Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 28 Tetor 2020

Islami dhe komunizmi - Faik Miftari

E Enjte 26 Shtator 2012 10:59

                            Islami dhe komunizmi

                                     Pjesa e parë

    Kohë më parë në shtypin ditor  si dhe në disa ueb portale në internet, pata rastin të lexojë një hulumtim të bërë nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, të autorëve Artan Haraqia dhe Visar Duriqi, të përkrahur nga fondi danez për gazetari hulumtuese ”Scoop”. Edhe pse me rastin e leximit të këtij hulumtimi të kryer mendoja se do të has në një analizë të mirëfilltë hulumtues studiues, rreth tematikës në fjalë ”Radikalizimi i Islamit rrezik apo fobi”,  pas leximit u zhgënjeva pasi që ky hulumtim nuk tregonte diç tjetër, por  ishte një përmbledhje e shkurtër e shkrimeve  të mëparshme, të njohura për opinionin e gjerë, përveç hulumtimit  për OJQ ”AKEA”, dhe atë në mënyrë jo të plotë.
    Kjo ishte shkas që më nxiti të shkruaj një shkrim më të gjerë për tematikën në fjalë, gjegjësisht për konceptin politik të Islamit. Por, për një shkrim të tillë me rëndësi është që përveç  njohurive për një hulumtim të tillë,   të jesh i mishëruar me problemin në fjalë, të ndien atë, të jeton me atë dhe të jesh krenar me atë që i përket, në rastin konkret të civilizimit islam.
    Për të analizuar konceptin politik të Islamit të sotshëm, është me rëndësi që të marr si bazë gjysmën e dytë të shekullit XX,  dhe atë pikërisht vitet 1979, 1989 dhe vitin 1999, si vite që kanë shënuar kthesa të mëdha politike, historike, shoqërore në botë . Viti 1979 në historinë më të re botërore  do të mbetet i shënuar si vit i rilindjes politike të muslimanëve në botë në gjysmën e dytë të shekullit XX pas një periudhe ngecjeje politike islame që nga viti 1923 me rastin e përmbytjes së Perandorisë Osmane dhe rrënjës së gati tërë botës Islame në kthetrat e pushtimit kolonial.
    Në vitin 1979 ngadhënjeu Revolucioni Islamik në Iran, dhe u përmbys perandoria safavide qindra vjeçare e shahut të Persisë së dikurshme të Reza Pahllavit. Pas përpjekjeve disa vjeçare dhe gjakderdhjes së shumtë, ku u flijuan rreth 100.000 dëshmorë, u realizua revolucioni dhe u vendos sistemi i pushtetit islam teokratik i doktrinës shiite, që i përket shumica e popullit në Iran.
     Ngadhënjimi i Revolucionit Islamik i Iranit në mënyrë tërthortë shpërndau shkëndijat e saja dhe se dukshëm  ndikoi në  një ringjallje të aktiviteteve të organizatave, lëvizjeve dhe grupimeve politike të ndryshme t’i quajmë, proislame, anekënd botës Islame, si në Turqi, Egjipt, Tunis, Liban, Palestinë, e kështu me rrallë, dhe se slogani më i përhapur i asaj kohe ishte ”Allahu ekber, Homeini rehber” që do të thotë ”Allahu është më i madh, Homeini është udhëheqës” i cili shkruhej e dëgjohej anekënd botës Islame. Por, për të frenuar sado pak këtë revolucion islamik të Iranit, qarqet e caktuara vendimmarrëse botërore e cytën diktatorin e Irakut Sadam Hyseinin në një aventurë ushtarake, i cili e sulmoi Iranin në vitin 1980 me të gjitha mjetet dhe kapacitetet ushtarake, luftë e cila zgjati plotë tetë vite, si pasojë rënë viktima mbi 1 milion njerëz dhe me miliona tjerë  të plagosur,  të burgosur, të shpërngulur dhe të pastrehë. Edhe pse me të madhe Iraku