Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Hënë, 26 Tetor 2020

Profesorit, Muhamet Pirraku - Faik Miftari

E Enjte 03 Shkurt 2014 15:05

Profesorit, Muhamet Pirraku

(Post mortum)

Lajmin për vdekjen e prof. dr. Muhamet Pirrakut e mora nëpërmjet

rrjetit social të Facebookut nga një shok i cili e kishte postuar në rrjet. Lajmi

për vdekjen e profesorit Muhamet Pirrakut nuk më befasoi shumë, pasi që

herën e fundit kur e pash në media me rastin e promovimit të librit të tij të

fundit, monografi kushtuar Hasan Prishtinës me titull:”Hasan Prishtina,

vlerë sublime e kombit” më 22 nëntor 2013, e pashë të zbehur, pasi që

vuante nga sëmundja, dhe se i ishin afruar ditët e fundit të jetës në këtë botë

kalimtare, dhe se që të gjithë neve jemi të Zotit dhe tek Zoti do të kthehemi,

kush më herët e kush më vonë.

Posa mora lajmin për vdekjen e tij, lexova një Fatiha për shpirt të tij

dhe bëra dua (lutje) që Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të

gjithëmbarshme shpirtin e tij të ndritur, ky ishte obligimi im moral në

aspektin fetar ndaj profesorit të nderuar. Po për respektin që kisha ndaj tij, si

profesor, historian, publicist, i cili me shkrime të shumta dhe me botimin e

mbi 20 librave ka lënë gjurmë përherë të shënuar në historiografinë e re

shqiptare, e ndjeva edhe një obligim njerëzor që ta përkujtoj me këtë shkrim

post mortum (pas vdekjes), historianin drenicak Muhamet Pirrakun.

Që nga libri i tij i parë i botuar me titull ”Kultura kombëtar shqiptare

deri në Lidhjen e Prizrenit” e gjer në librin e tij të fundit të botuar me

titull”Hasan Prishtina, vlerë sublime e kombit” historiani Muhamet Pirraku

ka hulumtuar, studiuar, shkruar, për personalitete të shquara kombëtare e

fetare, sikurse Myderriz Ymer Prizreni, Mulla Idriz Gjilani, për ngjarjet

historike të popullit shqiptar, sikurse Lidhja e Prizrenit, Masakra e Tivarit

etj, si dhe për shumë figura dhe personalitete të shquara shqiptare si dhe për

shumë ngjarje historike nëpër të cilat ka kaluar populli i përvuajtur shqiptar.

Me profesorin për herë të parë jam takuar, qysh në fund të vitit 1989,

kur e pata gjetur në shtëpinë e tij, i rrethuar në dhomën e tij me plot shkrime,

gazeta, revista e libra të shumta për rreth. Po nuk erdha rastësisht, por me

një detyrë dhe lutje për të kryer një punë sa profesionale por edhe nacionale

për momentin gjatë së cilës kalonte populli shqiptar në ato çaste të vështira

në Kosovë, e që do të vazhdojë plot një dekadë e tërë (1989-1999). Në atë

kohë sapo pat fituar në Bosnjë ish kryetari Alija Izetbegoviçi dhe partia e tij

SDA-ja, e në Kosovë pushteti serb e kishte suprimuar autonominë dhe veç e

përforconte kontrollin e saj të plot politik, ekomomik, të sigurisë, policor

mbi Kosovën, Ismet Kasumagiçi njëri i afërt me Alia Izetbegoviçin, i cili së

bashku me te ka qenë i dënuar dhe në burg në procesin e montuar të

Sarajevës të vitit 1983, më kërkoi prej meje që të ja dërgoj një histori të

shkurtër të popullit shqiptar prej ekzistimit e gjer në ditën e sotshme nëpër të

cilin kalonte Kosova. Në atë kohë isha absolvent, dhe pas bisedave me

shokë, duke menduar se kush do të kishte kryer këtë detyrë me përpikëri dhe

me plot vullnet, më sugjeruan që këtë do të bëjë më së miri profesori i

nderuar Muhamet Pirraku. Kur ja shtrova kërkesën profesorit, me gjithë

dëshirë dhe vullnet e pranoi, dhe për një kohë të shkurtër tha do të kesh gati,

“pasi që neve jemi të lidhur me boshnjakët që nga koha e periudhës osmane,

dhe kemi prejardhje të njëjtë nga ilirët, të dytë jemi popull autokton në

Ballkan, dhe të dytë na bashkon identiteti islam që e kemi, dhe se gjatë

periudhave të ndryshme historike kemi përjetuar shumë luftëra, masakra,

ndjekje, shpërngulje, e po kam frikë që prapë do të na përsëritet, por nuk e

di a neve përpara populli shqiptar në Kosovë, apo populli boshnjak në

Bosnjë”.Pas kësaj materialin e përgatitur e përkthyem në gjuhën boshnjake

dhe ja dërguam z. Ismet Kasumagiçit në Sarajevë, i cili më tutje e përktheu

në disa gjuhë botërore dhe materialin e përgatitur nga profesor Muhamet

Pirraku për një histori të shkurtër të shqiptarëve dhe Kosovës, në formë

memorandumi i përcolli shumë qendrave të ndryshme botërore për

sensibilizimin e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi në përgjithësi e Kosovës

