Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 03 Qershor 2020

“Dashuria” me vepra tradicionale turke shpaloset në “DAM Fest”

05 Prill 2015 00:15

E veshur me pantallona rozë, këmishë tradicionale turke dhe këpucë të kuqe, harpistja turke Shirin Pancaroglu u ngjit në skenë.
Në anën e saj të djathtë kishte zënë vend Mehmet Yalgin, i cili me vete në Prishtinë ka sjellë instrumentin e vjetër turk, të njohur si kemençe. E Bora Uymaz, në rolin e vokalistit dhe perkusionistit, zuri vend në anën e majtë të harpistes. Me vete ata kanë sjellë repertorin që e kanë titulluar “Dashuria”. Meloditë dhe këngët që janë pjesë e këtij repertori bartin histori në vete dhe përcjellin hapat e traditës Sufi të Anatolisë. Uymaz, i cili është një prej figurave më të rëndësishme të kësaj tradite në Turqi, ka kompozuar një pjesë të madhe të këtyre veprave.

Në këtë formë ai ka mishëruar të kaluarën me të sotmen. Ani pse në repertor kanë përfshirë himne, këngë apo instrumentale të vjetra, nuk mungojnë edhe improvizimet. Mbrëmja nisi me melodi, për të vazhduar me një himn, kompozim i Uymazit. Kjo pjesë përcillet edhe me vokal. Po ashtu, edhe dy pjesët e tjera. I këndohet dashurisë. Meloditë e vjetra qysh prej kohës së Perandorisë Osmane që gërshetohen me poezi të vjetra nuk tingëllojnë të panjohura. Këtë përshtypje sikur e forcojnë dy qilimat që kanë zënë vend në Sallën e Kuqe.

Risia e këtij koncerti, i cili u mbajt të shtunën mbrëma në kryeqytet, ishte instrumenti i quajtur kemençe. Publiku kosovar pati rastin ta shihte dhe të dëgjonte këtë instrument në koncertin e mbajtur në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit ndërkombëtar për muziktarë të rinj “DAM”. Kemençe, i cili ka origjinë në Mesdheun Lindor, është luajtur në Greqi, Iran dhe Turqi. Thuhet se janë dy lloje të këtij instrumenti. Ai i Detit të Zi dhe kemençe klasik. E Yalgin erdhi në Prishtinë me këtë të fundit.

“Kemençe i ka tre tela dhe luhet me thonj. Shumica e instrumenteve luhen me gishtërinj, por këtu është ndryshme. Duhet të krijohet kontakti në tel përmes thonjve”, ka thënë Yalgin, fill pas koncertit.

Për të luajtur në këtë instrument të vogël, përveç thonjve, instrumentisti përdor edhe harkun. Prandaj Yalgin ka pranuar se teknika e luajtjes në këtë instrument nuk është e lehtë.

Pjesën e dytë të koncertit trioja nga Turqia e vazhdoi me një këngë me tekst të poetit të njohur turk Miyazi Misri, ndërsa e përfundoi me një melodi të kompozuar nga Uymaz. Në këngët e tyre kjo trio ka përfshirë edhe melodi të poetit të njohur Yunus Emre. Ndërsa institucioni kulturor i cili mban emrin e këtij poeti mbështeti ardhjen e treshes nga Turqia.

Harpistja e njohur Pancaroglu ka thënë se këtë program zakonisht e luajnë pesë veta. Ajo ka treguar se veprat që kanë në repertor i dedikohen misticizmit.

“Ne përdorim poema që shpalosin traditën e Anatolisë, kështu që ne kemi përfshirë poezi mistike, shumica e të cilave janë për dashurinë. Dashuria në aspektin mitik”, ka thënë Pancaroglu, tek ka folur për temën e këtij repertori.

“Është temë interesante, sepse temën e dashurisë mund t’ia kushtojmë kujtdo në botë. Sepse nuk ka të bëjë me fenë, por me diçka më të madhe që shkon përtej saj”, ka shtuar ajo. Pancaroglu para publikut kosovar interpretoi për herë të dytë. Herën e parë kur ishte në Kosovë, me vete pati sjellë një repertor krejt më ndryshe. Duke qenë se ajo ka studiuar në Austri për harpë, repertori i saj është i mbushur me vepra klasike. Por, janë bërë gati tetë vite që kur ajo është kthyer në vendlindje, për të eksploruar rrënjët e muzikës turke.

“Në këtë formë zbulova se çfarë mund të bëj, sepse kisha një traditë të muzikës klasike, por doja të zbuloja se çfarë tjetër mund të bëja. Si të zhvillohem si muzikante. E duke qenë pjesë e këtij ansambli më lejon që të bëj më shumë, sepse ne luajmë veprat që i kompozojmë vetë, e po ashtu edhe ato që tashmë ekzistojnë. Kjo është një mundësi e mirë që të njihemi edhe me gjuhën dhe kulturën tonë më shumë, pasi që marrim poezi dhe i bëjmë këngë”, ka thënë Pancaroglu, tek ka shtuar se për të ky është një dimension krejt tjetër. Prandaj edhe kanë vendosur që për herë të parë ta sjellin në Kosovë repertorin, si trio. Risi për Pancaroglu ishte edhe harpa me të cilën ajo luajti. Ajo ka formuar një organizatë të sajën në Turqi, me qëllim të prezantimit të harpës për audiencën e gjerë turke.

“Harpa që luajti ishte e re edhe për mua. Ajo që solla me vete është më e vogël dhe më lehtë për ta bartur me vete. Është e punuar nga druri”, ka thënë Pancaroglu.

Për dallim nga harpistja e cila ishte më parë në Kosovë, Bora Uymaz erdhi për herë të parë. Ani pse salla nuk ishte e mbushur me publik, pas koncertit ai ka thënë se është ndarë i kënaqur me pritjen që ia kanë bërë.

“I lodhur, por shumë i lumtur”, ishin fjalët e tij të para, fill pas koncertit. Ai përveç këndimit, gjatë tërë mbrëmjes ka luajtur edhe në perkusione.

“Interpretuam para një audience të mrekullueshme sonte. Kur kemi njerëz të tillë ndiejmë edhe më shumë kënaqësi me atë që bëjmë”, ka thënë Uymaz, tek ka folur për pjesët që ai ka kompozuar.

“Ishte diçka më specifike që luajtëm më shumë pjesë të kompozuara nga unë në këtë koncert. Zakonisht kemi një repertor më të madh me vepra të tjera. Por sonte luajtëm shumicën e veprave të mia. Shirini dhe Mehmeti po ashtu kanë pasur vepra. Kjo është muzikë osmane që qëndron prapa veshëve tuaj”, ka thënë Uymaz.

I kënaqur me koncertin dhe pritjen nga publiku ishte dhe Yalgin.

“Ishte një koncert i bukur dhe u kënaqa. Njerëzit ishin shumë të ngrohtë dhe kjo ishte mrekulli”, ka thënë Yalgin. /koha/

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.