furnizohej me armë më moderne dhe të sofistikuar, në anën tjetër udhëheqja e re shtetërore iraniane përballej me problem të shumta, që nga mungesa e kapaciteteve ushtarake në saje të përballjes së një anshme të vënies  së embargos nga shtetet të cilët gjer në atë kohë e furnizonin ish shahun e përmbysur të Iranit, Reza Pahllavin, si dhe mungesës së kapaciteteve udhëheqëse ushtarake, pasi që shumica e gjeneralëve kishin dezertuar apo larguar për shkak të ndërrimit apo transformimit të pushtetit politik nga monarkia mbretërore në udhëheqje islamike . Dhe nuk i mbeti gjë tjetër lidershipit dhe udhëheqësit të atëhershëm të Iranit, imam Homeinit i cili pas këshillave të shumta nga këshilltarët e tij ushtarak, se lufta ishte e kotë që të zgjatej më tutje pasi që  nuk do të ketë fitues, imam Homeini  solli vendimin për ndërprerjen e luftës dhe shpalljen e paqes.
    Por pas përfundimit të luftës, armatimi i sofistikuar mbeti  në duart e diktatorit irakian, qarqet e caktuara të përafërta me të, e cytën prapë Sadam Hyseinin në një aventurë të dytë, dhe se në vitin 1990 kreu invazion dhe e pushtoi Kuvajtin, pas së cilës pasoi reagimi i shpejtë i qarqeve botërore vendimmarrëse të cilët i shpallën luftë Irakut dhe pas një kohe të shkurtër e rikthejnë prapa Sadam Hyseinin dhe trupat e tij ushtarake nga Kuvajti, dhe që goditjen përfundimtare dhe vdekjepruse atij dhe regjimit të tij i dhënë në vitin 2003, me rastin e pushtimit të Irakut nga SH.B.A-ja dhe aleatët e saj, dhe se së fundi edhe përfundoi jetën e tij, i varur pas një kohe pasi që u kap pas strehimit dhe fshehjes së tij.
Sido që të jetë, Revolucioni Islamik i Iranit, ishte katalizator, që rilindi, ringjalli, përshpejtoi aktivitetet e shumta të grupacioneve dhe organizatave të ndryshme  si në aspektin shoqëror, kulturor, politik në përgjithësi në botën Islame anekënd globit tokësor.
 Medoemos edhe kjo jehonë e  përmasave botërore u reflektua edhe në Bosnjë e  Kosovë,  me ç’rast nxiti   ripërtëritjen e  ndjenjave politike  edhe pse ishte koha e sundimit vetëqeverisës socialist në atë kohë në ish Jugosllavi.
    Në Bosnjë e Hercegovinë filluan aktivitetet e para në ripërtëritjen e ndjenjave fetare, politike, kombëtare të boshnjakëve, të cilët përveçse ndjenjës fetare islame që i përkisnin , përkatësia kombëtare e tyre ishte e ndaluar dhe se nuk kishin të drejtë të quanin veten boshnjak. Vend tubimi i mbledhjes, në të cilin u rilindën  ndjenjat politike dhe fetare islame ka qenë mesxhidi i Tabakëve në Sarajevë nga i cili lindi, inspiroi, zhvilloi dhe vazhdoi i tërë ky aktivitet për ringjalljen e ndjenjave fetare ,kombëtare, islame e politike  të boshnjakëve. Në vitin 1983 u kurdis procesi i montuar në Sarajevë kundër grupit të intelektualëve musliman në krye me udhëheqësin e saj Alia Izetbegoviq, si dhe anëtareve, Behmen, Kasumagiç, Çengiç, Spahiç, Latiç, Biçakçiq etj., i cili proces bëri jehonë të madhe në tërë ish Jugosllavinë, si dhe në arenën ndërkombëtare të asaj kohe.
     Ky proces shërbeu si katalizator i ringjalljes  edhe më të  madhe të ndjenjave islame fetare  e kombëtare boshnjake të masave të gjera në Bosnjë, e më vonë gjatë viteve 90-ta  me rastin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, dhe se ky grup i intelektualëve u vu në krye të organizimit shtetformues të lëvizjes dhe rezistencës së armatosur kundër agresionit serbomadh mbi Bosnjën e Hercegovinën, si dhe të krijimit të kombit boshnjak dhe të shtetit të Bosnjës e Hercegovinës.
