Jahjaga takoi në Nju Jork përfaqësuesit e Fondit Global
E Marte 29 Shtator 2015 11:11
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, takoi në Nju Jork përfaqësuesit e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbje (GCERF), Carol Bellamy, udhëheqëse e Bordit dhe Khalid Koser, drejtor ekzekutiv i fondit, ku diskutoinë lidhje me përfshirjen e Kosovës në nismat e kësaj organizate për të çrrënjosur ekstremizmin dhe parandaluar radikalizimin.
Jahjaga u shpreh e kënaqur me vendimin e Fondit Global që në dhjetor të këtij viti të formalizojë përfshirjen e Kosovës si njërin nga pesë shtetet që do të përfitojnë nga fondi prej 25 milionë eurove për nisma dhe projekte që për qëllim kanë parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ndër të tjera ajo theksoi se është lajm i mirë që Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara për t'u bërë një nga pesë shtetet në botë që përfitojnë nga nismat e fondit në këtë fazë dhe mirëpret vizitën e përfaqësuesve të kësaj organizate shumë shpejt në Kosovë.
Ky takim është pjesë e takimeve që presidentja ka zhvilluar me përfaqësuesit e kësaj organizate këtë vit në Gjenevë. Zyra e Presidentes ka komunikuar vazhdimisht me GCERF për përfshirjen e Kosovës në sfondin e saj.
Fondi Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes ka selinë në Gjenevë dhe është themeluar si përpjekje globale përmes partneritetit publiko-privat, në bashkëpunim me qeveritë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të mbështetur përpjekjet e shteteve për të adresuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. /albeu.com/
Komento
Rregullat për komente
- Ju lutemi që të bëni përpjekje që komenti i juaj të përkoj me artikullin në fjalë.
- Gjatë komentimit ju lutemi që ti kushtoni kujdes edhe drejtshkrimit dhe gjuhës letrare.
- Gjithmonë mundohuni që të përdorni një stil më të butë.
- Nëse nuk i përmbaheni rregullave të sipërpërmendura atëherë redaktori i ueb faqes ka të drejtë që të mos e botoj komentin tuaj.