Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Enjte, 13 Maj 2021

Kontrata me austriakët prishet të mërkurën

E Shtunë 12 Janar 2013 11:38

Ministria e Punëve të Brendshme pritet ta prishë të mërkurën kontratën me kompaninë austriake që prodhoi pasaportat biometrike OSD. Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se kompania obligohet ta paguajë doganën dhe TVSH-në për dokumentet e sjella në Kosovë. OSD ka pezulluar prodhimin e pasaportave, pasi që 1.4 milionë euro nuk iu derdhën në llogarinë rrjedhëse.

Kontrata për prodhimin e pasaportave biometrikë mund të prishet të mërkurën ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë austriake “Osterreichische Staatsdruckerei”, OSD.

Gjasat që kjo kontratë të prishet janë shumë të mëdha, meqë zyrtarë të kompanisë austriake insistojnë të mos paguajnë doganë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) për importimin e pasaportave biometrikë në Kosovë.

Tashmë Ministria e Punëve të Brendshme ka formuar një komision për të gjetur ndonjë modalitet për të kapërcyer këtë ngërç. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe zyrtarë të kompanisë austriake, e cila ka fituar tenderin për prodhimin e pasaportave për kosovarët.

Dardan Gashi, ushtrues detyre i Sekretarit Permanent në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë për Express se ky institucion ka formuar komision dhe deri të hënën pritet finalizimi i platformës se si të gjendet ndonjë alternativë për kapërcimin e ngërçit.

Ai ka qenë i prerë në qëndrimin e palës kosovare se në rast se austriakët nuk paguajnë doganë dhe TVSH për pasaporta, kontrata do të prishet.

“Të mërkurën dihet gjithçka, kur delegacioni nga Austria arrin në Kosovë për takim, por qëndrimi jonë është i qartë. Duhet të paguhen doganë dhe TVSH në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Tjetër zgjidhje nuk ka, përveç prishjes së kontratës”, ka thënë Gashi, shkruan Express.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë të dhënë për gazetën para tre ditësh.

“Kur është nënshkruar kontrata, sipas ligjeve tona, furnizuesi duhet të paguajë edhe TVSH dhe taksën doganore, edhe këtu e kemi një problem. Juristët e tyre mendojnë që mos të paguajnë TVSH dhe doganë, sepse po u kushton shumë dhe nuk e kanë llogarinë ekonomike. Ndërsa neve na obligon ligji që t’i bëjmë. Një grup ekspertësh nga të dyja palët do të propozojnë alternativat në çfarë mënyre të vazhdojmë furnizimin me pasaporta nga kjo kompani”, ka thënë Bajram Rexhepi.

“Janë dy mundësi: të gjejmë një zgjidhje racionale për të dyja palët ose nëse kurrsesi ata nuk binden, mund të vijë deri te shkëputja e kontratës. Nuk dua të paragjykoj, por nëse nuk ka zgjidhje, duhet të prishet”, vlerëson ai.

Edhe Rexhepi edhe Gashi kanë thënë se në rast të prishjes së kontratës, atëherë më procedurë të shpejtë do të hapet nj tender i ri për prodhimin e pasaportave në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa ta.

Prokurorja Drita Hajdari, prokurore e çështjes në lëndën e të pandehurës Natali Velija, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, njofton në një komunikatë për shtyp se ky rast që nga fillimi procedohet në bashkëpunim me një prokuror nga radhët e EULEX’it dhe se këtij rasti i është dhënë prioritet i nevojshëm, bazuar në seriozitetin që ka.

“Dihet se hetimi është i natyrës konfidenciale dhe ka për detyrë grumbullimin e provave relevante për zbulimin e veprës penale dhe kryesve të saj. Për këtë arsye, prokuroria nuk mund të jep informata për publikun lidhur me provat e grumbulluara, kur lënda është në fazën hetimore”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, ky parim i prokurorisë është keqpërdorur nga avokati i të pandehurës Velija, Tomë Gashi, i cili që nga fillimi ka penguar procesin hetimor duke publikuar informata, të cilat i ka mësuar në cilësinë e mbrojtësit të të pandehurës. “Përveç kësaj, avokati Gashi në shumë raste ka dezinformuar publikun, duke dhënë informata të pasakta për rastin, të cilat njëherësh i ka përdorur me qëllim të dëmtimit të imazhit të prokurorëve në sy të publikut, duke thënë se ata qëllimisht e neglizhojnë përfundimin e rastit. Në mesin e këtyre dezinfomatave është edhe ajo e thënë para mediave më 10 janar 2013 se: “prokurorët qëllimisht e kanë shtyrë marrjen në pyetje të të pandehurës Velija për ta zvarritur zhvillimin e hetimeve”, thuhet tutje në komunikatën e kryeprokurores së shtetit. “Prokurorja e rastit i njofton qytetarët se në këtë rast janë duke punuar me përkushtim të madh dhe pas përfundimit të hetimeve do ta informojnë opinionin e gjerë publik me rezultatin e këtyre hetimeve”.

Tomë Gashi ka reaguar ndaj deklaratës së prokurores Drita Hajdari, e cila e ka akuzuar atë për “pengim të procesit hetimor duke publikuar informata, të cilat i ka mësuar në cilësinë e mbrojtësit të të pandehurës”. E sipas avokatit Gashi, duket se është e qartë që prokurorja Drita Hajdari ka kohë të tepërt që të merret me njoftime pa kurrfarë vlere për opinionin kosovar, i cili është i shokuar me mosangazhimin serioz të saj dhe të tjerëve në çështjen Natali Velija, e cila ka shokuar publikun kosovar.

“Sa i përket prioritetit të hetimit të kësaj çështjeje, qytetarët e Kosovës e dinë se znj. Natali Velija tani që dy muaj gjendet në paraburgim dhe që dy muaj pa sukses është duke tentuar që t’i njoftojë prokurorët se si ka rrjedhur marrëveshja për 10% fituesin e tenderit – kompaninë austriake dhe kush është i përfshirë në marrjen e atij 10 % të parave të taksapaguesve kosovarë”, thekson Gashi.

Natali Velija, siç thuhet në reagim, është duke tentuar që dy muaj që ta informojë prokuroren Drita Hajdari se kush i mori 1.4 milionë euro, por pasi që prokurorja Hajdari e di edhe më mirë se Velijaj se kush i mori ato – sipas Gashit – “ajo nuk është e interesuar që t’i përshpejtojë hetimet”.

“Reagimi im do të përfundojë me njoftimin e prokurores Drita Hajdari se në ketë çështje nuk është lejuar inspektimi, kopjimi ose fotografimi i dëshmive në rastin penal kundër znj. Natali Velijaj dhe involvimi i çfarëdo avokati tjetër nuk do të duhej të ndikonte në shtyrjen e marrjes në pyetje të znj. Natali Velija të caktuar për datën 10.01.2013”, sqaron Gashi. Posaçërisht, sipas tij, kjo nuk do të duhej të ndodhte kur ai është avokati kryesor në çështjen e Natali Velijajt. Drita Hajdari do të duhej më shumë të punonte dhe më pak të reagonte sepse këtë e pret populli i Kosovës nga ajo si prokurore”, thuhet në fund të reagimit të avokatit Gashi.

Në intervistën e dhënë për Express, Rexhepi ka gabuar pa qëllim numrin e zyrtarëve të MPB-së që nuk e kanë kaluar verifikimin e bërë nga AKI.

“Në vend se të them 5 veta nuk kanë kaluar, kam ngatërruar numrin 20. Kërkoj ndjesë nga zyrtarët e MPB dhe lexuesit”, thotë ai. /Telegrafi/

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.