Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 28 Tetor 2020

Zgjedhjet komunale, 2013 në Kosovë- Faik Miftari

E Enjte 01 Nëntor 2013 18:44

Zgjedhjet komunale, 2013 në Kosovë

    Me 3 nëntor 2013 do të mbahen zgjedhjet komunale në Kosovë, të pestat me rradhë, pas përfundimit të luftës, në vitin 1999. Është në përfundim e sipër fushata parazgjedhore anembanë Kosovës, e cila gati plot një muaj që ka nisë dhe e cila pritet të përfundojë me 1 nëntor, saktësisht të premten mbrëma në ora 24, pas së cilës pason heshtja parazgjedhore  24 orëshe.
    Karakteristikë e kësaj fushate zgjedhore është se ka kaluar në një qetësi të duhur, në të cilin pothuajse nuk është shënuar ndonjë  incident i rëndë i cili do të kishte zbehur imazhin e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Kjo është e rëndësishme për Kosovën sa i përket imazhit demokratik të mbarë vajtjes së fushatës parazgjedhore.
    Sa i përket fushatës parazgjedhore, të gjitha partitë politike, iniciativat qytetare, kandidatët e pavarur, kanë bërë premtimet e shumta  në programet e shpaluara  duke ofruar mirëqenie për qytetarët e Kosovës, por është indikative se duke marrë parasysh situatën ekonomike e cila është e tillë si është, nuk ka ndonjë veçanti i cili do të dallonte ndonjë subjekt politik me një program konkret gjithëpërfshirës për të cilin do të mund të thuhej se është i prekshëm dhe i realizueshëm për aktualitetin kosovar.
          Është karakteristike se si kandidatët për kryetar, ashtu edhe kandidatët për asamble (kuvend) komunale që garojnë, shpesh herë kanë bërë premtime të shumta për projektet që do të realizojnë, e që fare nuk kanë të bëjnë me kompetencën e  tyre lokale, por ato kryesisht janë në kompetencat e pushtetit qendror (të qeverisë së Kosovës), dhe si të tillë as që mund të bëjnë diç,  edhe sikur të duan  të bëjnë.
    Duke pritur 3 nëntorin 2013, dhe  çfarë rezultate  do të sjellin këto votime komunale në Kosovë, mund të përmblidhet në përgjithësi një vështrim i gjithëmbarshëm i këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Pritet që dy forca kryesore të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) do të kenë një rënje të lehtë të votave të fituara gjithandej Kosovës, varësisht prej forcës votuese që kanë nëpër komunat, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) pritet të ketë një rritje të lehtë të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja) do të jetë në atë shkallë  të votave që i ka për momentin, ndërsa Aleanca për Kosovën e Re (AKR-ja) , Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) si dhe Partia e Drejtësisë (PD-ja) pritet të kenë një rënje të theksuar të votave anekënd Kosovës. Në këto zgjedhjet komunale do të garojnë një numër i madh i iniciativave qytetare të formuara në komuna të ndryshme, si pasojë e përplasjeve politike në kuadër të subjekteve të caktuara, të cilët do të kenë një ndikim të caktuar në uljen e numrit të votave të subjekteve  nëpër komuna të ndryshme.
    Në këto zgjedhje komunale, që do të mbahen në Kosovë, për herë të parë do të kemi edhe përfshirjen e serbëve të Kosovës që do të marrin pjesë në votime në tërë Kosovën, e cila do të shërbej më shumë si dekor për t’i ofruar Serbisë  kushtin të cilën duhet të plotësojë për fillim e bisedimeve të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, se sa si dëshirë reale e tyre për të marrë pjesë, e sidomos në pjesën veriore të Kosovë. Edhe përkundër trusnive të mëdha të Beogradit zyrtar, pritet që në këtë pjesë të Kosovës të dalin një numër i vogël apo simbolik i tyre sa për të thënë që kanë dalë, përkundër atyre serbëve që do të dalin në një numër më të madh në pjesën tjetër të Kosovës.
