Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 28 Tetor 2020

Kuba, 1963 & Siria, 2013- Faik Miftari

E Enjte 17 Shtator 2013 09:21

Kuba, 1963 & Siria, 2013

          Para plot 50 vitesh, në vitin 1963 ndodhi kriza raketore në Kubë, ku  bota ishte buzë Luftës së Tretë Botërore, Kenedi dha urdhër anijeve luftarake të SHBA-ve të rrethojnë  Kubën për të parandaluar depërtimin e anijeve luftarake të ish BRSS-së (Rusisë së tanishme) për të vendosur raketat në Kubë të cilët do të ishin një kërcnëmin serioz për sigurinë e SHBA-ve. Në çastin  e fundit Hrushçovi jep urdhër për kthimin e anijeve luftarake prapa, me të cilin urdhër ish BRSS-ja(Rusia) u zbraps dhe u tërhoq prapa me të cilin edhe u evitua edhe kërcnimi më serioz i shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore në atë kohë. Në atë vitë, 1963, sapo isha i lindur, dhe babai i im, rahmet i pastë shpirti, shpesh më thoshte “ se ke lind në momentet më të vëshira të asaj kohe, kur bota ishte buzë Luftës së Tretë Botërore, por se ishe me fat, që nuk e përjetove sapo ishe foshnje e sapo lindur”. Shpesh më tregonte për karikaturën në shtypin e atëhershëm, e cila atë kohë kishte bërë bujë, në të cilin në të dy anët e murit të Berlinit(muri ndarës i dy blloqeve të atëhershme në Gjermani) ishin paraqitur nga një person i vizatuar, e  të cilët përfaqësonin SHBA-në dhe BRSS-në, dhe pëshpëritnin në mes vete pran murit të Berlinit” luftë, luftë, luftë”!
          Pas plot 50 vitesh, viti 2013, bota ishte seriozisht prap buzë Luftës së Tretë Botërore, por tani në rastin e Sirisë, por me protagonist të njëjtë, të SHBA-ve dhe Rusisë, dhe me kryetarët aktual, Obama dhe Putini. Si atëherë, ashtu edhe kësaj herë në çastin e fundit, mbisundoi logjika racionale, dhe bota evitoi kërcënimin më serioz të rrezikut nga shpërthimi i Luftës së Tretë Botërore, me ç’rast edhe pse  anijet luftarake të Rusisë ishin rradhitur buzë brigjeve të bregdetit sirian dhe ishin  ballë për ballë  anijeve luftarake të SHBA-ve, dhe për një çast u shkrepën edhe dy raketa testuese balistike në Detin Mesdhe,  përflitet se njërën e shkatëruan rusët, tjetrën amerikanët, por në çastin  e fundit, kësaj rradhe ishin SHBA-ja dhe Obama, të cilët u tërhoqën dhe i dhanë rast  marrëveshjes politike, e cila edhe u arrit pas disa ditësh bisedime në Gjenevë në mes Kerit dhe Lavrovit, lidhur me asgjësimin e armëve kimike të regjimit sirian të Bashar Asadit.
          Pas kësaj ngjarjeje, bota do të pësoj ndryshime të mëdha, do të hyjë në një fazë të re, pasi që tani e tutje do të kemi prap në skenën  globale dy blloqe apo më mirë të themi dy sfera, dy pole me interesa ekonomike, politike, strategjike, energjetike, ushtarake, që ndryshojnë  në mes vete nga këndvështrimet dhe perceptimet e tyre politike për botën, në njerën anë është SHBA-ja me aleatët e saj, Britaninë e Madhe, Israelin,  Gjermaninë, Francën, Italinë, Turqinë, Egjyptin, Arabinë Saudite e tjerë, dhe në anën tjetër kemi Rusinë, me aleatët e saj, Kinën, Indinë, Indonesinë, Iranin, Sirinë e  tjerë.
