Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Enjte, 04 Qershor 2020

40 profesorë, me nga dy vende pune

E Premte 09 Gusht 2013 10:38

Rreth 40 profesorë të rregullt të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë afat deri më 20 shtator të vendosin përfundimisht: a do të punojnë në universitet apo në ndonjë institucion tjetër.

Rektori i këtij universiteti, Ibrahim Gashi, ka shprehur optimizëm se 40 profesorët që janë identifikuar se kanë dy kontrata të rregullta pune do të vendosin se cilën ta mbajnë.

Ai ka thënë se nëse këta profesorë deri më 20 shtator nuk do të dërgojnë dëshmi për shkëputje të marrëdhënies së dytë të punës do të ndërmerren veprime të njëanshme për shkëputje të kontratës pa ndonjë paralajmërim tjetër.

Një hap të tillë deri më tani mësohet se e ka marrë vetëm profesor Nagip Skënderi, i cili deri para pak ditësh ka qenë sekretar i përhershëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Gashi ka treguar për "Epokën e re" se ka pasur takime me profesorë, të cilët kanë deklaruar se i kanë dy kontrata të rregullta pune.

“Në bisedë e sipër ka rezultuar se një pjesë e tyre kanë bërë gabime, duke mos e ditur statusin e tyre në organizatën tjetër. Secilit në këtë ballafaqim ua kemi kërkuar kontratën që kanë me institucionin tjetër, e kur i kemi krahasuar kontratat, ka dalë që rreth 40 veta mbajnë edhe një marrëdhënie të rregullt pune jashtë UP-së. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin e Punës. Natyrisht se kjo e dëmton shumë cilësinë e punës së tyre në UP, sepse kontratat me institucionet e tjera që ata i kanë janë kontrata që i obligojnë të jenë në pjesën frontale të ditës, prej orës 08:00 deri në 16:00”, ka thënë Gashi.

Rektori ka deklaruar se nëse një profesor nuk është në universitet prej orës 08:00 deri në 16:00 nuk mund të konsiderohet i rregullt. “Në një farë mënyre jemi të fyer në këtë rast sepse ata marrin pagën e profesorit të rregullt, edhe pse nuk janë në UP. Por, pothuajse me shumicën e këtyre profesorëve kemi gjetur mirëkuptim”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përjashtim nga ky vendim kanë vetëm disa raste specifike që kanë rëndësi të veçantë për shtetin. “Ka disa agjenci që janë të rëndësisë nacionale dhe drejtorët e tyre janë edhe profesorë. Unë nuk dua ta dëmtoj shtetin, por as universitetin.

Për shembull, kemi Agjencinë e Kadastrës dhe Gjeodezisë dhe Hidrometeorologjisë. Unë nuk dua ta dëmtoj universitetin, prandaj u kam lënë një mundësi që mund ta ngrijnë marrëdhënien e punës në UP, kurse ne do të angazhojmë profesorë të tjerë derisa ata mbajnë pozita të drejtorëve. Por, këtu bëhet fjalë vetëm për dy ose tre veta. Të tjerët nuk e kanë këtë të drejtë që t’u ruhet vendi i punës këtu dhe të punojnë në një ministri apo diku tjetër”, është shprehur ai.

Ndërsa sa iu përket zyrtarëve të lartë të shtetit të cilët janë të angazhuar edhe në universitet, Gashi ka thënë se, meqë ata nuk janë shërbyes civilë, nuk kanë kontratë të rrinë prej 08:00 deri në 16:00 në punë, prandaj mund të mbajnë mësim në UP.

“Nga një monitorim që kemi bërë ka rezultuar që nuk kemi humbje të orëve nga zyrtarët politikë. Ata e kanë respektuar orarin. Derisa ministrat mund t’i mbajnë orët, unë nuk i thërras ta ngrijnë marrëdhënien e punës. Por, në momentin që unë kam ankesa nga studentët se ata nuk janë të rregullt, me mirëkuptim do t’u them ta ngrijnë marrëdhënien e punës”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Gashi ka thënë se në rast se zyrtarët e shtetin nuk i mbajnë orët, do të detyrohen ta ngrijnë pozitën e profesorit dhe paga do t’u dalë zero nga UP-ja. “Por prapë ata janë punëtorë tanët dhe nuk u ndalohet të vijnë të mbajnë një ligjëratë, e cila nuk do t’u paguhet. Ne si universitet kemi privilegj që ata kanë dalë nga universiteti ynë. Ata kur e konsiderojnë vetë se nuk mund të mbajnë ligjërata është më mirë të mos vijnë para një momenti që mund të komprometohen”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.