Dürüst İlkeli Anında Haber - KOSOVAHABER

E Premte, 14 Maj 2021

Malit të Zi nuk i jepet as një metër katror

E Mërkurë 12 Gusht 2015 10:53

Qeveria e Kosovës , në mbledhjen e radhës të mbajtur sot, ka miratuar raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi është në përputhshmëri të plotë me linjën kufitare sipas Kushtetutës së vitit 1974, me Planin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kështu u tha në mbledhjen e Qeverisë, ku kryetari i Komisionit Shtetëror për shënimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi prezantoi raportin e punës. Kryeministri Isa Mustafa tha se në vazhdimësi ka pasur takime me komisionin dhe me përfaqësuesit tjerë relevantë lidhur me këtë çështje.

“Ajo që ne jemi interesuar është se a ndryshon sipërfaqja e Republikës së Kosovës me rastin e përcaktimit të këtij kufiri. Komisioni ka dëshmuar se sipërfaqja nuk ndryshon për asnjë centimetër katror dhe kërkoj nga kryetari i Komisionit që këtë t’ia thotë Qeverisë”, tha Mustafa.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Murat Meha, i dha garancat që i kërkoi kryeministri. Gjatë prezantimit të raportit, Meha tha se caktimi i vijës kufitare është bërë duke u bazuar në dokumentacionin e atëhershëm të Kuvendit Krahinor të Kosovës, drejtorisë krahinore të gjeodezisë së Kosovës, drejtorisë së gjeodezisë së Serbisë së asaj kohe dhe dokumente të tjera.

“Komisioni me përgjegjësi të plotë e dokumenton që territori i Republikës së Kosovës nuk ndryshon për centimetër katror dhe komuna e Pejës që e ka pasur territorin e vetë 602.2 km katror të njëjtat i ka pasur në vitin 1974, të njëjtat i ka edhe sot”, tha Meha.

Qeveria aprovoi po ashtu vendimin përmes të cilit i kërkohet presidentes Atifete Jahjaha të autorizojë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm për nënshkrimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila pastaj duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Kabineti qeveritar po ashtu aprovoi draft-koncept dokumentin për hartimin e Projektligjit për investimet strategjike të huaja në Kosovë, vendimin për eliminimin e monopoleve ekonomike dhe veprimeve që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe disa vendime të tjera.

Komento

500 Karakteriniz kaldi

Rregullat për komente

  1. Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
  2. Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
  3. Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
  4. Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.