    Pasi që kemi të bëjmë me zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë, dhe se skena politike dallon prej komunë në komunë, në këtë analizë jam përqendruar më tepër  në komunën e Prizrenit, banor i së cilës jam, pasi që për së afërmi e kam  përcjell fushatën  parazgjedhore  që është në përfundim të sipër, edhe  në Prizren.
Në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 3 nëntor 2013 për 41 ulëse të Kuvendit të Prizrenit, do të kemi një shpërndarje  të madhe të ulëseve në mes subjekteve  që pritet se do të fitojnë ulëse në asamblenë e re të Prizrenit, e cila pritet  të jetë në një nivel më të lartë për nga cilësia e saj, dhe se do të jetë e përbërë prej  një pozitë të gjerë përfshirëse dhe me një opozitë më  të fortë, varësisht prej kandidatit për kryetar komune i cili do të dal fitues. Kuvendi aktual i Prizrenit, pas zgjedhjeve lokale të kaluara, të 15 nëntorit të vitit 2009, ka pas këtë  konfiguracionit politik të ulëseve, në të cilin kanë qenë të përfaqësuara  10 subjekte politike: Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja) 12 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) 11 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK-ja) 4 ulëse , Lidhja Demokratike e Dardanisë(LDD-ja) 3 ulëse,  Partia Demokratike Turke e Kosovës(KDTP-ja) 3 ulëse, Aleanca Kosova e Re (AKR-ja) 2 ulëse,   Partia e Drejtësisë (PD-ja) 2 ulëse, Partia e re Demokratike (NDS-i) 2 ulëse, Partia Reformiste ORA 1 ulëse,  dhe Koalicioni VAKAT 1 ulëse.
    Gjatë mandatit vijues (2009-2013) kryetari aktual i Prizrenit,  Ramadan Muja nga Partia Demokratike e Kosovës ka udhëhequr me qeverinë komunale me një koalicion  qeverisës, i përbërë prej shumë subjekteve politike (PDK-ja, AAK-ja, AKR-ja, PD-ja,  KDTP-ja, NDS-ja dhe VAKAT-i). Kuvendit Komunal i ri i Prizrenit, pas  shpalljes së rezultateve të votimeve, pritet  të ketë këtë konfiguracion politik të subjekteve politike të përfaqësuara dhe me numrin e ulëseve të fituara siç janë paraqitur në vijim:
Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja) – pritet që ketë rënje të numrit të votave në Prizren, që do të rezultojë edhe në humbjen e ulëseve në asamble. Numri i ulëseve të PDK-së në Prizren në asamblenë e re, që do të dal pas votimeve të 3 nëntorit pritet që të jetë 9-10 ulëse, krahas asaj ekzistuese 12 ulëse sa ka qenë  gjer tani në asamblenë e mandatit të kaluar.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) – poashtu pritet që edhe LDK-ja të ketë zvogëlim të numrit të caktuar të votave, dhe se do të ketë 9-10  ulëse në legjislativin  e ri, kundruall numrit të ulëseve 11 sa ka qenë në asamblenë e mandatit të kaluar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja) – në këto gara do të garojë së bashku në koalicion me LDD-në,   është e sigurt që do ta mbajë numrin aktual të ulëseve, 4 që i ka pas në mandatin e kaluar, me gjasa reale që të shënojë një rritje të votave të fituara që do t’ia sillnin edhe një ulëse më tepër, si rezultat i asaj që është në koalicion me LDD-në së bashku.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV-ja) – garon për herë të parë në zgjedhjet komunale si në nivel të Kosovës ashtu edhe të Prizrenit. Pritet që në Kuvendin e ardhshëm komunal të Prizrenit të ketë 3-4 ulëse që do të ishte një sukses solid i saj, pasi që për herë të parë merr pjesë në këto votime.
Bashkimi Demokratik (BD-ja) – partia e Zafir Berishës, e cila ka treguar një perfomancë jashtëzakonisht të duhur, në këtë fushatë parazgjedhore për komunën  e Prizrenit, pritet që të fitojë 3-4 ulëse që do të ishte një sukses jashtëzakonisht i madh dhe do të jetë një zë i fuqishëm në legjislativin  e ri të Prizrenit.
