UP kërcënohet me protesta
E Premte 02 Gusht 2013 12:24
Sindikata e Universitetit dhe e Shkencës së Kosovës (SUSHK) ka paralajmëruar grevë dhe protesta në shenjë revolte për mosngritjen e pagave të stafit të Universitetit të Prishtinës (UP) që janë të punësuar në administratën e këtij universiteti.Rroga e një referenti vazhdon të mbetet e pandryshuar, ndërsa ajo e profesorit viteve të fundit ka shënuar ngritje duke arritur në nivelin 10-15 herë më e madhe sesa paga që merr referenti, shkruan gazeta Zëri.
Premtimet e krerëve të Rektoratit se do të ngrihen pagat edhe për administratën kanë mbajtur të heshtur këtë revoltë deri të martën, kur përfaqësues të kësaj sindikate deklaruan ultimatumin e tyre se në qoftë se nuk do të ketë vendim për rritje të pagave deri më një shtator, punëtorët e administratës do të protestojnë dhe do të mbajnë greva.
Në përkrahje të punëtorëve të administratës së UP-së ka dalë dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).Bardh Bardhi, kryetar i SUSHK, ka thënë se në UP pagat janë rritur për profesorë, por asnjëherë deri më tash kjo nuk ka ndodhur për administratën, e cila, sipas tij, nuk mbetet mbrapa me përgjegjësinë dhe angazhimin gjatë punës me studentë, numri i të cilëve vetëm te një referent që drejtohet për shërbim sillet me mijëra veta. Një referent së paku ka punë me 1000 studentë, ndërsa nëse marrim shembullin e Fakultetit Ekonomik atëherë ky numër dhjetëfishohet pasi që një referent në këtë fakultet është në shërbim të 10 mijë studentëve, deklaroi ai.
Bardhi ka bërë të ditur se paga minimale e një punëtori në administratë është 222 euro, ndërsa maksimalja e stafit administrativ në këtë universitet arrin në 480 euro. Ky reagim ai thekson se vjen pas mospërmbushjes të kërkesave të të punësuarve në administratën e UP-së dhe pas bisedave të stërzgjatura dhe premtimeve të dhëna nga menaxhmenti dhe Këshilli Drejtues i UP-së, se do të realizohet vendimi i qeverisë-kryeministrit i datës 06.01.2011 për rritje të pagave të shërbyesve civilë.
Ky vendim, Bardhi tha se nuk po zbatohet për shërbyesit civilë të universitetit. Përgjigja, që ai ka marrë nga UP-ja vazhdimisht ka qenë se po punohet në drejtimin të zbatohet vendimi i qeverisë, kurse tash, sipas Bardhit, përgjigja ka ardhur se ka implikime buxhetore dhe nuk mund të bëhet kompensimi në paga bazuar në vendimin e qeverisë. Bardhi ka thënë se në UP duhet patjetër të ndodhë dhe sistematizimi i vendeve të punës sipas kualifikimit dhe ngritjes profesionale e jo sipas njerëzve. Nëse këto kërkesa nuk realizohen deri më 01.09.2013 atëherë SUSHK-u do të ndërmarrë masa tjera sindikale si protesta, greva duke filluar nga muaji shtator 2013. /Zëri/
Komento
Rregullat për komente
- Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
- Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
- Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
- Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.