Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 28 Tetor 2020

Udhëtimi nëpër veriun e Kosovës për Novi Pazar- Faik Miftari

E Enjte 18 Dhjetor 2013 11:36

Udhëtimi nëpër veriun e Kosovës për Novi Pazar

Ditë më parë, saktësisht me datë 12 dhjetor 2013, pas plot 14 vitesh

bëra një udhëtim nëpërmjet veriut të Kosovës drejt Novi Pazarit në Sanxhak.

U nisëm herët në mëngjes, në ora 7.00 së bashku me shoferin e veturës që e

bënte këtë punë, sa herë që kishte udhëtar për Novi Pazar, me të cilin e

siguronte kafshatën e gojës në këtë kohë të vështirë për të mbajtur veten dhe

familjen e tij. Nga Prizreni, nëpërmjet autostradës, duke kaluar nëpër Drenas

e Skenderaj arritëm në Mitrovicë, së pari para se të kalojmë në pjesën

veriore të qytetit të Mitrovicë, pata dëshirë të shohë xhaminë e rindërtuar

nga komuna e Bajram Pashës së Stambollit në vend të ish xhamisë së Zallit,

të ashtuquajtur në popull, në qendër të Mitrovicës te ish tregu i dikurshëm.

Me të vërtet, tani xhamia e re është një bukuroshe e vërtet, që shndrit me

tërë bukurinë e saj qendrën e Mitrovicës. Meqë ura kryesore në Mitrovicë

ka kohë që është e bllokuar, kaluam nëpër urën që kalon nëpër mahallën e

boshnjakëve, si dhe kaluam pran Fakultetit Teknologjik, në të cilin kam

studiuar. Emocionalisht jam i lidhur me Mitrovicën pasi që kam jetuar plot 5

vite të plota, e cila karakterizohej përveç tjerash me njerëz shumë të mirë

dhe të ngritur intelektualisht në një nivel të lartë dhe largpamës, nuk mund e

të mos e përmend mentorin tim të jetës studentore, z. Rizah Gashi, apo Riza

abej siç e thërrisnim, shpirti rahmet i pastë, me të cilën kam kaluar çaste të

bukura dhe kam marrë mësime të paharruara të cilat përherë kanë mbetur

në kujtimet e mia. Nuk pata kohë të takoj Agronin dhe të vizitojë shtëpinë e

tij në të cilin kam banuar plot tre vite gjatë studimeve, pasi që në ora 10.00 e

kam pas të caktuar takimin në Novi Pazar. Sa i përket konviktit në

Mitrovicë, në të cilin kam banuar 2 vite, nuk mund të mos e përmend disa

detaje karakteristike për te nga koha e studimeve, ai ka qenë i rrethuar në

anën e majtë me burgun e Mitrovicës, në anën e djathtë me Gjykatën

Komunale dhe të Qarkut të Mitrovicës dhe vetëm 50 metra përpara e kishte

policinë, të cilët edhe tani gjenden aty ku kanë qenë. Në vitet e tetëdhjeta në

atë kohë që ishte periudha e jehonës së demostratave studentore dhe klasës

punëtore, mjaftonte që në një trekëndësh prej 100 metrash, të zihesh nga

policia, të dënohesh nga Gjykata dhe të përfundosh në burgun pran

konviktit. Më tutje kaluam pranë varrezave myslimane në dalje të

Mitrovicës, në anën e majtë, ku ia këndova nga një Elham për shpirt

profesorit tim të nderuar në Fakultetin Teknologjik, prof.dr. Fatmir Agolli,

si dhe mentorit tim gjatë jetës studentore Rizah Gashit. Pastaj kaluam nëpër

qendër të Zveçanit, për të vazhduar nëpër grykën e Ibrit drejt kufirit në

vendkalimin Jarinje. Rruga që e përshkruam matanë Ibrit deri në kufi është

rreth 50 km. Gjatë rrugës vura re, se me të vërtet mbretëronte një gjendje

mjeruese, me vetura që qarkullonin pa tabela apo me tabela të Serbisë, nuk

pash as njërën me tabela të Kosovës. Nëpër shtylla valonin flamujt e

Serbisë, panot me thirrje kundër votimit për zgjidhje lokale, apo pro

zgjidhjeve lokale të iniciativës Sërpska. Procedura e identifikimit dhe

kontrollit të letërnjoftimeve zgjati shumë pak kohë, pasi që me marrëveshjen

IBM të Brukselit, tani të dy kontrollat kufitare janë përafruar në një distancë

pothuajse 2 metra, por me një procedurë të veçantë në kontrollin kufitar

serb, të cilit lëshonin një dokument përcjellës i cili si i tillë ishte i vetmi me

vlerë gjatë kohës së qëndrimit në Serbi, me afat skadimi 15 ditësh. Pas

kalimit të kufirit gjëja e parë që vura re në Serbi ishte gërmimi me eskavator

në Rudnicë të Rashkës, ngjit me rrugën magjistrale që kaluam, në të cilin

tani veç janë gjetur mbetjet mortore në varrezën masive, në të cilin

dyshohet në më se 250 shqiptarët e vrarë gjatë kohës së luftës dhe

bombardimeve të NATO-së në ish Jugosllavi në vitin 1999, të cilët janë

varrosur në këtë varrezë masive.