Partia Konservatore e Kosovës (PK-ja) – partia e Munir Bashës, në këtë fushatë parazgjedhore ka treguar një organizim dhe një aktivitet të duhur në komunën e Prizrenit, me të cilën ka arritë të bëjë një senzibilizim  të votuesve, ashtu që në legjislativin e ri të Prizrenit do të ketë 2 ulëse që do të ishte një sukses solid për fillim të veprimtarisë dhe punës së saj.
Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP-ja) – në këto zgjedhje komunale për herë të parë që prej pas luftës së vitit 1999, do të ketë në konkurencë partinë e re të formuar nga komuniteti turk, KTAP-ja, që do të reflektohej në zvogëlimin e numrit të votave, pritet që të fitojë 2 ulëse, kundruall asaj që ka pas 3 ulëse në legjislativin e kaluar, eventualisht fitimi i ulëses së tretë, do të ishte  një sukses i madh për të, por jam skeptik se do të arrijë këtë, duke marrë për bazë edhe partinë tjetër të komunitetit turk KTAP-në.
Partia e Re Demokratike e Kosovës (NDS-ja) – pritet që të ketë 1-2 ulëse në legjislativi e ri, edhe pse edhe kjo do të ketë uljen e numrit të votave, pasi që edhe në komunitetin boshnjak janë themeluat disa subjekte të reja që do të garojnë, e cila do të ndikojë në  shpërndarjen e votave në mes komunitetit boshnjak, si pasojë e së cilës do të jetë zvogëlimi i  fuqisë së tyre në Kuvendin Komunal të Prizrenit.
     Risi në këto zgjedhje komunale është edhe pjesëmarrja e dy subjekteve politike serbe në Prizren,  sa do të jetë rezultati i votave të fituara të tyre, varet prej pjesëmarrjes së tyre në votime, kryesisht në Serbi, do të jetë edhe numri i ulëseve, pritet që në legjislativin e ardhshëm të Prizrenit do të ketë
1-2 ulëse edhe për komunitetin serb në Prizren. Subjektet tjera  që do të garojnë në zgjedhje komunale për asamblenë e Prizrenit, sikurse që është AKR-ja, PD-ja, VAKATI, Nisma qytetare e Prizrenit, SDA-ja, ADK-ja, e të tjerë, nuk pritet që do të tregojnë ndonjë rezultat të duhur, fitimi eventual i vetëm një ulëse për ndonjërin prej tyre, do të ishte sukses i madh, pasi që  edhe  fitimi i 1-2 ulëseve nga komuniteti serb,  do të ndikojë edhe në zvogëlimin e numrit të ulëseve  të subjekteve politike shqiptare.
        Sa i përket garës për kryetar të Prizrenit, gjithsejtë do të marrin pjesë 10 kandidat për të parin e Prizrenit, Ramadan Muja (PDK), Eqrem Kryeziu (LDK), Lulzim Kabashi (AAK-LDD), Arbër Rexhaj (LVV), Zafir Berisha (BD), Beni Kizolli (PK), Naser Bresa (AKR), Fadil Softa (ADK),  Pajtim Kosova (PD), Fadil Kryeziu (NQP). Është e sigurt se në rundin e parë asnjëri prej kandidatëve nuk do të del fitues, ndërsa në balotazh pritet që të hyjnë Ramdan Muja (PDK) dhe Eqrem Kryeziu (LDK), se kush do të jetë fitues do të përcaktojnë votuesit e subjekteve tjera politike shqiptare, por në rast se ata nuk dalin apo bojkotojnë rundin e dytë të votimeve, atëherë në shprehje vjen fitues ai kandidat për kryetar i cili do të arrij  sa më shumë të sensibilizojë dhe të nxjerr në votime në balotazh simpatizantë dhe militantët e vet partiak, por edhe votues tjerë që do të arrijë t’i bindë të dalin në votime dhe të votojnë për të.
       Sidoqoftë, për hajër na qofshin këto zgjedhje komunale të vitit 2013 në Kosovë, suksese dhe fat të gjithë kandidatëve që do të marrin pjesë, sikur atyre që do të garojnë për kryetarin e Prizrenit, ashtu edhe kandidatëve që do të garojnë për Kuvendin Komunal të Prizrenit.



         30.10.2013                                                        Faik MIFTARI

 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.