Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 28 Tetor 2020

Analiza e zgjedhjeve lokale, 2013 në Kosovë-Faik MIFTARI

E Enjte 06 Dhjetor 2013 09:43


              Analiza e zgjedhjeve lokale, 2013 në Kosovë-Faik MIFTARI

    Ditë më parë, saktësisht, me 1 dhjetor 2013, përfunduan zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, me mbajtjen e balotazhit për kryetar të komunave në 25 komunat e mbetura të Kosovës. Sikurse  rundi i parë i votimit me 3 nëntor,  e sidomos  balotazhi me 1 dhjetor 2013 solli  disa veçori të paparashikueshme gjer tani, që me të vërtet ishin befasi,  pas 6 palë zgjedhjesh të mbajtura në Kosovën e pas luftës së vitit 1999.
    Do të veçoja dy momente të veçanta  në nivel të vendit,  të cilët e karakterizuan këto zgjedhje të sapo përfunduara në Kosovë. E para, këto zgjedhje  u mbajtën në një atmosferë jashtëzakonisht të qetë, me më pakëz parregullësi, me më  pakëz anomali, me më  pakëz vjedhje, me  më pakëz kontestime rezultatesh , si dhe me një nivel  më të vetëdijesuar të votuesve, në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, në vitin 2010, të cilët u karakterizuan me shumë parregullësi, anomali, vjedhje votash, keqpërdorime, manipulime, me disa herë votime etj. E dyta, befasia më e madhe ishte, që nga viti 2000, në këto zgjedhjet e shtata me radhë, që përfunduan para ca ditësh, e sidomos në balotazhin e mbajtur me 1 dhjetor 2013,  sovrani (populli) i cili për herë të parë  e tregojë forcën e vërtet me të cilën i dridhi në themel subjektet politike  në Kosovë.
    Tri partitë kryesore të Kosovës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja,  përballuan çaste më të vështira në historinë e ekzistimit të tyre, që nga viti 2000, pasi përjetuan shok të vërtetë që as në ëndërr nuk do të kishin mundur të parashikojnë se do t’ju kishte ndodh. Në rast se do të shprehem me terminologjinë apo zhargonin e boksit, të tri subjekte kryesore përjetuan befasi të pakëndshme . AAK-ja përjetoi nokaut klasik, PDK-ja përjetoi nokdaun klasik, ndërsa LDK-ja përjetoi një aperkat klasik në Prishtinë, dhe atë kush tjetër, pos vet lideri aktual i LDK-së Isa Mustafa. Edhe pse gati në të gjitha komunat në Kosovë ndodhi ndryshimi, përveç Prizrenit,  befasi më të madhe për çastin aktual ndodhi në gjashtë qendrat kryesore të Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan e Ferizaj, por edhe në disa komuna tjera më të vogla, si në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Kamenicë, Viti e Lipjan.
    AAK-ja përjetoi humbjen më të madhe në Kosovë, pasi që humbi 4 komunat kryesore, që gjer tani i ka pas nën pushtet, Pejën, Gjakovën, Rahovecin dhe Suharekën. Edhe pse deri diku është pritur që Gjakovën dhe Suharekën  të humb, por të humb Pejën edhe Rahovecin nuk është pritur dhe ka qenë befasi dhe debakël i vërtet, të cilën AAK-ja do të duhej  të analizojë seriozisht shkaqet e shumta, që e kanë bërë që të katandiset në një gjendje të tillë. Për AAK-në ndoshta një satisfikacion moral mund të jetë, një rritje të numrit të votave  të fituara në nivel Kosovës, pasi që kanë fituar më shumë vota  në krahasim me zgjedhjet e fundit,të vitit 2010, duke mos llogaritur këtu votat e LDD-së që ishin së bashku në koalicion të përbashkët.
    PDK-ja, njashtu, përjetoi një humbje relative, pasi që i ka humbur 6 komuna që i ka pas gjer tani, por humbje të papritur që askush nuk ka mund të parashikoj, është humbja e pushtetit lokal në Mitrovicë dhe Ferizaj. I mbetet tani të analizojë mirë e mirë PDK-ja se ç’ndodhi me  te, cilat janë shkaqet që i paraprinë kësaj humbjeje, do të ishte shumë më me vend  të merren me këto dobësi të brendshme të tyre, se sa të merren me satisfikacion moral të humbjes së LDK-së dhe liderit të saj politik, Isa Mustafës në Prishtinë, edhe pse atë e fitoi Vetëvendosja, e jo PDK-ja. Nga 7 qendrat kryesore në Kosovë, PDK-ja mezi ka arrit të mbaj pushtetin në Prizren, dhe atë në saje të humbjes së Eqrem Kryeziut dhe të LDK-së në Prizren. Por edhe këtu loja zgjedhore nuk ka përfunduar akoma, pasi që ndaj kryetarit aktual dhe kryetarit të rizgjedhur Ramadan Mujës, është duke vazhduar procesi gjyqësor për akuzat lidhur me qeverisjen lokale, dhe nëse eventualisht, supozoj, po qe se shpallet fajtor dhe dënohet me 6 muaj heqje lirie, atëherë automatikisht Prizreni shkon në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune, dhe me gjasa reale që PDK-ja  të humb edhe Prizrenin, dhe të mbetet pa pushtet lokal, në asnjërin prej 7 qyteteve më të mëdha të Kosovës.  