          E tëra nisi me fillimin e ashtuquajtur të revolucioneve “demokratike” arabe, që pas një kohe të gjatë të diktaturave prezente aktuale me dekada anembanë botës arabe, për popujt arab lindi një shpresë e re në horizont se edhe ata më në fund do të nisin t’i mposhtin diktaturat dhe të frymojnë lirisht dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlament dhe kryetarët e shteteve në zgjedhje shumëpartiake të lira demokratike. Nisi me sukses në Tunis e Egjypt, vazhdoi në Libi e Jemen, akoma është duke vazhduar në Siri e Bahrein, por me grushtetin apo puçin ushtarak të kryer në Egjipt, ku u përmbys  Mursi, kryetari i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike  me votën e lirë të zgjedhësve, si dhe u shpërnda parlamenti  dhe u shfuqizua kushtetuta e vendit e votuar në referendumin gjithëpopullor, u përmbysën proçeset e sapo filluara demokratike, dhe se në shesh dolën se këto kanë prapavi  tjera politike, aspak demokratike,  por intersat e ndryshme politike, ekonomike, strategjike, ushtarake, eneregjetike e tjerë, varësisht  se cilit tabor apo bllok sferash  i takojnë.Grushteti ushtarak i kryer nga gjenerali Sisi dhe ushtria egjyptiane, jo që nuk u kundërshtua si një atak i drejtpërdrejt ndaj demokracisë, por heshtas u mbështet nga SHBA-ja, shtetet evropiane(Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia), Israeli, e shtetet e pasura arabe me naftë dhe gas(Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët edhe financiarisht me miliarda dollar i shpërblyen krerët e huntës ushtarake të Egjyptit).
          Edhe pse në Siri populli sirian u çue në protesta mbarëpopullore kundër regjimit të diktatorit Bashar Asadit, për të kërkuar lirinë dhe demokracinë sikurse në shtete tjera arabe, por se gradualisht me kalimin e kohës, ky revolucion i sapo filluar demokratik  devijoi në një luftë të mbrendshme civile,  sektare, duke ardhur nga shumë  shtetet e ndryshme të botës vullnetarët e shumtë të cilët si  në numër ashtu edhe në supe janë duke mbajtur dhe udhehequr luftën kundër ushtrisë siriane dhe regjimit të Bashar Asadit, jo për qëllime demokratike, por për qëllime ideologjike, doktrinare e sektare. Por rasti i Sirisë tregoi haptas në skenë interesat e ndryshme dhe diametralisht të kundërta të palëve luftarak të cilët janë duke marr pjes në luftën në Siri plot 2 vjet e gjysëm. Në njerën anë kemi SHBA-në me aleatët e saj perëndimor(Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë etj.), e mbështetur nga Israeli, Turqia, shtetet e pasura me naftë të gjirit arab (Arabia, Katari, Kuvajti, Emiratet etj), të cilët e mbështesin me të gjitha mjetet opozitën siriane dhe vullnetarët e shumtë myslima nga të katër anët e botës në luftën  e tyre kundër regjimit të Bashar Asadit, dhe në anën tjetër kemi Rusinë, Kinën, Iranin, të cilët e mbështesin me të gjitha mjetet regjimin aktual të Bashar Asadit dhe për këto tri shtete të lartëcekura, Siria është vija e kuqe, të cilin në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë të humbasin prej ndikimit që kanë, dhe që Siria të kalojë në taborin e bllokut të kundërt.
          Janë tri premisa kryesore që janë duke u zhvilluar në prapavi të luftës së Sirisë, e të cilët duan njëra apo tjetra palë të realizojnë në dëm të tjetrës e në dobi të vetës.
          E para, politike, SHBA-ja me aleatët e saj, janë duke u përpjekur që me çdo kusht që të rrëxojnë regjimin e Bashar Asadit dhe të largojnë ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Iranit, duke instaluar një qeveri “demokratike” e cila do të jetë nën ndikimin dhe kontrollin e tyre të drejtëpërdrejtë, e kundër  të cilit në mënyrë më të ashpër është duke rezistuar Rusia me aleatët e saj për të mos humbur ndikimin dhe kontrollin politik që kanë mbi Sirinë në përgjithësi dhe në regjimin e Bashar Asadit në veçanti.
