Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Premte, 14 Maj 2021

Mustafa premtoi përkrahje për DokuFestin

E Mërkurë 12 Gusht 2015 13:09

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, që zhvillohet tradicionalisht në Prizren.

Kryeministri Mustafa është takuar me drejtuesit e Festivalit, drejtorin ekzekutiv Eroll Bilibani dhe drejtorin artistik Veton Nurkollari si dhe pjesën tjetër të stafit të DokuFest-it.
Më pas ai ka vizituar ambientet ku shfaqen filmat dokumentar dhe të shkurtër si dhe ku zhvillohen pjesa tjetër e aktiviteteve në kuadër të DokuFest 2015.

Në një deklaratë për gazetarët e pranishëm, kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e madhe që ka për kulturën, për Prizrenin dhe për tërë Kosovën, ky Festival.

“Unë erdha të vizitoj një ngjarje shumë të rëndësishme kulturore e cila ka zënë fill dhe po zhvillohet në mënyrë të mrekullueshme falë dy faktorëve. Së pari Prizrenit, si një qytet dhe një vend i cili është shumë sfidues jo vetëm për kosovarët por edhe për evropianët dhe qytetarët tjerë dhe një ekipi të mrekullueshëm të njerëzve të cilët po punojnë këtu, të cilët po japin kontributin dhe energjinë e tyre dhe të cilët kanë treguar një kreativitet të hatashëm dhe po i japin emër të mirë jo vetëm Prizrenit por edhe Kosovës, në një ngjarje të rëndësishme kulturore”, tha kryeministri Mustafa.

Më tej, kryeministri Isa Mustafa po ashtu theksoi se është detyrë e Qeverisë dhe e Ministrisë së Kulturës, që të përkrah këtë ngjarje kulturore.

“Është detyrë e jona edhe si Qeveri edhe si Ministri e Kulturës, që ta përkrahim shumë më shumë këtë ngjarje kulturore, natyrisht më herët me rastin e përgatitjes së tyre sepse biseduam edhe më parë që ne nganjëherë po vonohemi me përkrahjen dhe pastaj krijohen komplikime sa i përket mbulimit të shpenzimeve dhe racionalizimit të të gjitha punëve. Do të bëjmë përpjekje që në të ardhmen të jemi së bashku dhe Qeveria ta jap kontributin e vet sepse këtë e meriton DokuFest-i, e meriton edhe Prizreni dhe veçmas ekipi, i cili po punon dhe po bënë një angazhim të mirë”, u shpreh kryeministri Isa Mustafa.

Ndërsa drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari tha se DokuFest ka nevojë edhe për përkrahje financiare e edhe moral.
“E vlerësojmë lartë ardhjen e kryeministrit, jo vetëm vizitën por edhe përkrahjen. Kryeministri sapo e shprehi atë që do të ketë përkrahje në të gjitha format. Por, DokuFest ka nevojë edhe për nevojë financiare dhe morale”, tha Nurkollari.
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.