Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Shtunë, 06 Mars 2021

120 vjet të Shkollës së Vashave, dëshmi e vlerave të hershme

E Mërkurë 14 Nëntor 2012 15:39

Në prani të autoriteteve të larta shtetërore e fetare të vendit dhe të gjithë trojeve shqiptare, të mërkurën, në katedralen e “Zonjës Ndihmëtare” në Prizren, është shënuar 120 vjetori i themelimit të Shkollës Shqipe të Vashave. Akti i realizuar para më shumë se një shekulli nga pjesëmarrësit e nivelit të lartë është cilësuar si dëshmi e rreshtimit të kombit shqiptar përkrah dijes dhe vlerave evropiane, duke i kushtuar rëndësi edhe emancipimit të gruas, si rruga e vetme për zhvillim të gjithëmbarshëm, raporton Koha Ditore.

Nikoqiri i takimit, Ipeshkvi i Kishës Katolike të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka shpjeguar se krijimi i shkollës së vashave pranë Kishës katolike në Prizren dëshmon se ky institucion fetar nuk ka luajtur vetëm rol shpirtëror porse edhe fizikisht ka qenë pjesë e kombit shqiptar, duke kontribuar në lëmi të shumta të jetës shoqërore.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka pohuar se përkujtimi i datave të rëndësishme të historisë, që shënojnë jubiletë kulturore e arsimore, janë nderim dhe respekt për të kaluarën, për të gjitha gratë dhe burrat, të cilët punuan për përparimin, për emancipimin dhe për zhvillimin e gjithanshëm dhe që u shkrinë për lirinë dhe pavarësinë kombëtare.

“Arsimimi i popullit dhe sidomos shkollimi i vashave, që nisi simbolikisht këtu në Prizren para 120 vjetëve, krahas shkollës së parë kombëtare shqipe të Korçës të Pandeli Sotirit dhe shkollës së vashave të motrave Qiriazi, ishte hapi më domethënës dhe më kuptimplotë i rrugës së dijes, që na radhiti në familjen e popujve të qytetëruar dhe që ishte norma konkrete në barazinë gjinore”, ka thënë Jahjaga.

Edita Tahiri, zv/kryeministre, ka përkujtuar se nuk është rastësi që pas formimit të Lidhjes së Prizrenit, në këtë qytet u themelua edhe Shkollave e Vashave, si jetësim i një ideje progresiste të vizionit të kombit shqiptar.

“Në kohën kur globalisht flitet për fuqizimin e grave, shikoni sa larg kanë menduar liderët e mendimtarët tanë të kohës, se shkollimi i vashave fuqizon kombin”, ka thënë Tahiri. “Shkolla e dija na dhanë fuqi”, ka thënë Tahiri, për të shtuar më tutje se edhe armët ishin të nevojshme për të arritur lirinë në Kosovë. Megjithëkëtë, ajo ka shfaqur bindjen se “bashkimi kombëtar duhet të ndodhë në dije”.

Me këtë konstatim është pajtuar edhe ministri i Arsimit, Ramë Buja, i cili ka shprehur kënaqësinë që në 120 vjetorin e shkollës së vashave, Kosova ka më shumë se 1 mijë e 200 shkolla, 484 mijë e 260 nxënës, 24 mijë arsimtarë, 1 mijë e 400 doktorë shkencash, 10 mijë magjistra e master.

Ramadan Muja, kreu i Komunës së Prizrenit, në cilësinë e historianit ka paraqitur një përmbledhje të rrethanave që çuan në mobilizimin e udhëheqësve të kombit për të investuar në arsim e dije, si mënyrë e vetme për ruajtjen e qenies kombëtare dhe të gjuhës shqipe. 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.