          E dyta, strategjike, SHBA-ja me aleatët e saj janë duke u përpjekur të thyejnë boshtin e rezistencës propalestineze apo aleancën ushtarake që paraqet rrezik për sigurinë dhe mbrojtjen e Israelit nga ndonjë sulm apo luftë eventuale ndaj tij, e Siria paraqet boshtin krysor të kësaj aleance, dhe me rrënjen e Sirisë, bie automatikisht Libani (Hizbullahu), Gaza (Hamasi), dhe mbetet i vetmuar vetëm Irani, i cili edhe ashtu gjeografikisht është larg Israelit. E ndaj kësaj përpjekjeje më së shumti është duke rezistuar Irani, i cili edhe haptas ka deklaruar se Siria paraqet vijën  e kuqe për sigurinë e Iranit, dhe se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë mposhtjen dhe humbjen e saj.
          E treta, energjetike, dhe sipas mendimit tim ndoshta edhe kruciale, në prapavi të luftës janë gërshetuar interesat e korporatave të fuqishme energjetike të cilët janë duke luftuar për shtrirjen dhe ndërtimin e gasësjellësëve të reja drejt Europës, me qëllim   të përfitimit  të tyre nga distribuimi i naftës dhe gasit nga vendet e pasura arabe me naftë. Në njërën anë kemi korporatat e fuqishme botërore të cilët dëshirojnë  të ndërtojnë gasësjellësin prej Katarit( janë gjetur në kohët e fundit rezervat e shumta të gasit nëntokësor) në drejtim të Arabisë Saudite, Jordanit dhe Sirisë  duke dal në brigjet e detit Mesdhe nga e cila më tutje do të vazhdojë me furnizimin e Evropës Perëndimore me gas, me të cilin do të ulet edhe varshmëria  me gas e Evropës nga Rusia. Në anën tjetër janë korporatat rivale që dëshirojnë të ndërtojnë gasësjellësin prej Iranit(pasi që në kohën  e fundit janë gjetur rezerva të shumta të gasit nëntokësor, krahas naftës që e posedon), nëpërmjet Irakut e drejt brigjeve të Sirisë në detin Mesdhe për të vazhduar drejt furnizmit me gas të shteteve të Evropës.
          Vrasjet, helmimet, plagosjet, gjymtimet, të qindra, mijëra njerëzve të cilët mbesin pa kulmë mbi krye, me ekonomi familjare të shkatëruara, me fëmijët të mbetur jetim, infrastruktur të shkatëruar, me miliona të shkapërderdhur nëpër kampet e refugjatëve,  paraqesin vetëm të ashtuquajtura”dëme kolaterale”  të cilët nuk çojnë peshë, por me të gjitha mjetet e duhura dëshirojnë të realizojnë qëllimet e tyre të hartuara dhe programuara më parë.
          Humbësit më të mëdhenj në të gjithë këtë katrahurë janë myslimanët në përgjithësi të cilët nuk i kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë të gjitha lojërat dhe prapavijat e këtyre luftërave të cilët nodhin mbi ta, apo janë aq të dobët dhe shkurt pamës, sa që merren më me dëshirë në mes vete t’i qërojnë hesapet për shkak të përkatësive të ndryshme ideologjike, duke mos kursyer as jetët e tyre, por edhe civilëve të pafajshëm të cilët i sakrifikojnë si rrëke për interesat e veta doktrinore sektare, e për të cilin para ca ditës dha një deklaratë edhe kryeministrit israelit Benjamin Natanjahut për këtë dukuri aktuale prezente në mes  të myslimanëve ” gjersa myslimanët e sotshëm janë në kulminacionin e luftës  sektare në mes vehte, ne kurrë më të përbashkuar nuk kemi qenë”.
 
 
         16.09.2013                                                        Faik MIFTARI
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.