbatimin në kohë të këtyre ligjeve, dhe i ka ftuar kryetarët e komunave që të tregojnë përkushtimin e tyre, duke ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Këshillave që kërkohen me të dyja ligjet.

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit ka hyrë në fuqi më 2 gusht të vitit të kaluar.

Procesi i hartimit të tij është përcjellë me protesta dhe kundërshti të shoqërisë civile të Prizrenit për shkak të mënyrës së menaxhimit të procesit nga prania ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës. Koalicioni i organizatave joqeveritare të Prizrenit pati kërkuar që pronësia mbi këtë proces t’i delegohet Komunës së Prizrenit dhe pati dorëzuar peticionin me mbi 10 mijë nënshkrime në instanca të ndryshme, por nuk pati arritur që të bllokonte nismën e Qeverisë së Kosovës dhe të ICO-së për miratimin e Ligjit. 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.