 Në ora 10.00 ishim para Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit,

ku e takova rektorin e Universitetit prof. Dr. Mevlud Dudiçin, një shok dhe

mik i im në veçanti dhe i shqiptarëve në përgjithësi, plot 30 vite është

gjithherë në shoqëri me shqiptarët dhe e kishte mësuar edhe shqipen mirë,

që edhe tani e flet dhe e kupton rrjedhshëm. Përshëndetja kaloi në mënyrë si

më të mirë sikurse takohen shokët dhe miqtë më të ngushtë. Së pari u

vendosa në zyrën e tij, ku, duke pirë kafe, tregoi një histori të shkurtër të

Universitetin Ndërkombëtar të Novi Pazarit, rektori i të cilit ishte edhe në

mandatin e dytë, dhe i cili si i tillë ishte në përfundim e sipër. Universiteti u

themelua në vitin 2002, pasi që gjer atëherë në Pazar të Ri nuk kishte as një

institucion i lartë arsimor në të cilin studentët do të mund të studionin. Në

kuadër të këtij janë 6 fakultete: ekonomik, juridik, filologjik, pedagogjik,

teknologjisë informative dhe të artit, me drejtime të ndryshme sipas

fakulteteve në të cilin për momentin studionin rreth 3000 studentë, shkollimi

ishte sipas sistemit të Bolonjës me kohëzgjatje të studimeve 4+1, pas 4

vitesh të kryera, studenti e merr diplomën e fakultetit , dhe vazhdon vetëm

edhe 1 vit për master, pas së cilës mund të vazhdojë studimet postdiplomike

të doktoraturës për 3 vite tjera. Edhe pse e kishte lejen përkatëse për

zhvillimin e procesit të lartë arsimor në të tri nivelet për studime, kanë

kaluar plot 10 vite, qeveria e Serbisë, gjegjësisht ministria e arsimit akoma

nuk e ka akredituar, duke i bërë shantazhe dhe pengesa teknike, e kryekëput

ato ishin politike, që të heqin dorë nga Universiteti Ndërkombëtar i Novi

Pazarit. Serbia ka hap edhe Universitetin Shtetëror Publik të Novi Pazarit në

vitin 2006, pothuajse me të njëjtit fakultete dhe drejtime, dhe atë pa pagesë,

me të vetmin qëllim që të pamundësojnë këtë institucion të lartë arsimore

privat, që vetvetiu të shuhet në mungesë të studentëve, edhe pse është

jopublik çmohej si një ndër universitete më të mira jopublike në Serbi dhe

më i liri në Serbi, me pagesë 1000 euro për një vit për një student. Nga 3000

studentë që ndjekin mësimin universitar, pak më tepër se gjysma janë të

nacionalitetit serb, dhe diku mbi gjysma e personelit arsimor shkencor janë

të nacionalitetit serb, që do të thotë se ky Universitet nuk është vetëm

boshnjak, por i përbashkët dhe multinacional. Por, Universiteti kishte shkuar

aq larg me punë dhe kuadro të reja, sa që me një rast në një tubim kishte

deklaruar “babai” i kombit serb Dobrica Qosiçi, se kthim mbrapa nuk ka:

 “si në Kosovë kur lejuam hapjen e Universitetit të Prishtinës, edhe pse

Rankoviçi i mblodhi pushkët, ne i dhamë topin, ashtu që edhe në Sanxhak

tani duhet të pajtohemi me këtë”. Pas kësaj rektori Dudiçi prezantoi

hapësirat e Universitetit, i cili ishte i pajisur me të gjitha kapacitetet e saj të

