Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Hënë, 26 Tetor 2020

Kosova dhe Palestina - Faik Miftari

E Enjte 10 Tetor 2013 12:49

Kosova dhe Palestina
 
          Ditë më parë, saktësisht me datë 26 shtator 2013, Tajlanda e njohu shtetin e Kosovës , dhe se kjo ishte njohja e 104 e shtetit të Kosovës nga 194 shtete aktuale anëtare të OKB-së. Kosovën, tani, kanë mbetur akoma pa e njohur edhe 90 shtete ekzistuese dhe anëtare fuqiplotë  të OKB-së.
          Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kryeministri aktual i  Kosovës Hashim Thaçi pati deklaruar se” për pak kohë do të kemi njohje nga 100 shtete të botës”, por kjo” pak kohë” zgjati plot 66 muaj gjersa u arrit ky numër  prej 100 njohjeve, e që  para ca ditësh kryeministri  i  Kosovës Hashim Thaçi, në një takim të organizuar nga shoqatat e afaristëve dhe të biznesit në Prizren pati deklaruar se kjo “pak kohë”, ishte periudha gjatë së  cilës u arrit numri  100 i njohjeve të Kosovës. Normal që diç tjetër nuk mund të pritet nga lidershipi politik dhe shtetëror i Kosovës, e hiç më pak, tani, kur ka hyrë në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet komunale në Kosovë që do të mbahen me 3 nëntor 2013. E për këtë prolongim apo stërzgjatje e ka një pjesë të fajit edhe vet kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me deklaratat e pamatura të tij, sikurse ajo e vitit 2009 kur pat thënë: ” rreth njohjeve kualitative dhe kuantitative” apo”jemi më shumë të interesuar të kemi marrëdhënie me Izraelin, sesa me vendet e botës arabe” të cilët kanë sjell  dëme diplomacisë së re shtetërore të Kosovës.
          Në mediat e shkruara, elektronike dhe në web portale shpesh shkruhet, flitet e përflitet se për t’u pranuar Kosova anëtare e OKB-së nevojiten njohja nga  2/3 e shteteve anëtare të OKB-së që do të thotë njohja e 129 shteteve  nga 194 shtete anëtare të OKB-së. Por e vërteta qëndron ndryshe nga ajo që proklamohej nga klasa politike dhe elita shtetërore e Kosovës.
Vendimin për pranim të një shteti të pavarur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e merr Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me votim  të 2/3 të shteteve anëtare të OKB-së, në bazë të rekomandimit  paraprak të Këshillit të Sigurimit ( i cili përbëhet prej 15 shteteve, 5 shtete të përhershme me të drejtë vetoje (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 shtete me të drejtë vote të rregulltë, pasi që çdo dy vjet bëhet ndërrimi i tyre), me ç’rast nevojiten 9 vota pro, duke marr parasysh votën e të  5 anëtareve të përhershëm me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Sipas nenit 18, paragrafit 2 të Kartës së OKB-së, decidivisht shkruan se për çështje të rëndësishme nevojiten votat e 2/3 të shteteve anëtare  të Asamblesë së Përgjithshme  për pranimin e një shteti të ri në OKB, pas rekomandimit paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në drejtën ndërkombëtare  është i njohur edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas kërkesës së fuqive  Perëndimore për të evituar përdorimin e vetos nga ana e ish BRSS-së, për mendimin konsultativ, se a është rekomandimi i Këshillit të Sigurimit kusht i domosdoshëm për pranim në OKB? Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka sjell mendimin konsultativ se sipas nenit 4 të Kartës së OKB-së, rekomandimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është i pashmangshëm për pranimin e një shteti anëtar fuqiplotë të OKB-së. Si pasojë e këtij vendimi edhe shteti shqiptar, Shqipëria,  ka prit plot 10 vite (nga viti 1945 e gjer në vitin 1955) për anëtarësim  në OKB-së, si pasojë e vetos nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, dhe se vetëm pas harmonizimit të plotë të 5 anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje, arriti që në pako së bashku me 15 shtete tjera të anëtarësohet si anëtare fuqiplotë e OKB-së në Sesionin  e dhjetë të Asamblesë së Përgjithshme në dhjetor të vitot 1955.
