Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Hënë, 26 Tetor 2020

Mikut, Adnan Abrashit

E Enjte 07 Nëntor 2013 14:46

Mikut, Adnan Abrashit
(Post mortum)

    E hënë, me 4 nëntor 2013, një ditë pas votimeve në zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, kur mendoja të takoja mikun tim të fjalës së shkruar Adnan Abrashi, në një makiato të rastit, për të analizuar dhe komentuar zgjedhjet që posa përfunduan, mora lajmin nga motra, që për momentit gjendet me familje në diasporë, se paska ndërruar jetë miku im i fjalës së shkruar, Adnan Abrashi.
Kjo tregon se Adnan Abrashi, si i tillë, ishte i njohur jo vetëm në opinionin publik  në trojet shqiptare, por edhe në diasporën shqiptare. Lajmi për vdekjen e mikut Adnan Abrashi nuk më befasoi, pasi që të gjithë neve jemi të Zotit dhe tek Zoti do të kthehemi, kush më herët e kush më vonë, dhe si të tillë nuk dimë  kush  përpara e kush  vonë do të largohet nga kjo botë e përkohshme.
Për respektin që kisha ndaj tij, si publicist i fjalës së shkruar, i cili me shkrimet e tija “rebeluese” që i kishte e lirisht mund të thuhet se edhe vet ishte” një rebel” i kohës në të cilin ka jetuar dhe vepruar, e kam ndier një obligim moral që ta përkujtoj me këtë shkrim post mortum(pas vdekjes),pos kësaj kam lexuar Fatihanë për shpirt te tij, dhe kam bërë dua(lutje) që Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të gjithëmbarshme.
Verës, gjatë Dokufestit në Prizren me ç’rast u mbajt edhe java e Panairit të librit e pata ftuar në promovimin e librit tim të fundit ”Feja, shpresa dhe qëndresa”, por nuk ka mund të vijë , duke më kërkuar më vonë falje, pasi që diç me shëndet nuk ishte në rregull( e kishte përjetuar një infarkt të lehtë në zemër). Por nuk më harroi, më vonë më ftoi në TV Opinion që të jem mysafir i mëngjesit, me ç’rast e prezantova librin e posa botuar, ndoshta edhe si një shpagim i tij moral për mosardhje në promovim për shkaqe të tija objektive.
Ky ishte takimi dhe bashkëbisedimi ynë i fundit, me ç’rast biseduam dhe ndërruam mendime për shumë sfera të jetës kulturore, politike, publicistike, të aktualitetit kosovar e mbarë shqiptar. Edhe pse  ishte i shqetësuar me problemin shëndetësor, por unë, në fytyrën e tij fare nuk arrita të shoh atë shqetësim, pasi që si i tillë që ishte, ishte me plot elan e vullnet për jetë, me figurën karakteristike dhe stilin e tij që kishte, që  jepte shpresë dhe vetëm shpresë për një të ardhme më të ndritur të shoqërisë kosovare.
Këtu tek neve në Prizren, përdoret një thënie e urtë në gjuhën turke:
“Nerde hareket, orda  bereket” që në përkthim  në gjuhën tonë të bukur shqipe do të thotë:”aty ku lëvizje, ka edhe bereqet”, me të vërtet miku im i fjalës së shkruar ka qenë,  gjithherë në lëvizje, dhe me shkrimet e tija publicistike ka qenë promotor edhe i lëvizjes së shoqërisë kosovare drejt një të ardhme më të ndritur në përgjithësi e të rinisë në veçanti. Ka pasur raste kur edhe nuk pajtohesha me ndonjë ide dhe mendim që shtronte në shkrimet e tija publicistike, por kur debatonim më thoshte,  mik i dashur,  jeta nuk do të ishte interesant sikur të gjithë të mendonim dhe të shkruanim njëjtë, pasi që edhe Zoti, na ka krijuar të gjithëve me tipare dhe veçori të ndryshme nga njëri tjetri. Adnan Abrashi  kishte një respekt dhe konsideratë të veçantë për të gjithë njerëz që merreshin me fjalën  e shkruar, pa marrë parasysh profilet dhe stilet e tyre jetësore, dhe këndvështrimet e ndryshme. Shpesh herë më thoshte,  shkruaj në mënyrë që shoqëria jonë shqiptare në përgjithësi, e kosovare në veçanti të kthjellohet, e të mos e kaplojë gjumi, për të qenë në lëvizje të përhershme në një apo formë tjetër të caktuar.
    Adnan Abrashi ka qenë një intelektual në kuptim të plotë të fjalës, i cili ka korresponduar plotësisht me thënien e publicistit të shquar Enver Robellit, e citojë: “ Njeri që ndikon me fjalë dhe nëpërmjet saj, debaton, diskuton, flet, shkruan, mbi të gjitha shkruan. Janë katër virtyte të lirisë, guximi, drejtësia, maturia dhe mençuria. Nëse një intelektual është i pajisur me të gjitha këto, atëherë ai me siguri nuk do të qëndrojë pasiv përball së keqes. Ai do të jetë një vëzhgues aktiv dhe me fuqinë e fjalës së tij do të mbrojë lirinë, do të luftojë për drejtësi dhe për barazi të qytetarëve para ligjit”. I tillë ishte edhe Adnan Abrashi, shpirti i tij rahmet pastë.
    Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për mikun e fjalës së shkruar, Adnan Abrashit, do e përfundoja me këto fjalë, jetove shkurt në këtë botë të përkohshme, por ke lënë gjurmë të përhershme të cilët do të mbeten përherë të shënuara në kujtesën e miqve dhe dashamirëve  tuaj.


             06.11.2013                                               Faik MIFTARI
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.