Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Hënë, 14 Qershor 2021

BE nuk komenton rreth Platformës së Serbisë për Kosovën

E Shtunë 22 Dhjetor 2012 13:17

Zyrtarët e Bashkimit Europian nuk kanë dhënë asnjë koment rreth Platformës së Serbisë për Kosovën , e cila parasheh autonomi për serbët, shuarjen e FSK’së si dhe krijimin e dy dhomave në Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic, ka thënë për Express se nuk ka ndonjë koment për platformën, ndërsa ka treguar se pozicioni i BE’së është i prezantuar në konkluzionet e Këshillit të Ministrave.

“Unë nuk kam asnjë koment rreth platformës”, ka thënë Kocijancic.

“Pozicioni i BE’së është i përcaktuar qartë në konkluzionet e Këshillit të 11 dhjetorit”, ka shtuar ajo.

Në konkluzionet e BE’së nuk përkrahet krijimi i institucioneve paralele me ato të Kosovës, ndërkohë që i kërkohet Prishtinës t’i trajtojë problemet e serbëve në Veri.

“Këshilli kërkon përparim të mëtejmë, përfshirë progresin e pakthyeshëm, duke krijuar struktura në Veri te Kosovës, të cilat i përmbushin kërkesat për siguri dhe drejtësi për popullatën në mënyrë transparente dhe kooperative në mënyrën që siguron funksionalitetin e një kornize unike institucionale dhe administrative brenda Kosovës dhe që respekton nevojat e veçanta të popullatës lokale”, thuhet në përfundimet e BE’së, të publikuara para dhjetë ditësh.

Veç kësaj, BE ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i trajtojnë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e raporteve mes dy vendeve. Madje, është kërkuar edhe hartimi i një plani për Veriun nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Kosova ende nuk ka prezantuar ndonjë plan për atë pjesë të Kosovës, ndërsa Serbia veç ua ka prezantuar diplomatëve të BE’së platformën e saj.

Express ka publikuar të mërkurën Platformën e Serbisë, e cila parasheh që Serbia të ndërhyjë në rendin kushtetues të Kosovës nëpërmjet krijimit të institucioneve që nuk parashihen me Kushtetutën kosovare.

Ndaj këtij propozimi ka reaguar Qeveria përmes Kryeministrit Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka thënë se ky dokument është vetëm pjesë e dëshirave të Beogradit, ndërsa ka thënë të ketë marrë edhe konfirmimin e ndërkombëtarëve se edhe ata e kanë refuzuar platformën serbe.

Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe Zëvendësi i Thaçit, Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Qeverisë.

Duke luajtur rolin e Zëdhënësit të Qeverisë, Kuçi ka thënë se pret që edhe BE të kundërshtojë ofertën e Beogradit për Veriun dhe Kosovën.

Megjithëkëtë, Zëvendëskryeministri ka thënë se platforma më së shumti e ka sfiduar BE’në dhe Baroneshën Ashton.

“Besoj që zonja Ashton është më e sfiduara me këtë platformë. Se platforma kundër asaj që e ka prezantuar edhe para takimeve të përbashkëta edhe para opinionit publik. Ajo ka dëmtuar më së shumti procesin e dialogut edhe më së shumti ata që tentojnë të ndërmjetësojnë këtë proces”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i Qeverisë ka thënë se plani i Serbisë për Veriun i ngjan sikurse Prishtina të hartonte një dokument për tri komunat në Kosovën Lindore.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.

 

Shkruani e-mailin tuaj për tu abonuar në pakon e lajmeve të Kosovahaber'it