    Për dallim nga Bosnja  në të cilin lëvizja politike  kombëtare bazohej dhe  ishte e sajuar në kuptimin politik të Islamit dhe të civilizimit Islam që i përkisnin, në Kosovë kemi një rilindje të ndjenjave politike kombëtare, me ç’rast edhe  shpërthyen  demonstratat e studentëve dhe popullit shqiptar në vitin 1981 në Kosovë për Republikën e Kosovës, në të cilin aktiviteti kombëtar shqiptar zhvillohej në një kah të kundërt me atë boshnjak, pasi që  në Kosovë aspak nuk merrej parasysh e bile bile edhe luftohej në mënyrë më të ashpër civilizimi  Islam, sepse i tërë brumi i rilindjes kombëtare ishte sajuar në baza dhe ide komuniste(marksiste leniniste, enveriste e titiste) e që të gjitha këto teza ishin  kryekëput antiislame. Të gjithë krerët e atëhershëm të lëvizjes politike në Kosovë, që nga Adem Demaçi,  Hyseni, Lajqi, Hoti, Gërvalla, Zeka, Shatri, Xhemajli, etj., ishin me bindje dhe përcaktime marksiste, leniniste, enveriste e më tutje gjatë viteve nëntëdhjeta të lëvizjes pacifiste rugoviane, edhe titiste.
            Sa për të ilustruar këtë, do të cek një  shembull,  bisedat politike që janë zhvilluar në burgun e Foçës viteve tetëdhjeta në mes delegacionit boshnjak dhe shqiptar të krerëve politik të asaj kohe, që i vuanin dënimet me burg në atë kohë si shqiptarët ashtu edhe boshnjakët.
Po e paraqes këtu vetëm një rezyme  të bisedës nga i cili lexuesi mund të kuptojë   thelbin e dallimeve të të dy lëvizjeve politike, asaj boshnjake dhe kosovare, konceptit politik islam dhe konceptit politik komunist :
    “ Shqiptarët janë popull musliman, dhe se kjo është arsyeja kryesore që ne përkrahim luftën dhe përpjekjen e juaj për liri kombëtare. Shqiptarët u shqetësuan pa masë me këto fjalë. Kryesuesi i delegacionit shqiptar u përgjigj se në  tezat e juaja janë disa qëndrime të gabuara, sepse sipas mendimit të tyre, religjioni ka luajtur rolin negativ në historinë e popullit shqiptar dhe se i ka shërbyer okupatorit. Religjioni sipas tyre është i tejkaluar dhe i panevojshëm për popullin shqiptar në luftën e tyre për  lirinë dhe të drejtat kombëtare, përfundoi kryesuesi i delegacionit shqiptar. Atëherë ju jeni  i vetmi popull në planetë që mund të jetojë pa fe, por mendimi ynë është se shumica e popullit shqiptar nuk e përkrah këtë mendim, iu përgjigj kryesuesi i delegacionit boshnjak, vetëm marksizmi leninizmi ka pru progres popullit tonë, u përgjigj kryesuesi i delegacionit shqiptar. E po mirë atëherë, ju vazhdoni me rrugën e juaj, ajo është mendimi i juaj, por ne edhe  më tutje do të përkrahim luftën e popullit shqiptar për liri dhe barazi. Biseda përfundoi dhe ne vazhduam gjatë gjithë kohës të jemi miqtë të mirë”. “Kujtime” nga Alia Izetbegoviq.
    Do të shtoja kësaj një thënie e urtë të Plutarkut: “ mund të gjejmë qytete pa bedene, pa sundimtar, pa qytetërim, pa letërsi, pa teatër, por qytete pa tempuj fesh e pa banorë që nuk luten, nuk u panë kurrë”.

                                           


   25.09.2012                                                                Faik MIFTARI
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.