Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 03 Qershor 2020

Bota bardhezi zbërthehet me 39 imazhe

E Enjte 26 Shkurt 2015 23:27

Simbolet universale janë “brumi” i një vepre. Pavarësisht a paraqet diellin, hënën, yjet, shpezët a lumin, në qendër vë njeriun. Në ndërgjegjen e artistit turk Hasan Aycın simbolet janë ura që lidhin idetë e tij që më pas i hedh në letër. Sado të vjetra qofshin ato i shndërron në simbole të kohës. Ani pse këto vizatime janë karikatura, ai humorin dhe ironinë i konsideron si faktorë dekorues të artit të tij dhe nuk preferon që veprat e tij të quhen kësisoj. Janë thjesht vija

Fiks 39 vepra kanë zënë vend në muret e qendrës kulturore turke “Yunus Emre” të enjten në Prishtinë. Të gjitha këto vepra janë të punuara bardhezi dhe secila bart një mesazh më vete. Pasqyrojnë punën dhe temat që artisti i ka trajtuar gjatë 27 vjetëve. Në punimin e 1993-s, ku shihet një njeri i cili me dy duar mbulon kokën, paraqet këndvështrimin e qenies njerëzore ndaj botës. Aycın përplas të mirën dhe të keqen. Në punimin e 2010-s një krokodil ka përpirë një grumbull njerëzish dhe loton. E “lotët e krokodilit” kanë simbolikën e vet.

Për t’u kthyer sërish në vitin 1992, sjell imazhin e disa burrave tek ngjiten në kodër. Njëri u prin dhe shtron rrugën.

Aycın është një ndër themeluesit e revistës “Kayıtlar”, ndërsa veprat e tij tani botohen në revista të ndryshme në Turqi. Përveç këtyre publikimeve karikaturisti ka edhe shumë vepra të tjera të publikuara.

Për të folur më shumë rreth artit të tij, të enjten Ömer Lekesiz, kritiku i artit dhe autorit i librit "Gjuha dhe mesazhi në artin e karikaturës të ilustruar përmes karikaturave të Hasan Aycın" bashkë me shkrimtarin Cemal Şakar ishin prezentë të hapje të ekspozitës.

Lekesiz, i cili vitin e kaluar ka mbajtur ligjëratë në Prishtinë, ka thënë se Aycın ka një stil unik të shprehjes artistike. Sipas tij, veprat bartin mesazhe të shumta.

“Ai qëndron në atë që është e përgjithshme, me një fjalë në atë që është universale dhe për shkak të përgjithshmërisë së tyre ‘gjenezat’ i merr për bazë dhe ngjarjet konsiderohen diversitet i gjenezave edhe në momentet kur gjendja e përditshmërisë i shndërron në vija. Prandaj angazhimin e tij artistik ia ka bashkuar simboleve të botës”, ka thënë Lekesiz. Sipas tij, arti i Aycın dallon nga arti i kolegëve të tij “duke i mishëruar informatat e gjendjeve tek i shoqëron me buzëqeshje, në vend se ato t’i bëjë qesharake nëpërmjet karikaturizmit”.

Shkrimtari Cemal Şakar, i cili erdhi për herë të parë Kosovë, ka thënë se veprat e Aycın krijohen nga simbolet. Şakar ka thënë se artisti nuk preferon që punimet e tij të quhen karikatura.

“Artin e tij e quan vijë dhe insiston se arti që bën nuk është karikaturë, sepse karakteret apo simbolet i shndërron në mënyrë më humoristike, ndërsa ai thotë se bën vizatime apo vija. Arti i tij është spontan dhe jo me paramendim”, ka thënë Şakar. Sipas tij, Aycın bën art me gjërat e përditshme dhe simbolet që ai ndërthur janë universale.

“Vizatimet e kanë një simbolikë të veten. Simbolet që i ka zhvilluar Hasani janë universale. Ai merr qiellin, yjet, hënën, diellin, lumenjtë, shpezët, natyrën. Por në qendër ai vë njeriun, sepse i gjithë universi është i krijuar për njeriun. Këto simbole mund të ndahen në dy grupe: ato që përfaqësojnë të mirën dhe ato që përfaqësojnë të keqen”, ka thënë Şakar.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.