në veçanti. Ishte koha kur detyrat i kryenin me përpikëri dhe pa lënë gjurmë,

në veprimtarinë tonë për çështjen e Kosovës. Por për fat të keç, nga disa

qarqe politike e shkencore në Kosovë “historia e Kosovës daton nga viti

1999”. E tani në kohën aktuale në të cilin jetojmë qeveria e Kosovës dhe

ministri i saj i punëve të jashtme z. Enver Hoxhaj vendosën vizat qytetarëve

të Bosnjës, e duke ditë se me këtë më së tepërmi pësojnë boshnjakët dhe

shqiptarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë në Bosnjë. A thua, vallë se si

ka ndier në lëkurën e vet, këtë veprim të pamatur diplomatik dhe pa shije të

qeverisë aktuale, z.Ismet Kasumagiçi, akoma gjallë në moshën e thellë të

pleqërisë. Duke ditur se Bosnja që moti e kishte pranuar pavarësinë e

Kosovës, por është faktori serb në Bosnjë që e bllokon dhe venë veto, sipas

Kushtetutës të Bosnjës të sajuar nga Marrëveshja e Dejtonit. Këtë e ka

theksuar edhe ish Reisi i Bosnjës dhe tani kryetar i Kongresit Botëror

Boshnjak dr. Mustafa Ceriçi, me rastin e vizitës së tij në Prizren, gjatë vitit

2013,kur gjatë ligjëratës që e mbajti në shtëpinë e kulturës pat thënë:

“si mund të themi që e kemi shtetin tonë, kur ai shtet është i sajuar dhe i

përpiluar ashtu që duart i kemi të lidhura, neve akoma nuk po mund të

pranojmë pavarësinë e Kosovës, për shkak të vetos të përfaqësuesit serb në

kryesinë e Bosnjës dhe Hercegovinës. Në takimin e parë që do të kem me

qeverinë e Kosovës, do të nënshkruajë memorandumin e bashkëpunimit mes

qeverisë së Kosovës dhe Kongresit Botëror Boshnjak, dhe gjëja e parë që do

të bëjë do të jetë pranimi i pavarësisë së Republikës së Kosovë nga Kongresi

Botëror Boshnjak në emër të të gjithë boshnjakëve të botës. Së dyti, në çdo

takim që do të kem ku do të shkojë dhe vizitojë, do të kërkojë, e sidomos

nga shtetet islame njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovë dhe se nuk

do të ndalem në asnjë çast gjersa edhe Republika e Kosovës të pranohet me

të drejta të barabarta si shtet i pavarur dhe sovran në Kombet e Bashkuara”.

Profesori i nderuar Muhamet Pirraku do të mbetet në kujtim të thellë,

pasi që ka qenë intelektual i rrallë, gjatë kohës së monizmit, por edhe pas saj

i anatemuar, që në mënyrë shkencore dhe në bazë të të dhënave

ka shpjeguar dy fakte tejet të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar,

për rolin e fesë islame dhe Lidhjen e Prizrenit si bazament të krijimit,

ruajtjes dhe mbijetesës së popullit shqiptar në përgjithësi e Kosovës në

veçanti. Më poshtë do të cek disa thënie të tij për këto dy fenomene:

“Sa u përket shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare, me

anë të islamizmit u ndal procesi i tjetërsimit etnik, sepse me paraqitjen e

islamizmit u ndërpre procesi i nivelimit kulturor dhe etnik serb në viset e

Kosovës dhe rajoneve tjera të banuara me shqiptarët”.“Islami për shqiptarët

është fe e periudhës së humanizmit dhe renesancës”.“Civilizimi islam ka

qenë faktori kryesor i qenies kombëtare shqiptare, faktori që e përcaktoi dhe

e përkufizoi arealin e Shqipërisë etnike në shekujt XV-XVII, që i dha emrin

kombëtar, popullit dhe atdheut, shqiptar e Shqipëri”.

“Për ta kuptuar më drejtë problemin e shtruar, duhet të vëmë në

spikamë faktin historik se uniteti fe-kombësi në periudhën e Rilindjes

Kombëtare dhe të formimit të shteteve nacionale kudo në Evropës ka qenë

Një dhe e pandashme, sikurse edhe në të gjitha luftërat nacionalçlirimtare.

Ndaj, nga kjo nuk mund të ishte i privuar as populli shqiptar, veçanërisht kur

dihej se në rrethana të robërisë nën secilin pushtues ballkanik ortodoks apo

evropian katolik, pjesës absolute të kombit shqiptar i rrezikoheshin të dyja,

feja dhe kombësia. Dhe, kur të kihet parasysh fakti se shqiptarët myslimanë

arrinin mbi katër të pestat e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, del

qartë se kombi shqiptar realisht ishte komb mysliman, ndaj është plotësisht

logjike pse forcën mendore dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e

përbënin shqiptarët myslimanë”

Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për profesorin

Muhamet Pirraku do e përfundoja me fjalët, jetove shkurt në këtë botë të

përkohshme, por ke lënë materiale të shumta të shkruara dhe të botuara për

historiografinë e popullit tonë shqiptar, të cilët do të jenë fanar ndriçues për

gjeneratat e ardhshme të studentëve, historianëve dhe studiueseve të rinj.

 1.2.2013 Faik MIFTARI

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.

 

A.Artani2014-02-28 21:00:08Qe te dy jeni turkoshake. Ne si shqiptar qe jemi ju urrejme!
0%