PDK-ja   ceku se në nivel vendi  doli e para në Kosovë, me rreth 200.000 vota të fituara dhe 10 komuna të fituara, kjo fare nuk çon peshë, pasi që në krahasim me zgjedhjet e fundit në Kosovë në vitin 2010, ka një humbje prej rreth 20.000 votash në nivel vendi, dhe 5 komuna më pak të fituara në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2009 në Kosovë.
    LDK-ja përjetoi një humbje të paparë në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë, në  të cilin pushtetin e ka mbajtur plot 13 vite, por është edhe më tragjike humbja e liderit të saj Isa Mustafës, ish kryetar i gjertanishëm i Prishtinës, në ballafaqim me Shpend Ahmetin të Vetëvendosjes.  I mbetet LDK-së që të analizojë këtë humbje të madhe në Prishtinë,e cila është llogaritur si bastion më i fortë i LDK-së në Kosovës, që as në ëndërr PDK-ja s’do të kishte mund  ta marr pushtetin lokal, e  ja që arriti këtë ta bëjë  Shpend Ahmetit i Lëvizjes Vetëvendosje. LDK-ja  satisfikacion moral mund të ketë, se në nivel vendi ka rritje votash me rreth 20.000 nga zgjedhjet e  fundit në vitin 2010 në Kosovë, dhe rritje të pushtetit lokal të komunave apo rikthim të  komunave që i ka pas më parë, sikurse Gjilani, Peja, Ferizaj, Suhareka, Lipjani.
    Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë ka garuar në zgjedhjet lokale në Kosovë, dhe ka arritur të fitojë të vetmen komunë në Kosovë, por me peshë të madhe kryeqendrën e saj, në Prishtinë, në saje të figurës së Shpend Ahmetit, kryetarit të posazgjedhur të Prishtinës Tani i mbetet Shpendit,  të tregojë në vepër që të udhëheq dhe menaxhojë si është më së miri komunën e Prishtinës.. Porse në nivel vendi VV ka humbje prej rreth 30.000 votash që është një ulje për 1/3 e votave ( nga rreth 90.000 që i ka pas  në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 në 60.000 votat e fituara në  zgjedhjet lokale më 2013, që paraqet një gjendje shqetësuese dhe alarmuese për Lëvizjen Vetëvendosje.
    AKR-ja, me të vërtet befasoi për të mirë në këto zgjedhjet lokale, edhe pse pritej që Mimoza Kusari-Lila të fitojë në Gjakovë, fitorja e AKR-së edhe në komunën e Mitrovicës me të vërtet ishte e befasishme dhe e papritur edhe nga analistët më të mëdhenj dhe debakli më i thellë i PDK-së në që ka përjetuar në Kosovë është pikërisht në Mitrovicë,  humbjes së bastionit të PDK-së në Mitrovicë. Me këto dy fitore AKR-ja ka gjasa tani që të tregojë në praktikë qeverisjen dhe zhvillimin ekonomik të dy komunave  me ngecje  më të madhe në zhvillim ekonomik të tyre në Kosovë, përkundër kohës së dikurshme kur këto dy komuna kanë qenë më të zhvilluara dhe më të përparuara ekonomikisht në Kosovë, se a do të arrijë dhe sa do të arrijë këtë të realizojë AKR-ja, do të tregojë mandati katërvjeçar i pushtetit lokal.
    Në përmbyllje të kësaj analize mund të konkludojë se pas zgjedhjeve lokale të sapo kryera të vitit 2013, të gjitha subjektet politike në Kosovë duhet të kenë të qartë se ka kaluar koha se do të mund të fitojnë vota, në bazë të premtimeve megalomane, të paqëndrueshme, boshe, të thata, të parealizueshme, dhe se gafet dhe veprimet e pa matura të liderëve politik tani e tuje do të ndëshkohen, pasi që me 1 dhjetor 2013 sovrani (populli) e tregoi veten në mënyrë më të shkëlqyer të tij, pasi që u vetëdijesua dhe u ngrit në një masë të duhur, që di të vlerësojë, të shpërblejë apo edhe të ndëshkoj të gjithë ata që kanë qenë gjer tani në pushtet, e me këtë seriozisht duhet të merren subjektet politike, pasi që vitin e ardhshëm,  herët a vonë do të mbahen zgjedhjet e rregullta apo të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, 2014.



            3.12.2013                                                   Faik MIFTARI
   
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.