Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Mërkurë, 21 Prill 2021

Jasharaj: Ende nuk ka marrëveshje me Qeverinë

E Premte 30 Janar 2015 15:42

Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar në nivel vendi kanë bojkotuar sot mësimin në shenjë pakënaqësie për moszbatimin e Kontratës Kolektive.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se greva një ditore vjen si pasojë e mosreflektimit të Qeverisë. Ndërkohë, grevës nuk i janë përgjigjur disa shkolla. Sindikalistët paralajmërojnë se nëse nuk do të realizohen kërkesat e tyre, mund të ketë veprime të tjera sindikale. Greva e mësimdhënësve ka filluar në ora 8:00 dhe ka përfunduar në ora 12:00.

Në shkollat fillore dhe të mesme të vendit u mbajt sot grevë një ditore, ku mësimdhënësit kërkuan zbatimin e plotë të Kontratës Kolektive për arsimin, e nënshkruar në prill të vitit 2014. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, pas vizitës në disa shkolla, tha se grevës i janë përgjegjur fuqishëm punëtorët e arsimit. Edhe pas bisedimeve me institucionet qeveritare, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje për realizimin e kërkesave të tyre, tha Jasharaj.

“Urojmë që pas kësaj greve Qeveria e Kosovës të ulet me SBASHK-un të bisedojnë konkretisht për të gjetur zgjidhje për të dalë nga kjo situatë momentale.”

Mësimdhënësi në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, Selami Salihi, tha se nuk dëshiron që të radikalizohet greva. Duke shprehur keqardhje për nxënësit, ai kërkon mirëkuptim edhe nga prindërit, pasi siç tha ai, kërkesat e tyre janë ligjore dhe duhet të realizohen.

“Ne jemi dëshmitarë të kohës që po jetojmë se Kosova është e mbushur me plot probleme, por ne jemi ata që kemi punuar edhe në kohë më të vështira dhe jemi për mirëkuptim. Kërkojmë mirëkuptim edhe nga nxënësit edhe nga prindërit dhe shpresoj se do të merren vesh dhe do të fillojmë punën normalisht.”
Të dhënat nga terreni flasin se në përgjithësi, greva u mbajt me disa përjashtime të vogla. Shpresa Ajdini mësimdhënëse në shkollën “Ismail Qemali”, tha se edhe pse kjo shkollë nuk është në grevë, përkrahë kolegët e saj të cilët kërkojnë zbatimin e Kontratës Kolektive. Por, ajo thotë se nuk përkrahë bojkotimin e mësimit.

“Ne jemi për të mbajtur mësimin, se kurrfarë dobie prej kësaj nuk kemi pas. Ne nuk i përkrahim mos me mbajt mësim. Ne kemi punuar edhe pa paga, kemi kontribuuar dhe kemi dhënë edhe djersën e fundit e kurrë nuk na është vlerësuar, e kësaj here ndoshta janë vetëdijesuar.”

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Azem Guri, tha për Radio Kosovën, se Ministria kërkon mirëkuptim nga sindikalistët që t’u japin kohë për të parë mundësitë e realizimit të kërkesave të tyre.

“Gjithnjë kemi kërkuar që procesi edukativo-arsimor të mos ndërpritet. Ne e kemi bërë publike çështjen e plotësimit të pikave sa i përket Kontratës dhe në përfundim të piksë më të ndjeshme që është e shujtës. Kemi kërkuar hapësirë. Ne do të dialogojmë sërish me SBASHK-un dhe me Qeverinë, në mënyrë që të përmbushet edhe kjo pikë e vetme e Kontratës me kushtin që procesi edukativo-arsimor të mos ndërpritet.”

Sindikalistët e arsimit kërkojnë që të zbatohen pikat e kontratës kolektive: shujta prej 2 euro në çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit, si dhe transporti i mësimdhënësve.

 
 

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.