          Mënyra e dytë e anëtarësimit në OKB është,  anëtarësim si shtet vëzhgues në OKB, ku për këtë lloj anëtarësimi, nevojitet vota e 2/3 të shteteve anëtarë të Asamblesë së Përgjithshme nga numri i gjithëmbarshëm i shteteve anëtare të OKB-së, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, këtë lloj anëtarësim e arriti Palestina vitin e kaluar në Kuvendin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Porse ky lloj anëtarësim mund të them lirisht është më tepër formal, si shtet vëzhgues, pa ndonjë efekt të duhur juridik, pasi që nuk ka të drejtën e fjalës, votës, dhe ratifikimit apo nënshkrimit të konventave dhe dokumenteve të ndryshme ndërkombëtare që rrjedhin nga vendimet e marra në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.              Kosovën në të ardhmen e presin dy vendime  të rëndësishme në rrugëtimin e saj në arenën politike ndërkombëtare, e para dhe kryesorja është, a do të përpiqet klasa politike shtetërore dhe diplomacia e saj që të angazhohet me një politikë strategjike, të pjekur dhe largpamëse, me ndihmën e faktorit politik ndërkombëtar, që të arrijë pajtueshmërinë e plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,(që nënkupton eliminimin e vetos ruse dhe kineze) për rekomandimin e tij Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për pranimin e Kosovës si shtet anëtar fuqiplotë me te drejt fjale, vote, ratifikimi, sikurse të gjithë shtetet tjerë të OKB-së, e sidomos shtetet të porsakrijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë ( Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi)? E dyta dhe alternative, a do të angazhohet Kosova edhe më tej në arritjen e njohjeve edhe të 25 shteteve të botës, për të arritur numrin prej 129 shteteve, pas së cilës do të mund të pasoj votimi në Asamblenë e Përgjithshme, ku Kosova do të kishte fituar anëtarësimin e saj si shtet vëzhgues në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së?
          Në këtë aspekt  qëndron krahasimi i shtetit të Kosovës me shtetin e Palestinës, pasi që tek rasti i Palestinës e kemi situatën e tillë në të cilin Izraeli nuk e njeh dhe pranon pavarësimin e Palestinës pa arritjen  e një zgjidhjeje politike të dyanshme të pranueshme, në mes Izraelit dhe Palestinës, dhe gjer atëherë,  si e tillë Palestina nuk mund të anëtarësohet në OKB, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, pasi që një gjë të tillë nuk do të lejojë pikë së pari SHBA-ja, e mbështetur edhe nga Britania e Madhe dhe Franca. Tek rasti i Kosovës e kemi situatën e tillë në të cilin Serbia nuk e njeh dhe pranon pavarësimin e Kosovës, pa arritjen e një zgjidhjeje politike të dyanshme, në mes Serbisë dhe Kosovës, dhe  gjer atëherë si e tillë Kosova nuk mund të anëtarësohet në OKB, pa rekomandimin  e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që një gjë të tillë nuk e lejon pikë së pari Rusia e mbështetur edhe nga Kina.
          Tani është në duar të elitës politike, klasës shtetërore si dhe diplomacisë kosovare se cilin rrugë do të zgjedhë, të parën e cila është kryesore për anëtarësim në OKB si shtet anëtar fuqiplotë, për të cilin duhet arritur një zgjidhje politike me Serbinë, e cila do të jetë shumë e vështirë dhe me një kosto të lartë për Kosovë, pas së cilës do të evitohej vetoja ruse dhe kineze në Këshillin e Sigurimit, apo të dytën e cila është më tepër një satisfikacion moral për politik bërjen e diplomacisë kosovare, pasi që si e tillë neve mund të na njohin dhe pranojnë edhe 193 shtete të botës, porse vetëm Rusia apo Kina  të mos na pranon, është e mjaftueshme që neve edhe për një kohë shumë, shumë të gjatë të mos kemi mundësi fare për t’u pranuar si shtet anëtar fuqi plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
                Deri atëherë, dhashtë Zoti të jemi gjallë,  të kemi shëndet e të shohim!
 
 
 
            07.10.2013                                                  Faik MIFTARI

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.