nevojshme, ashtu që sipas Dudiçit edhe pse për një studentë është paraparë

2.5 m2, një student posedon 5 m2 katror hapësirë të nevojshme studimi. Pas

kësaj në bashkëbisedim me të më njoftoi edhe rreth punës së Bashkësisë

Islame të Sanxhakut, e cila edhe pse ishte themeluar në vitin 1993, pas

ndarjes së saj nga Bashkësia Islame e Kosovës, tani ka arritë suksese

jashtëzakonisht të mëdha dhe si e tillë e ka kaluar jo vetëm Bashkësinë

Islame të Kosovës e Maqedonisë, por edhe të Bosnjës e Hercegovinës, pasi

që ka startuar nga zeroja, duke arritë tani, të ketë prej çerdheve të fëmijëve

në të cilin mësojnë dhe edukohen mbi 1000 fëmijë në Pazar të Ri, me

Medresenë e Gazi Isa beut me paralele të ndara për meshkuj dhe femra, me

konvikte për meshkuj dhe vajza, si dhe me paralele të ndarë të femrave në

Rozhajë, me Fakultetin e Studimeve Islame në qendër të Pazarit, me

shtëpinë botuese”Kelimeh” në të cilin botohen me qindra botime të reja në

vit, dhe se vetëm një fakt që e ceku Dudiçi, ishte e mjaftueshme dhe flet çdo

gjë, gjersa në vitin 1993 në Sanxhak ishin vetëm 3 teolog islam të

diplomuar, tani janë më se 60 teolog të diplomuar, edhe me tituj doktor

shkencash teologjike. Por do të cek një porosi të Dudiçit, për aktualitetin e

tanishëm politik:” Serbia është gjithherë e paparashikueshme, dinake, që

nuk bën t’i besohet kurrë dhe është në gjendje të ndërmarr veprime të papara

për të cilët neve duhet të jemi syçelë dhe të përgatitur gjithherë, atëherë kur

më së paku mund të presim. Për dallim nga ju, shqiptarët, në Kosovë, ne me

numër jemi dhjetëfish më pak, 200.000 boshnjak, për dallim nga ju që jeni

dy milion shqiptar në Kosovë, po të ishim ne dy milion boshnjak në

Sanxhak, një Zot e di se ku do të arrinim. Përveç kësaj, mbi ne, përveç

barrës që kemi mbi supe, për të organizuar dhe mirëmbajtur aspektin fetar

dhe shpirtëror mysliman, ne kemi edhe një barrë tjetër, atë të ngritjes së

aspektit nacional dhe politik kombëtar boshnjak, pasi që liderët politik

boshnjak (Ljajiq e Uglanin) nuk janë në shërbim të popullit boshnjak, të

cilin do të duhej të përfaqësonin në qeverinë e Serbisë, por ata janë në

shërbim të Beogradit për të qeverisur Sanxhakun. Qeveria e Serbisë, edhe në

aspektin organizativ të Bashkësisë Islame ka themeluar dhe përkrahur

Bashkësinë Islame paralele me reisin e vetëshpallur Adem Zilkiçin, i cili

nuk ka kurrfarë legjimiteti fetar, pasi që mbi 90% të popullit boshnjak e

përkrah myftinë e Sanxhakut dhe kryetarin e Meshihatit së Bashkësisë

Islame në Serbi Muamer ef. Zukorliçin”.

Në kërkesën time për të aranzhuar një takim me myftinë e Sanxhakut

Muamer ef. Zukorliçin, rektori Dudiç pa një pa dy, e mori telefonin dhe e

thirri myftinë, ku mori konfirmim se edhe pse ishte i zanur, do të ndaj nga

koha e tij e çmuar një gjysëm ore për të na takuar. Hipëm në veturë nga

Universiteti Ndërkombëtar i cili gjendej në periferi të qytetit dhe shkuam

në takim me myftinë në qendër të Novi Pazarit. Na priti ngrohtësisht dhe

përzemërsisht si e ka zakon, duke pirë çaj biseduam gjërë e gjatë për plot

gjysmë ore, për të cilin takim do të shkruaj në një rast tjetër, për këtë figurë

karizmatike dhe emblematike të boshnjakëve të Sanxhakut, të një lideri fetar

e politik që me të vërtet Krijuesi Fuqiplotë në kohën e duhur dhe në vendin

e duhur e ka krijuar dhe ju ka dërguar si dhuratë, që të jetë prijës i popullit

të përvuajtur boshnjak plot një shekull në Sanxhak. Përveç tjerash pata

rastin të takojë edhe prof. dr. Harun Haxhiçin, si dhe dekanin e Fakultetit të

Studimeve Islame, dr.Almir Pramenkoviç dhe drejtorin e Medresesë së Gazi

Isa Beut në Pazar, Reshat Plojoviq.

Në ora 15.00 u ndamë nga rektori Mevlud Dudiçi, duke na dëshiruar

udhë të mbarë dhe selam të gjithë miqëve, shokëve dhe shqiptarëve në

përgjithësi. Në kthim në kontrollin kufitar të Kosovës, hasa në një befasi

të këndshme, pas kontrollit të letërnjoftimeve, polici në kontrollin kufitar

kosovar, na përshëndeti dhe na dëshiroi udhë të mbarë, i gëzuar ndoshta

pa masë edhe ai, pasi që edhe shqiptarët kanë nis dalëngadalë të udhëtojnë

dhe të lëvizin nëpër veriun e Kosovës drejt Sanxhakut e më tutje . Shoferi

i veturës më tregoi se ai ishte nga Vushtrria, dhe se përveç tij shpesh rastis

gjatë vendkalimit kufitar edhe në një shqiptar tjetër polic.

Ndoshta simbolike, por kjo më gëzoi edhe mua, pasi që ishte i vetmi

simbol i prezencës së shtetit të Republikës së Kosovës në veriun e Kosovës.

 15.12. 2013 Faik MIFTARI

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.